Papa: komuniteti kishtar të jetë solidar me jetën kontemplative
R.SH. / Vatikan
"Sot, në përkujtimin liturgjik të Paraqitjes së Virgjërës së Lume Mari në Tempull, kremtohet ‘Dita Pro Orantibus’. Të gjithë vëllezërve dhe motrave të jetës kundruese të mos u mungojë solidariteti konkret dhe ndihma efektive e komunitetit kishtar për t'u siguruar atyre mbështetjen dhe vazhdimësinë e apostullimit të heshtur, të frytshëm dhe të pazëvendësueshëm". Kështu shkruan Papa Leoni XIV në platformën sociale X.
Kisha lutet për bashkësitë monastike në mbarë botën
Kështu, sot, në përkujtimin liturgjik të Paraqitjes së Zojës së Bekuar në tempull, Kisha katolike romake kremton 'Ditën vjetore Pro Orantibus', kushtuar rregulltareve të klauzurës, duke kujtuar se kuvendet e jetës kundruese u ofrohen njerëzve si oaza të Shpirtit e u bëjnë mirë të gjithëve. Maria Virgjër, duke u paraqitur në Tempull, është ikonë profetike e atyre, që dhurojnë jetën për lavd e lumni të Zotit e për kthimin e zemrave, përmes kushteve rregulltare. Kisha i shpreh mirënjohjen Zotit për këtë dhuratë dhe i kushton vëmendje të veçantë manastireve, posaçërisht atyre, që kalojnë çaste të vështira.
Gjatë Ditës kushtuar rregulltareve të klauzurës, themeluar nga Piu XII më 21 nëntor 1953, besimtarët luten për ata që ia kushtojnë gjithë jetën kundrimit, duke bashkëpunuar në këtë mënyrë për ndërtimin e mbretërisë së Hyjit. Zgjedhja e rrugës kundruese nuk është e rastit: buron nga dashuria e thellë, pa kushte, për Krishtin dhe nga dëshira për të marrë pjesë shpirtërisht në problemet e Kishës e të botës. Shembulli i murgeshave mund të kthehet në forcë tërheqëse e t’i japë hov ecjes në gjurmët e Krishtit, që kërkohet nga çdo i pagëzuar.