Letërsia turke, nga stepat aziatike, tek romani modern
R.SH. / Vatikan
Ashtu si shumë letërsi të lashta, edhe letërsia turke e ka një periudhë të mbushur me mister, në të cilën fjala gjen hapësirën e saj krijuese në gojëtari. "Turqisht' është mbiemër kompleks, pasi turqit ishin tashmë atje para se të mbërrinin në Anadoll. Ishin popullsi nomade nga stepat e Azisë Qendrore që u zhvendosën rreth shekullit të 11-të", shpjegon Rosita D'Amora, profesoreshë e gjuhës dhe e letërsisë turke në Universitetin Sapienza të Romës dhe redaktore, së bashku me Stefania De Nardis, e një botimi të kohëve të fundit, titulluar Alaturka/Alafranga.
Dëshmitë e para
Ndërsa faza gojore mbetet, siç është e natyrshme, e pakapshme, disa gjurmë të prodhimit të hershëm letrar turk janë të pranishme në Luginën e Orkhonit, ku përkujtohet vdekja e dy bejlerëve, dy zotërinjve, Kul Tigin dhe vëllait të tij, Bilge Khagan. Këto mbishkrime në turqishten e vjetër, që datojnë në fillim të shekullit të 8-të pas Krishtit, u deshifruan falë pranisë kontekstuale të një përkthimi kinez. Situatë e ngjashme me atë të Gurit të famshëm të Rosettës, në gjuhën egjiptiane.
Mbërritja në Anadoll dhe Perandoria ottomane
Rreth shekullit të 11-të, me zbritjen e tyre në Anadoll, popullatat turke u përballën me Islamin dhe përjetuan, madje edhe në sferën letrare, një periudhë ndikimi kulturor arab dhe persian, i cili do të vazhdonte dhe do të forcohej me lindjen e Perandorisë Osmane në fund të shekullit të 13-të. "Shumë nga veprat më të hershme në turqisht" - kujton profesoresha D'Amora, duke shpjeguar se kemi të bëjmë me një gjuhë të prejardhjes Ural-Altaike, "me tekste të hartuara tashmë në arabisht dhe persisht", u përthithën shumë nga tiparet e tyre gjuhësore.
Një letërsi oborresh e jo vetëm...
"Perandoria Osmane", sqaron studiuesja, "përfshinte grupe etnike dhe komunitete fetare krejtësisht të larmishme. Shpesh, kur diskutohet prodhimi letrar i kësaj epoke, kujtohen veprat e krijuara brenda oborrit, por në realitet, kishte edhe shumë prodhime paralele, shumëgjuhëshe të zhvilluara brenda shumë komuniteteve etnike dhe fetare, pjesë e Perandorisë Osmane". Poezia ishte zhanri mbizotërues gjatë kësaj epoke. Kompozimet u mblodhën në një lloj libri këngësh, në divan, i cili përmbante poezi që ndiqnin modele të ndryshme metrike dhe kompozicionale. Këto tekste favorizonin temat erotike-mistike dhe përdornin një grup specifik metaforash për të festuar dashurinë përballë hyjnores.
Djali i hollë porsi selvi
Metafora kryesore e dashurisë, meqenëse emri i Zotit është i pashqiptueshëm dhe pamja e tij e papërshkrueshme, është e një djali pa mjekër, karakteristikat fizike të të cilit përshkruhen në mënyrë alegorike. Vështrimi i tij i ngjan shigjetave, vetullat e tij janë harqe, goja - rubin, bukuria e fytyrës së tij këndohet përmes asaj të hënës, flokët që rriten në gjoksin e djalit krahasohen me kaligrafinë, figura e tij është aq e hollë, sa ajo e një selvie. Ky zhanër poetik ishte zakonisht krijim i autorëve që punonin për sulltanin ose rreth oborrit të tij. Ekzistonte edhe një letërsi popullore, e cila shprehte imazhe të ngjashme, por në një gjuhë shumë më të kuptueshme.
