Kërko

Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë

Notë Doktrinore: Maria është Nënë e besimtarëve, jo Bashkë-shëlbuese

Dokumenti i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë me titullin "Mater populi fidelis", miratuar nga Leoni XIV, sqaron çështjen e emërtimeve që duhen përdorur për Zojën Mari. Sipas Dikasterit të Vatikanit: “Maria nuk e zëvendëson Krishtin në veprën e shëlbimit”. Nota e Dikasterit sqaron se Maria është nënë dhe ndërmjetësuese, por jo bashkëshpërblyese as ndërmjetësuese e hirit të Zotit dhe kërkon një vëmendje e veçantë edhe për titullin "Ndërmjetësuese e të gjitha hireve"

R.SH. / Vatikan

R.SH. / Vatikan

"Mater populi fidelis" është titulli i Notës Doktrinore të publikuar sot, e martë 4 nëntor 2025, nga Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë. Nënshkruar nga prefekti, kardinali Víctor Manuel Fernández, dhe nga sekretari për seksionin doktrinor, monsinjor Armando Matteo, Nota është miratuar nga Papa më 7 tetor.

Është fryt i një pune kolegjiale të gjatë dhe të artikuluar. Bëhet fjalë për një dokument doktrinor mbi devocionin marian, i përqendruar në figurën e Marisë që është e lidhur me veprën e Krishtit si Nënë e besimtarëve. Nota doktrinore ofron një themel të rëndësishëm biblik për devocionin ndaj Marisë, si dhe mbledh kontribute të ndryshme të Etërve, të Doktorëve të Kishës, të elementeve të traditës lindore dhe të mendimit të Papëve të fundit. Kështu, Dikasteri i Vatikanit për Doktrinën e Fesë ka arritur në përfundimin se Virgjëra Mari nuk mund të konsiderohet "bashkëshpëtimtare" dhe nuk mund të ndajë me Jezusin fuqinë për të shëlbuar njerëzimin nga mëkati, prandaj nuk do të shpallet një dogmë e re, gjë që i jep fund një mosmarrëveshjeje të gjatë midis teologëve dhe paralajmëron kundër zhvillimeve të gabuara në adhurimin e Marisë. 

LEXONI TEKSTIN E NJOFTIMIT TË NOTËS DOKTRINORE TË DIKASTERIT PËR DOKTRINËN E FESË

E hënë, 3 nëntor 2025 

DIKASTERI PËR DOKTRINËN E FESË

Mater Populi fidelis

Notë Doktrinore mbi disa tituj marianë

duke iu referuar Bashkëpunimit të Marisë

në Veprën e Shpëtimit

 

Paraqitje

Kjo Notë u përgjigjet pyetjeve dhe propozimeve të shumta që mbërritën në Selinë e Shenjtë në dekadat e fundit – veçanërisht pranë këtij Dikasteri - në lidhje me përkushtimin marian, veçanërisht disa tituj. Janë çështje që shkaktuan shqetësime ndërmjet Papëve të fundit, dhe që u trajtuan vazhdimisht gjatë tridhjetë viteve në fushat e ndryshme të studimit të Dikasterit, siç janë Kongreset, Sesionet e Zakonshme, etj.etj. Kjo i krijoi këtij Dikasteri mundësinë të ketë një mori materialesh, që formojnë bazën e këtij reflektimi.

Ky tekst, ndërsa sqaron natyrën e pranueshme ose të papranueshme të disa titujve dhe shprehjeve që i referohen Marisë, kërkon edhe të thellojë themelet e sakta të devocionit Marian, duke sqaruar vendin e Marisë në marrëdhënien e saj me besimtarët, në dritën e misterit të Krishtit si i vetmi Ndërmjetës dhe Shëlbues. Kjo nënkupton besnikërinë e thellë ndaj identitetit katolik dhe, në të njëjtën kohë, një përpjekje të veçantë ekumenike.

Tema themelore që përshkojnë faqet e Notës Doktrinore është amësia e Marisë ndaj besimtarëve, temë që përsëritet shpesh dhe pohime që përsëriten vazhdimisht, pasurohen dhe plotësohen, si në një spirale, me konsiderata të reja.

Devocioni marian, i frymëzuar nga amësia e Marisë, paraqitet këtu si thesar i Kishës. Nuk bëhet fjalë për korrigjimin e devotshmërisë së popullit besnik të Zotit, i cili rizbulon në Marinë strehë, forcë, butësi dhe shpresë, por mbi të gjitha, për vlerësimin e saj, njohjen e bukurisë së saj dhe të mirësisë së saj, pasi është një shprehje mistagogjike dhe simbolike e atij qëndrimi ungjillor të besimit në Zotin, që vetë Shpirti Shenjt frymëzon lirisht tek besimtarët. Në të vërtetë, të varfrit "takojnë butësinë dhe dashurinë e Zotit në fytyrën e Marisë. Tek ajo shohin reflektimin e mesazhit esencial të Ungjillit".[1]

Në të njëjtën kohë, ekzistojnë disa grupe reflektimi mbi Marinë, botime, forma të reja të përkushtimit dhe thirrje për dogma mariane që nuk paraqesin të njëjtat karakteristika si përkushtimi popullor, por që, në fund të fundit, propozojnë një zhvillim specifik dogmatik dhe shprehen intensivisht përmes platformave mediatike, duke ngjallur shpesh dyshime tek besimtarët më të thjeshtë. Ndonjëherë ato janë riinterpretime të shprehjeve të përdorura në të kaluarën, me kuptime të ndryshme. Prandaj, ky dokument i shqyrton këto propozime, për të treguar se si disa prej tyre korrespondojnë me një përkushtim të vërtetë marian të frymëzuar nga Ungjilli, ose, si të tjerat, duhet të shmangen sepse nuk favorizojnë një kuptim të mjaftueshëm të harmonisë së mesazhit të krishterë në tërësinë e tij.

Nga ana tjetër, disa pasazhe në këtë Notë ofrojnë një studim të gjerë biblik, që ndihmon për të treguar se si përkushtimi i mirëfilltë marian nuk duket vetëm në Traditën e Kishës, por edhe në Shkrimin Shenjt. Kjo referencë e rëndësishme biblike shoqërohet këtu me tekste nga Etërit, Doktorët e Kishës dhe Papët e kohëve të fundit. Kështu, në vend që të vendosë kufizime, Nota synon të shoqërojë dhe të mbështesë dashurinë për Marinë dhe besimin në ndërmjetësimin e saj amëtar.

Víctor Manuel, Kardinal Fernández

                 Prefekt

[1] Këshilli Episkopal i Amerikës Latine, Konferenca e Pestë e Përgjithshme e Episkopatës së Amerikës Latine dhe Karaibeve (Aparecida, 13-31 maj 2007), nr. 265. Cituar në nr. 78 të Shënimit.

04 nëntor 2025, 11:32