Kërko

Konferencë shtypi për prezantimin e “Restarting the Economy” Konferencë shtypi për prezantimin e “Restarting the Economy”

Restarting the Economy: vlera e një "ekonomie të mjaftueshme"

Nga 28 deri më 30 nëntor, Castel Gandolfo do të presë Restarting the Economy, Rinisjen e Ekonomisë, takim global i frymëzur nga Ekonomia e Françeskut. Takim ndërkombëtar, për ta rimenduar ekonominë në dritën e Jubileut, duke u përqendruar në drejtësinë sociale, kujdesin për tokën dhe lehtësimin e borxheve.

R.SH. / Vatikan

Që nga fillimi i historisë sonë, aftësia krijuese dhe mençuria njerëzore na lejuan t’i kapërcejmë kufijtë dhe të krijojmë e të plazmojmë realitete të reja. Bota bashkëkohore dëshmon për këtë përmes përparimeve të sjella nga teknologjia dhe inxhinieria. Kapërcimi i kufijve është pjesë e asaj që jemi: bashkëkrijues me Zotin. Është pjesë e dëshirave tona më të thella - ne kërkojmë mundësi, dëshirojmë të shprehemi. Kapërcimi i kufijve na  ndihmoi gjithmonë të zbulojmë dhe të njohim realitete të reja; por në një botë të prekur nga çekuilibri ekologjik - në Tokë, në qeniet e gjalla dhe në jetën njerëzore - kufijtë kanë kuptim dhe forcë që duhet të rizbulohet në kohën tonë. Zakonisht të shoqëruar me diçka negative që duket se kufizon lirinë tonë, kufijtë nuk i zhdukin mundësitë - hapin të reja. Nga latinishtja limeslimitis - që të kujton një kufi, një diferencë, një vijë ndarëse - në botën romake tregonte një rrugë e cila shënonte një kufi, jo një mur: një rrugë përmes tokës, për të treguar se ku fillon e ku mbaron diçka.

Kufijtë sjellin me vete një ndjenjë të rëndësishme bolleku, mirëseardhjeje dhe pranimi. Përballë me një kufi, mund të sodisim atë që na tejkalon dhe, duke njohur ligështinë tonë, të kuptojmë sesa shumë është përtej nesh. Dhe pikërisht aty - duke pranuar realitetin ashtu siç është - mund të merren vendime, mund të lindë krijimtaria, mund të dalë diçka e re. Megjithatë, shoqëritë tona duket se janë fiksuar jo vetëm për kapërcimin e kufijve, por edhe për eliminimin e tyre. Asgjë nuk është kurrë e mjaftueshme: rritja, shpejtësia, konsumi material dhe dixhital, orët e punës e kështu me radhë. Sa më shumë dimë, aq më pak dimë - dhe vazhdojmë t’i refuzojmë kufijtë. Kemi krijuar iluzionin se shkenca dhe teknologjia mund të zgjidhin çdo përmasë të ekzistencës sonë - madje edhe vdekjen - dhe janë gurra  e jetës dhe e kuptimit. E kjo, paradoksalisht, e kufizon lirinë dhe zhvillimin tonë të gjithanshëm njerëzor.

Jubileu i këtij viti është si shteg i skicuar në tokë, për të treguar se ku fillon e ku mbaron diçka. Vijë, që shënon një kufi: hap, në kohë dhe hapësirë, një mundësi për çlirim, rifreskim dhe pushim. Një kufi, i cili na nxit t'i japim fund asaj, që nuk duhet të vazhdojë më: ​​pabarazisë, varfërisë, luftërave, shterrimit të burimeve, ritmit dixhital të trazuar, që nuk është i yni dhe akumulimit të pakufizuar, që dëmton dinjitetin njerëzor dhe Tokën. Është  ftesë për të rizbuluar vlerën e kufijve si rrugë drejt lirisë, duke njohur atë që është themelore e sfidë për të krijuar një "ekonomi të mjaftueshme" -  ekonomi që vendos të mirën e përbashkët në qendër, që lind shpresë dhe hap horizonte, në vend që t'i mbyllte. Një ekonomi, në të cilën ekzistojnë kufizime - dhe këto kufizime hartohen për të mbrojtur drejtësinë dhe të gjitha qeniet e gjalla. Nuk është vetëm ftesë për të parë rritjen ose burimet ndryshe, as nuk ka të bëjë thjesht me kufizimin e akumulimit, pushtetit a pabarazisë. Kufijtë nuk janë vetëm teknikë ose materialë: janë, para së gjithash, njerëzor dhe shpirtëror. Është thirrje për t’i rimenduar të gjitha marrëdhëniet tona. Në përpjekjen për ta rifilluar ekonominë në këtë vit të mbarë të Jubileut, ta shikosh atë nga perspektiva e kufijve do të thotë të pajtosh marrëdhënien tonë me Zotin dhe me Tokën.

Ne jemi krijesa të kufizuara - pafundësisht të dashura, por të kufizuara. Nuk e krijuam botën; ajo na u dha nga Zoti si dhuratë përmes së cilës mund të japim fryte dhe të krijojmë fryte. Nëse vazhdojmë ta shohim atë si një "ajo", një objekt për të qenë, ne do të vazhdojmë ta shfrytëzojmë pafundësisht, duke përfshirë njerëzit. Duhet ta rizbulojmë si shtëpi të gjallë, së cilës i përkasim. Nga kjo përvojë dhe nga pozicionimi i vetes në mënyrën e duhur, që i  njeh kufijtë tanë, bëhet e mundur të rrënjosim një qëndrim përgjegjësie dhe kujdesi. Nga kjo rrënjë, bëhet e mundur të kultivojmë marrëdhënie më të mira ndërmjet nesh dhe me veten tonë. Një ekonomi "e mjaftueshme" mund të hapë rrugën për një stil jetese më të thjeshtë, në të cilin ndajmë më shumë, duke ditur se as ne dhe as të tjerët nuk vlerësohen nga të mirat materiale, por kur e kuptojnë se kush jemi.

Nuk ka të bëjë të jetuarit më keq ose pa palumturi, por me të pushuarit në mirënjohje, duke u çliruar nga ideja se gjërat - dhe vetja jonë - nuk janë kurrë të mjaftueshme, dhe duke u bërë roje të njëri-tjetrit. Ka të bëjë me krijimin e kohës dhe të hapësirës për atë që ka vërtet rëndësi. Një përqafim, për shembull, është kufi, që na lejon të provojmë përvojën e dashurisë!

Jubileu kërkon atë, që nuk është e mundur gjithmonë dhe që ndonjëherë duket e pamundur - falje, çlirim... por çfarë do të ndodhte nëse do të bëhej e mundur më shpesh? Po sikur ekonomia jonë të mund të rifillonte vërtet dhe të bëhej jo vend lufte, dëshire të pangopur ose lodhjeje, por hapësirë​​me kufij që nxisin lulëzimin, pushimin, soditjen e bukurisë dhe marrëdhëniet?

Tani që ky vit i mbarë po i afrohet fundit, ftesa për të rizbuluar kufijtë tanë - tanët, ato të Tokës dhe ato të ekonomisë - nuk mbaron me mbylljen e Jubileut. Përkundrazi, bëhet më i fortë. Çfarë kufijsh i duhen jetës sonë sot?

24 nëntor 2025, 14:32