Kërko

2025.07.21 Papa leone XIV e Mahmoud Abbas

Leoni XIV pret në audiencë presidentin palestinez Abbas më 6 nëntor

Takimi, do të mbahet në orën 10.30 në Vatikan. Është takimi i parë mes të Leonit XIV e Abbas, pas telefonatës së korrikut të kaluar për zhvillimet e atëhershme të konfliktit në Gaza dhe dhunës në Bregun Perëndimor.

R.SH. – Vatikan

Për herë të parë Papa Leoni XIV do të takojë presidentin palestinez Mahmoud Abbas. Audienca është caktuar më datën 6 nëntor, në orën 10.30, në Pallatin Apostolik në Vatikan. Me liderin palestinez – protagonist njëmbëdhjetë vjet më parë i momentit historik të lutjes në Kopshtet e Vatikanit me Papa Françeskun dhe presidentin e atëhershëm izraelit Shimon Peres – Leoni XIV pati më 21 korrik të kaluar, një bisedë telefonike. Në qendër të bisedës së atëhershme qenë zhvillimet e asaj periudhe në konfliktin në Rripin e Gazës dhe dhunën në Bregun Perëndimor.

Dhe gjatë bisedës – njoftonte atë ditë zyra e Shtypit të Selisë së Shenjtë – Papa pati ripohuar thirrjen për respektimin e plotë të së drejtës ndërkombëtare humanitare, duke theksuar detyrimin për të mbrojtur civilët dhe vendet e shenjta dhe ndalimin e përdorimit pa dallim të forcës dhe zhvendosjes së detyruar të popullsisë. Gjithashtu në të njëjtën bisedë telefonike Leoni XIV pati kujtuar “përvjetorin e dhjetë të Marrëveshjes Globale ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shtetit të Palestinës”, e nënshkruar më 26 qershor 2015 dhe e hyrë në fuqi më 2 janar 2016.Tani, pra, do të kemi një audiencë që vjen një muaj pas armëpushimit në Rripin e Gazës, ku ditët e fundit janë regjistruar sulme të reja izraelite që e lënë armëpushimin në fije të hollë shprese.

04 nëntor 2025, 16:17