Kërko

Papa Leoni XIV dhe Bartolomeu gjatë Takimit Ekumenik të Lutjes në gërmimet arkeologjike të Bazilikës së lashtë të Shën Neofitit në Iznik Papa Leoni XIV dhe Bartolomeu gjatë Takimit Ekumenik të Lutjes në gërmimet arkeologjike të Bazilikës së lashtë të Shën Neofitit në Iznik
Editorial

Në Jeruzalem, përvujtërisht si vëllezër!

Shpallja dhe ftesa e Pasardhësit të Pjetrit drejtuar të krishterëve të tjerë për Jubileun e Shpëtimit të vitit 2033

R.SH. / Vatikan

Andrea Tornielli

Papa Leoni XIV, që deshi të mishëronte në moton e tij ipeshkvnore thirrjen për unitet në Krishtin, i ftoi të gjithë të krishterët të marrin një shtegtim shpirtëror së bashku. Shtegtim i përbashkët drejt Jubileut të Shëlbimit të 2033, në perspektivën e kthimit në Jerusalem, në zanafillën e fesë sonë.

Dy ditë më parë në Iznik, Nikea e lashtë, prijësit e shumë besimeve të krishtera u lutën së bashku, me ftesë të Patriarkut Bartolomeu të Kostandinopojës, për të përkujtuar 1700-vjetorin e Koncilit I Ekumenik. Një ceremoni e shkurtër dhe prekëse u zhvillua pranë rrënojave të Bazilikës së Shën Neofitit, e dalë rishtas nga ujërat e liqenit të madh. Ai takim i udhëheqësve të besimeve të ndryshme të krishtera kishte aromë ungjillore: në brigjet e një liqeni tjetër, Liqenit Tiberias, u zhvillua pjesa më e madhe e predikimit të Jezusit. Duke ecur në ato brigje, Nazareasi thirri dy peshkatarë, Pjetrin dhe Andreun, duke i bërë apostujt e tij.

Por bukuria piktoreske e vendit, së bashku me thellësinë e gjestit që bashkonte katolikët, ortodoksët dhe protestantët në lutje, nuk ishin të mjaftueshme për të errësuar plagën e dhimbshme të mungesave të tyre. Për këtë arsye, Leoni XIV, më pak se njëzet e katër orë më vonë, duke u takuar përsëri me disa nga ata udhëheqës të krishterë të pranishëm në Iznik, i falënderoi, duke uruar  të lindin edhe takime e çaste të reja, si ai që sapo u jetua, edhe me ato Kisha, që nuk mundën të ishin të pranishme.

Propozimi i Ipeshkvit të Romës është të kremtojmë së bashku dy mijë vjetorin e vdekjes dhe ngjalljes së Jezusit, e edhe lindjen e Kishës, në Dhomën e Sipërme, në Jerusalem. Është ftesa e përvuajtur dhe e guximshme që Pasardhësi i Pjetrit ua drejton të gjithëve, për të shkuar përtej Nikesë dhe për t'u kthyer në origjinën e besimit, në vendin ku filloi gjithçka. Leoni kujtoi parësinë e ungjillëzimit dhe shpalljen e kerygmës dhe kujtoi edhe një herë se si përçarja e të krishterëve është pengesë për dëshminë e tyre.

Të kthehesh në Jerusalem do të thotë kthim në flijimin e Golgotës dhe në Varrin e gjetur bosh nga gratë në mëngjesin e Pashkëve. Do të thotë kthim në vendin e Darkës së Mbrame, ku Jezusi, pasi lau këmbët e apostujve, theu bukën me ta. Do të thotë kthim në vendin e Pentekostës, kur një grup i vogël burrash të zhgënjyer dhe të frikësuar u shndërrua në motorin e mesazhit të Ungjillit: ata ishin zemërthyer pas vdekjes së Mësuesit të tyre, por në Dhomën e Sipërme dhe, më pas, në brigjet e Liqenit të Tiberias e takuan të ringjallur dhe të gjallë. Në Dhomën e Sipërme, ata morën Shpirtin Shenjt, që i shndërroi në misionarë të palodhur, të gatshëm të jepnin jetën e tyre për të shpallur se Njeriu që vdiq në kryq është ringjallur dhe është Biri i Zotit.

Kthim në Jerusalem do të thotë të bëhemi shtegtarë së bashku, për t’u mbledhur në Çenakull. Për të kujtuar, të gjithë së bashku, atë që ka vërtet rëndësi. Do të thotë të lëmë mënjanë çka nuk është themelore: shtresat e politikës kishtare, rivalitetet dhe pretendimet, strategjitë, nacionalizmat, ndasitë partiake dhe kaq shumë tradita njerëzore, që na ndanë. Do të thotë të kapërcejmë përçarjet, duke rizbuluar zemrën e mesazhit të Ungjillit. Sepse për këtë ka nevojë Kisha dhe bota. “Sa shumë nevojë për paqe dhe pajtim ka përreth nesh, por edhe brenda nesh e midis nesh!” tha Ipeshkvi i Romës, Pasardhës i Pjetrit, në prani të Patriarkut të Kostandinopojës, Pasardhës i Andreut. Të ritakohemi me përvujtëri, si vëllezër të bashkuar në shërbim të njëri-tjetrit, për të përsëritur së bashku fjalët e Peshkatarit të Galilesë: “Ti je Krishti, Biri i Zotit!”

30 nëntor 2025, 15:53