Kërko

Papa takon Laura Pausinin, që i dhuron një këngë të panjohur, të frymëzuar nga Shën Françesku

Këngëtarja e famshme italiane, e njohur edhe jashtë vendit, u prit sot nga Papa Leoni XIV në Vatikan. "Që nga Sanremo isha fans i saj. Ndërsa sekretari im është tifozi më i madh në Amerikën Latine", tha Papa. Artistja i dhuroi Papës “Këngën e Krijesave”, me interpretimin e saj, si dhe një pllakë nga Billboard Women in Music, iniciativë që nxit zërat dhe praninë e grave në industrinë e muzikë

R.SH. / Vatikan

Papa Leoni XIV u takua me këngëtaren e famshme italiane Laura Pausinin dhe u deklarua "fans" i saj që nga Sanremo-ja e parë, në vitin 1993, kur ajo fitoi në kategorinë e të Propozimeve të reja. Megjithatë, "fansi më i madh, nëse jo në botë, të paktën në Amerikën Latine" është sekretari personal i Papës, Atë Edgard Rimaycuna Inga. Vetë Leoni XIV ia tregoi këtë këngëtares së famshme, yll në Itali dhe në skenën muzikore hispanike, në fillim të takimit privat, mbajtur sot, 12 nëntor, para audiencës së përgjithshme të së mërkurës në sallën  e vogël pranë sallës Pali VI.

"Më duket vetja si të isha më se e bekuar" - tha Pausini e emocionuar, duke vendosur dorën mbi gojë. "E gjithë kjo më bën pak përshtypje..."

Papa dhe artistja 51-vjeçare shkëmbyen buzëqeshje, shaka dhe disa fraza në spanjisht, të cilat këngëtarja i ka mësuar në turne të shumta botërore dhe tani flet rrjedhshëm, duke kujtuar gjithashtu performancën e saj në Peru "La primera vez", kur ishte 25 vjeçe.

Dhuratë, "Kënga e Krijesave"

Laura Pausini i dhuroi Papës një kopje unike të këngës së saj të papublikuar,  titulluar "Fratello Sole Sorella Luna" nga Kantika e Krijesave të Shën Françeskut të Asizit. Mesazh paqeje dhe dashurie për krijimin, edhe në dritën e vendimit të qeverisë italiane për ta kthyer 4 tetorin në "festë kombëtare" - shpjegoi këngëtarja - ditën kur Kisha kremton përkujtimin e Varfanjakut të Asizit - Shenjtit mbrojtës qiellor të Italisë. "Shpresoj t'ju pëlqejë!"

Leone XIV vuri në dukje se vitin e ardhshëm, duke filluar nga janari, do të ketë një vit të tërë jubilar kushtuar Shën Françeskut të Asizit, me rastin e 800-vjetorit të vdekjes, gjatë të cilit do të zhvarrosen edhe eshtrat e tij.

"Domethënë se e zgjodha si duhet”, tha Pausini. "Vërtet providenciale," u përgjigj Leoni.

Një çmim për gratë

Laura Pausini shoqërohej nga një delegacion i botimit italian të revistës muzikore Billboard Italia, i udhëhequr nga menaxheri i muzikës, Tommaso Perna i cili, së bashku me drejtoreshën Silvia Danielli, i dhuruan Papës një pllakë simbolike nga Billboard Women in Music. Është fjala për një ngjarja vjetore organizuar nga Billboard "në mënyrë që zërat e grave të njihen gjithmonë në botën e muzikës, si i artisteve femra ashtu edhe i atyre që punojnë në këtë industri. Kjo është e rëndësishme," shpjegoi Danielli. Laura Pausini është nderua me Çmimin Global Icon sepse "arriti ta bënte zërin e saj të dëgjohej si zë gruaje".

12 nëntor 2025, 16:44