Kërko

2025.10.28 Udienza Generale

Papa emëron kard. Czerny të dërguar për Ditën e të Sëmurëve 2026

"Dhembshuria e Samaritanit: të duash, duke bartur dhimbjen e tjetrit". Kjo është tema e zgjedhur nga Papa Leoni XIV për Ditën e 34-t Botërore të të Sëmurëve, e cila do të kemtohet më 11 shkurt 2026, në festën e Zojës së Lurdës.

R.SH. / Vatikan

Papa Leoni XIV ka emëruar kardinalin Michael Czerny, Prefekt i Dikasterit të selisë së Shenjtë për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, si të Dërguarin e Tij Special në Ditën e XXXIV Botërore të të Sëmurëve, e cila do të mbahet më 11 shkurt 2026 në Shenjtëroren e Zojës Mari ‘Nuestra Señora de la Paz’, në Dioqezën e Chiclayo (Peru). Kështu bën të ditur zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë.

"Dhembshuria e Samaritanit: të duash, duke bartur dhimbjen e tjetrit"

Kujtojmë se tema e zgjedhur nga Papa Leoni XIV për Ditën e 34-t Botërore të të Sëmurëve është "Dhembshuria e Samaritanit: të duash, duke bartur dhimbjen e tjetrit". Tema përqendrohet në figurën ungjillore të samaritanit, njeriut, që na mëson të "duam, duke bartur dhimbjen e të tjerëve". Dikasteri i Vatikanit për Nxitjen e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor nënvizon se dashuria kërkon gjeste konkrete afërsie, veçanërisht kujdes për ata që përjetojnë sëmundje, "shpesh në një kuadër të vështirë, për shkak të varfërisë, izolimit dhe vetmisë". 

Tema e kësaj Dite Botërore kushtuar të Sëmurëve, duke vendosur në qendër të saj figurën ungjillore të Samaritanit, i cili e shfaq dashurinë, duke u kujdesur për njeriun që vuan, rënë në duart e hajdutëve, synon të theksojë aspektin e dashurisë vepruese për të afërmin. Vërtet, dashuria ka nevojë për gjeste konkrete afërsie, me të cilat marrim përsipër vuajtjet e të tjerëve, veçanërisht të të sëmurëve, që shpesh jetojnë në një kuadër të brishtë, për shkak të varfërisë, izolimit dhe vetmisë.

Jezusi është "Samaritani i Mirë" për njerëzimin e plagosur

Edhe sot, Jezu Krishti, "Samaritani i Mirë", përfundon deklarata, i afrohet njerëzimit të plagosur për ta ndihmuar, nëpërmjet sakramenteve të Kishës, me "vajin e ngushëllimit dhe verën e shpresës", duke frymëzuar kështu veprime dhe gjeste ndihme dhe afërsie me të sëmurët. Ky është "revolucioni i dashurisë", për të cilin foli Leoni XIV në homelinë e tij, në meshën e kremtuar më 13 korrik në famullinë papnore të Shën Tomës së Vilanovës në Castel Gandolfo, kushtuar protagonistit të njërës prej shëmbëlltyrave "më të bukura dhe më prekëse" në Ungjill, e cila ka dhembshurinë në qendër.

15 nëntor 2025, 16:48