Lumnohet nënë Eliswa Vakayil, pioniere e jetës fetare femërore në Indi
R.SH. / Vatikan
“Një model, një pasqyrë në të cilën çdo bijë, çdo nënë, çdo grua - laike, e shenjtëruar e rregulltare - mund ta shikojë dhe ta njohë vetveten”. Kështu e përshkroi Kardinali malajzian Sebastian Francis, Ipeshkëv i Penangut, Nënën Eliswa Vakayil, themeluese e Urdhrit të Tretë indigjen të Karmelitaneve të zbathura (TOCD) për gratë, në Indi. Të shtunën, më 8 nëntor, Murgesha u shpall e Lume në Kochi, shtet indian i Kerala.
Shpallja, e kremtuar në Sheshin përpara Bazilikës-Shenjtore të Zojës së Shëlbimit, në Vallarpadam, u kryesua nga kardinali, që përfaqësonte Leonin XIV. Bashkëmeshonin Kryeipeshkvi Leopoldo Girelli, Nunc Apostolik në Indi e Nepal, dhe Joseph Kalathiparambil, Ordinar i Kryedioqezës Metropolitane të Verapolit. Përveç shumë prelatëve, meshtarëve, rregulltarëve dhe besimtarëve laikë, ishte e pranishme edhe Motra Antony Shahila, Eprore e Përgjithshme e Kongregatës së Karmelitaneve tereziane (CTC), së bashku me Etërit Miguel Márquez Calle dhe Marco Chiesa, respektivisht Epror dhe Postulator i Përgjithshëm i Karmelitanëve të zbathur.
Vëmendje e dhembshuri për të përjashtuarit
"Historia e Nënës Eliswa pasqyron udhën e jetës së çdo shenjti" - kujtoi Kardinali Françesku në homelinë e tij, "një 'po' konkrete, konstante dhe e qëndrueshme në çdo situatë në të cilën Zoti i vendos". Kardinali theksoi tërheqjen e së Lumes së re nga Eukaristia, përkushtimin nga Virgjëra Mari e, mbi të gjitha, vëmendjen dhe dhembshurinë e saj për të varfrit, më pak fatlumët.
Nusja e Krishtit dhe nëna shpirtërore e shumë njerëzve
Para se të ndjente thirrjen për jetën e kushtuar, Nëna Eliswa ishte grua dhe nënë e një vajze e, së fundmi, e vejë. E pikërisht "përmes këtyre përvojave personale" e lumja e re "mundi të kuptojë" nevojat e çdo gruaje. "Duke qenë e ushqyer nga adhurimi i shpeshtë para Të Shenjtnueshmit Sakrament dhe duke kryer akte të vazhdueshme mëshire, e bindur ndaj Shpirtit Shenjt, Zoti e shndërroi identitetin e saj: nga grua dhe nënë, në nuse të Krishtit dhe nënë shpirtërore të shumë njerëzve".
Pioniere në udhëtimin sinodal të Kishës
Duke jetuar ndërmjet viteve 1831 dhe 1913, pioniere e jetës fetare në Kerala, Nëna Vakayil hapi dyert e jetës së kushtuar për gratë katolike të riteve latine dhe siro-malabareze. Jeta fetare shembullore ishte frymëzim edhe për motrën e saj, Thresia, e vajzën, Anna, të cilat u bashkuan me të në të njëjtin shtegtim jete. Themeli i "fesë së palëkundur", "ishte në përshpirtërinë, vizionin dhe misionin e saj, të gjitha të rrënjosura në identitetin si dishepulle besnike e Jezu Krishtit e, përmes pagëzimit, si zemra e sinodalitetit".
Angazhimi për edukimin femëror
Për më tepër, angazhimi i palodhur i murgeshës indiane për arsimin - i mishëruar në themelimin e një shkolle, një jetimoreje dhe një kolegji vajzash - së bashku me kujdesin e saj baritor për gratë më të varfra dhe më të margjinalizuara, janë "dëshmi e qëndrueshme e dhembshurisë dhe besimit të saj të zjarrtë". Nga kjo perspektivë, vazhdoi përfaqësuesi i Papës, "duke tejkaluar të gjitha kufijtë, Nëna Eliswa mund të lidhej me çdo katolik, çdo qytetar të Indisë dhe me të gjithë njerëzimin".
Një jetë guximtare
Kardinali Françesku, më pas, kujtoi mrekullinë që çoi në lumnimin e murgeshës: shërimin e një vajze të vogël në barkun e nënës së saj.
Tani që Nëna Eliswa është e Lume - shtoi ai - zemra të panumërta do të vazhdojnë të rrahin e të frymëzohen nga jeta e saj e shenjtë, e guximshme dhe e palëkundur e besimit dhe e dashurisë".
Fanar shprese për kohët tona
Prandaj, në këtë "çast historik për familjen karmelitane botërore", si dhe për Kishën në Indi dhe Kishën universale, inkurajimi përfundimtar i Kardinalit Françesku iu drejtua të gjitha grave të shuguruara, të gjitha nënave dhe të gjithë atyre që vuajnë në heshtje e, megjithatë, zgjedhin dashurinë "për Zotin e për njeriun”, duke ndjekur gjurmët e të Lumes së re, "fener shprese dhe nënë shpirtërore e vërtetë për kohët tona".