Selia e Shenjtë: drejtësia sociale është baza për një paqe të qëndrueshme
R.SH. / Vatikan
Sistemi multilateral po përballet me kohëra trazirash, por është thelbësore të punohet për një paqe universale dhe të qëndrueshme të bazuar në drejtësinë sociale. Kështu deklaroi Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare me seli në Gjenevë, kryeipeshkvi Ettore Balestrero, duke folur, dje, në Sesionin e 35-të të organit drejtues të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO).
Parimet etike në reformën e ILO-s
Sipas prelatit, "është thelbësore të ruhet integriteti dhe besueshmëria e sistemit më të gjerë multilateral, duke marrë parasysh se Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) është e vetmja organizatë trepalëshe me një mandat për të promovuar drejtësinë sociale dhe punën e denjë". Në këtë kuptim, imzot Balestrero thekson se reforma e ILO-s duhet të udhëhiqet nga "një përgjegjësi e përbashkët" për të siguruar që organizata të vazhdojë të jetë e rëndësishme në një botë në ndryshim. Duke cituar fjalët e Papa Leonit XIV, majin e kaluar para përfaqësuesve të Fondacionit Centesimus Annus Pro Pontifice, Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare me seli në Gjenevë, vëren se udhëheqja e "kritereve të shqyrtimit" dhe "parimeve etike" është thelbësore për të kuptuar se si të trajtohen problemet dhe zgjidhjet e mundshme. Ky proces reforme i funksionimit të ILO-s, përfundon imzoz Balestrero, ka si "qëllim përfundimtar" forcimin e institucionit "në dobi të punëtorëve, punëdhënësve dhe komuniteteve përmes programeve dhe udhëheqjes së organizatës".