Kërko

Refugjatët palestinezë marrin ndihmë nga UNRWA në Deir al-Balah, një qytet në Rripin qendror të Gazës. (REUTERS) Refugjatët palestinezë marrin ndihmë nga UNRWA në Deir al-Balah, një qytet në Rripin qendror të Gazës. (REUTERS)

Lindja e Mesme, Selia e Shenjtë: zgjidhja me dy Shtete dhe mbrojtja e UNRWA-së

Kryeipeshkvi Caccia, Vëzhgues i Përhershëm pranë Kombeve të Bashkuara, foli në Komisionin IV të Asamblesë së 80-të të Përgjithshme të OKB-së, kushtuar Agjencisë për Ndihmën e Refugjatëve Palestinezë në Lindjen e Afërt, duke vlerësuar punën e saj të rëndësishme humanitare dhe duke u bërë thirrje shteteve të forcojnë mbështetjen politike dhe financiare. Dënoi gjithashtu sulmet kundër objekteve të Agjencisë dhe theksoi nevojën për të respektuar të drejtën ndërkombëtare humanitare.

R.SH. / Vatikan

Në Lindjen e Mesme, Selia e Shenjtë "riafirmon mbështetjen e saj për dy shtetet, Izraelin dhe Palestinën, që të jetojnë krah për krah në paqe dhe siguri, brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht". Dënon edhe "sulmet kundër objekteve të UNRWA-së", Agjencisë së Ndihmës dhe Punës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt, "duke përfshirë zyrat, shkollat ​​dhe spitalet". Selia e Shenjtë e konsideron misionin e Agjencisë "themelor" dhe i fton të gjitha Shtetet Anëtare "të ripërsërisin dhe të forcojnë mbështetjen e tyre politike dhe financiare". Me këto fjalë, Kryeipeshkvi imzot Gabriele Caccia, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, iu drejtua Komitetit të Katërt të Asamblesë së 80-të të Përgjithshme të OKB-së dje, më 13 nëntor, mbi pikën e rendit të ditës kushtuar UNRWA-së.

Zgjidhja me dy Shtete dhe multilateralizëm

Kryeipeshkvi Caccia theksoi se Selia e Shenjtë është thellësisht e shqetësuar për situatën dramatike në Lindjen e Mesme dhe se "bashkësia ndërkombëtare duhet të vazhdojë të punojë pa u lodhur për të vendosur paqen, stabilitetin dhe vëllazërinë për të gjithë popujt e rajonit". Përsëriti edhe mbështetjen e tij për zgjidhjen me dy shtete, duke nënvizuar se "progresi i vërtetë mund të arrihet vetëm përmes multilateralizmit, dialogut durimtar dhe bashkëpunimit gjithëpërfshirës, ​​jo përmes përdorimit të forcës".

Misioni i UNRWA-së për refugjatët palestinezë

Lidhur me UNRWA-në, përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë kujtoi se ka kryer për më shumë se 70 vjet misionin e saj, besuar nga OKB-ja, në Liban, Siri, Jordani dhe Palestinë, duke vazhduar të ofrojë ndihmë të ngutshme dhe të përgjithshme humanitare në formën e arsimit, kujdesit shëndetësor, ndihmës ushqimore dhe shërbimeve sociale. Agjencia ofron "shpresë, mbrojtje dhe mundësi për jetë dinjitoze" për më të ligshtit - fëmijët, gratë dhe të moshuarit.

Prandaj, Selia e Shenjtë shpreh "dhimbje" dhe ofron lutje "për viktimat e shumta të stafit të UNRWA-së" të cilët "po kryenin detyrën e tyre". Në të njëjtën kohë, bën thirrje "të respektohet e drejta ndërkombëtare humanitare dhe të garantohet veprimtaria e sigurt, e vazhdueshme dhe e papenguar për ndihmën humanitare", e cila është si detyrë morale, por edhe detyrim ligjor.

Forcimi i mbështetjes politike dhe financiare për Agjencinë

Është themelore për Selinë e Shenjtë që puna e UNRWA-së "të mbetet e rrënjosur fort në parimet e njerëzimit, neutralitetit, paanshmërisë dhe pavarësisë", të cilat duhet të udhëheqin rekrutimin, menaxhimin dhe aktivitetet e stafit lokal. Vetëm në këtë mënyrë Agjencia mund të vazhdojë të jetë "mjet i besueshëm solidariteti dhe paqeje" dhe të sigurojë "mbijetesën e qindra mijëra palestinezëve që, përndryshe, nuk do të kishin asnjë burim tjetër ndihme".

Për këtë arsye, përsëriti Kryeipeshkvi Caccia, Selia e Shenjtë "fton të gjitha Shtetet anëtare të përsërisin dhe të forcojnë mbështetjen e tyre politike dhe financiare për UNRWA-në". Theksoi edhe rëndësinë e ruajtjes së mandatit të Agjencisë së OKB-së, prandaj "çdo shqyrtim në lidhje me modifikimin e saj duhet të zhvillohet brenda kontekstit të Asamblesë së Përgjithshme, duke reflektuar vullnetin kolektiv dhe përgjegjësinë e përbashkët të të gjitha Shteteve Anëtare".

14 nëntor 2025, 15:21