Selia e Shenjtë OKB-së: ruajtja e paqes është një përgjegjësi e përbashkët
R.SH. / Vatikan
Operacionet paqeruajtëse duhet të jenë në gjendje të "mbrojnë civilët" dhe të jenë pjesë integrale e strategjive politike, humanitare dhe zhvillimore. Ruajtja e paqes është një përgjegjësi e përbashkët dhe garantuesit e ruajtjes së saj duhet të jenë në gjendje të mbështeten në "burimet e nevojshme për të përballuar sfidat që lindin". Kryeipeshkvi Gabriele Caccia, Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së në Nju Jork, ripohon pozicionin e Vatikanit me rastin, dje më 11 nëntor, të Komisionit të Katërt për operacionet paqeruajtëse.
Shqetësimi i Selisë së Shenjtë
Numri në rritje i sulmeve kundër paqeruajtësve të OKB-së "është shkak për një shqetësim të madh" dhe "çdo jetë e humbur është një kujtesë mizore e rreziqeve me të cilat përballen ata që shërbejnë në terren dhe e detyrimit të përbashkët për të garantuar sigurinë e tyre". Prandaj, Selia e Shenjtë u bën homazh të gjithë punonjësve të paqes, "në veçanti atyre që kanë humbur jetën duke shërbyer".
Përgjegjësia për ruajtjen e paqes
Operacionet paqeruajtëse, thekson Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, "vazhdojnë të mishërojnë angazhimin e komunitetit ndërkombëtar për të mbrojtur më të pambrojturit dhe për të mbështetur komunitetet që dalin nga një konflikt". Këto veprime shërbejnë për të na kujtuar se "kërkimi i paqes është një përgjegjësi e përbashkët" dhe se "ndikimi i saj pozitiv në stabilizimin e konteksteve të brishta, në mbrojtjen e civilëve dhe në lehtësimin e tranzicioneve politike, është i pamohueshëm dhe meriton mbështetje të ripërtërirë".
Rreziqet për jetën e paqeruajtësve dhe civilëve
Sukseset dhe dështimet kanë karakterizuar me kalimin e kohës veprimet e lidhura me ruajtjen e paqes. Pavarësisht përparimeve të bëra, "misionet e sotme operojnë në rrethana me kompleksitet të paprecedentë", kujtoi kryeipeshkvi imzot Caccia-s, për të cilin "përhapja e informacionit të gabuar dhe dezinformimit, kërcënimet rajonale dhe transnacionale dhe prania gjithnjë e më e përhapur e aktorëve jo-shtetërorë të armatosur janë duke i transformuar mjediset në të cilat operojnë paqeruajtësit", jeta e të cilëve, si ajo e civilëve, vihet në rrezik edhe "nga përdorimi në rritje i teknologjive emergjente" edhe në këtë rast "nga aktorë jo-shtetërorë".
Apeli i Papës
Në përfundim, kryeipeshkvi imzot Caccia kujtoi apelin e Leonit XIV drejtuar diplomacisë për të punuar që të "heshtin armët" dhe atë drejtuar kombeve për të ndërtuar "të ardhmen e tyre me vepra paqeje, jo me dhunë dhe konflikte të përgjakshme", një thirrje e fuqishme që, shpreson imzot Caccia, mund të frymëzojë njerëzimin të forcojë "angazhimin e tij për diplomacinë dhe bashkëpunimin multilateral, dhe të mbrojë çdo jetë njerëzore, në mënyrë që paqja të zërë rrënjë dhe të zgjasë".