Kërko

Nga Papa, korët dhe grupet korale, notat që afrojnë me Zotin

Në audiencën jubilare në Sheshin e Shën Pjetrit, shtegtarë të ndryshëm erdhën nga vende të ndryshme të botës për të festuar Jubileun e korëve dhe grupeve korale, të nxitur nga dashuria për muzikën, "një instrument i Zotit për të folur me shpirtin"

R.SH- Vatikan

“En la calle oscura una luz me salvò...”."Në rrugën e errët një dritë më shpëtoi...". Kënga e të rinjve Juan dhe Henrique ngrihet e gëzueshme në mëngjesin e vranët dhe të ftohtë në sheshin e Shën Pjetrit, më 22 nëntor: sytë drejtuar qiellit si për të falënderuar atë "dritë që shpëton në rrugën e errët", siç thonë fjalët e këngës së interpretuar. Ata kanë ardhur nga Arecibo, në Porto Riko, për audiencën jubilare të sotme të Leonit XIV, një pjesë e vogël e atyre 35 mijë shtegtarëve nga 117 vende, zëra të korëve profesionistë, dioqezanë, famullitarë dhe amatorë që sot, në kujtim të Shën Çeçilies, pajtores qiellore të muzikës, dhe nesër jetojnë në Romë Jubileun e tyre.

I shoqëron të dyve don Javier Aviles, vikari famullitar i katedrales së San Felipe Apóstol dhe drejtor i korit dioqezan portorikan. "Muzika do të thotë gëzim, sepse është një instrument i Zotit për të folur me shpirtin - shpjegon prifti -. Në muzikë, në fakt, kënga bëhet lutje", siç kujtoi Papa, është një "perceptim i tërheqjes së të bukurës që ngre drejt Zotit dhe bashkon zemrat në lavdërim. Të mos harrojmë - shton don Aviles - se që nga origjinat e saj Kisha ka bashkuar kremtimet liturgjike me himne lavdie për Zotin, duke kontribuar në forcimin gjithnjë e më shumë të lidhjes mes nesh dhe Tij, dhe mes nesh dhe shenjtorëve."

23 nëntor 2025, 09:57