Romanet e hershme
Në mesin e shekullit të 19-të, diçka ndryshoi. Perandoria Osmane po përjetonte një periudhë krize, duke kërkuar përgjigje, veçanërisht në sferën ushtarake, në teknologjinë evropiane. Shkëmbimet kulturore, të cilat kishin ekzistuar gjithmonë, u intensifikuan. Përkthimet e veprave evropiane, veçanërisht romaneve franceze, u përhapën gjerësisht. Kjo ishte një mundësi për të futur tema që lidhen me realitetin dhe shoqërinë në letërsinë turke, dhe për t'i dhënë asaj një funksion politik:
"Tema kryesore, nëse do të më duhej të identifikoja një, brenda së cilës të gjitha bashkohen, është debat i përjetshëm ndërmjet modernitetit dhe traditës".
Sami Frashëri konsiderohet autori i romanit të parë turk
Sami Frashëri, mbiemri i të cilit flet vetë për origjinën e tij shqiptare, megjithëse i njohur edhe me emrin e tij anadollas Şemseddin Sami, u konsiderua prej kohësh autori i romanit të parë turk, titulluar "Dashuria me Talatin dhe Fitnatin", botuar në vitin 1872. Historia, e shkruar me alfabetin osman, rrëfen dashurinë ndërmjet dy të rinjve dhe ka pasojë tragjike. Në fakt, kujtoi profesoresha D'Amora, në vitet më të fundit, kompozimi i romanit të parë turk është lexuar si krijim i Vartan Pashës, një armen, emri origjinal i të cilit ishte Hovsep Vartanian. Ky shkrimtar dhe gazetar shumë i frytshëm, ishte anëtar i shtetit osman dhe, në vitin 1851, shkroi romanin Historia e Akabisë. Edhe kjo, historia e një dashurie të dështuar. Në këtë vepër, të rinjtë i përkasin dy bashkësive të ndryshme fetare armene, asaj katolike dhe asaj ortodokse. Ky roman është shkruar në turqisht, por me alfabetin armeno-turk. Të dy këto romane, shpjegon profesoresha D’Amora, janë reflektim mbi familjen tradicionale: biografitë e autorëve të tyre tregojnë se si edhe bashkësitë jo-muslimane kontribuan ndjeshëm në jetën kulturore të Perandorisë Osmane.
Në epokën e Republikës
Kur shkrimtarja dhe përkthyesja Joyce Lussu e pyeti Nazim Hikmetin se çfarë gjuhe ishte turqishtja osmane, Poeti - një nga më të dashurit në botë - u përgjigj se gjyshi i tij shkruante poema të bukura duke e përdorur atë, por se ai nuk mund t'i kuptonte më ato. Pas themelimit të Republikës Turke në vitin 1923, kombi i ri kishte nevojë për një gjuhë të re kombëtare. "Nëpërmjet një operacioni nga lart, Ataturku, themeluesi i Republikës, i cili në atë kohë njihej vetëm si Mustafa Kemal, nisi një proces inxhinierie dhe transformimi gjuhësor. U përpoq të zhdukte fjalët e huazuara arabe dhe persiane dhe të rivendoste strukturën gramatikore të turqishtes origjinale". Letërsia, kështu, mori drejtime të reja.
Një botë letrare për t'u zbuluar
"Letërsia turke e epokës osmane", vëren profesoresha D'Amora, "është pak e njohur në Evropë. Kjo pjesërisht për shkak të vështirësive në përkthim. Duheshin shumë çelësa për të kuptuar strukturën metaforike, dhe ishte e nevojshme të njiheshin arabishtja dhe persishtja, përveç turqishtes, po ishte shumë e vështirë të përcillje, në gjuhët perëndimore, jo vetëm strukturën poetike, por edhe kompleksitetin e përmbajtjes". Duke filluar nga mesi i shekullit të 19-të, me shfaqjen e romaneve turke, dëshira dhe kënaqësia e prodhimit letrar u rritën. Por ndryshimi i ritmit ndodhi në vitin 2006. Me dhënien e Çmimit Nobel Orhan Pamuk, autor i veprave themelore si "Istanbul", u ndez një interes i fortë jo vetëm për vetë shkrimtarin, por edhe për letërsinë e vendit, në përgjithësi. Kjo vetëdije e re e shtyu Ministrinë Turke të Kulturës të hartonte një program, projektin TEDA, Translation and Publication Grant Program of Türkiye, për të favorizuar përkthimet jashtë vendit.