Zë paqeje dhe shprese në Lindjen e Mesme, udhëtimi i Leonit XIV në Turqi dhe Liban
R.SH. - Vatikan
Dialogu dhe uniteti mes të krishterëve të të gjitha besimeve, afërsia me komunitetet të bashkuara nga shekuj historie, të goditura nga tragjedi e tensione të lashta dhe të kohëve fundit, pastaj paqja, temë që është «në zemër të Papës», që nga paraqitja e tij e parë përpara botë dhe gjatë gjithë këtyre shtatë muajve të papnisë. Drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, ilustron detajet dhe, njëkohësisht, ofron çelësat e leximit të udhëtimit apostolik të Papa Leonit XIV në Turqi dhe Liban. Udhëtimi i parë apostolik i Papës amerikan, me një konotacion të fortë ekumenik me ngjarjen thelbësore që është ceremonia e Iznikut (emri i sotëm i Nikesë së lashtë) me rastin e 1700-vjetorin e Koncilit kishtar me të njëjtin emër, dhe me referenca domethënëse ndaj aktualitetit, me praninë e Pasardhësit të Pjetrit në fuçinë e barutit të Lindjes së Mesme.
Një udhëtim sfidues në dy vende të rëndësishme
"Një udhëtim sfidues në dy vende të rëndësishme", tha Drejtori i Sallës së Shtypit të VatikanitBruni në konferencën e sotme, më 25 nëntor, për gazetarët që do të shoqërojnë Leonin XIV në udhëtim. Vende me tradita shumë të lashta: Turqia, vendlindja e Shën Palit Apostull, vendi i tetë Koncileve të para kishtare, urë midis botëve dhe kontinenteve të ndryshme; Libani, djepi i fenikasve, vend i bashkëjetesës së përfaqësuesve të feve të ndryshme dhe i mikpritjes së popujve në arrati nga luftërat dhe terrorizmi. Në të njëjtën kohë, një tokë e shpërfytyruar nga varfëria, kriza të ndryshme, nga shpërthimi i portit, nga sulmet e Izraelit në jug. I fundit më 23 nëntor. Për këtë arsye, disa pyetje të gazetarëve u përqendruan te shqetësimet për sigurinë: "Janë marrë të gjitha masat paraprake të konsideruara të nevojshme", tha Bruni.
Në gjurmët e paraardhësve
Leoni do të zhytet në këto realitete për rreth një javë. Do të takojë fytyra, grupe, histori; do të dialogojë privatisht me presidentët Recep Tayyip Erdoğan dhe Joseph Aoun; do të përshëndesë autoritetet civile, fetare, ndërfetare; do të vizitojë Xhami dhe Kisha të ndërtuara shekuj më parë ose në vitet '90; do të shkojë në Diyanetin turk; do të lutet në Portin e Bejrutit duke përkujtuar mbi 200 personat e vdekur në shpërthimin e vitit 2020. Dhe mbi të gjitha, me këtë udhëtim, do të ndjekë gjurmët e paraardhësve: Gjonit XXIII i cili, para zgjedhjes në Selinë e shën Pjetrit, në Turqi ishte delegat apostolik; Palit VI i cili vizitoi Turqinë në 1976 dhe Libanin në kalim drejt Indisë në 1974; akoma, Gjonit Pali II i cili shkoi në Turqi për të rigjallëruar angazhimin «drejt unitetit të të gjithë të krishterëve» dhe në Liban në 1997 (udhëtimi në të cilin krijoi përkufizimin historik të «Vendit mesazh»), duke botuar nxitjen apostolike Një shpresë e re për Libanin. E akoma, Papa Benediktit XVI i cili shkoi në të dy vendet, njëri pothuajse në fillim të papnisë së tij dhe tjetri pesë muaj para dorëheqjes. Më së fundi Papa Françesku i cili shkoi në Turqi në 2014 dhe që donte të kthehej në maj 2025 për 1700-vjetorin e Koncilit të Nikesë, por që nuk arriti të vizitonte Libanin, i cili mbeti dëshira e tij e hapur deri në fund të ditëve të tij. Dhe nga paraardhësi Françesku, Papa Leoni ka trashëguar këtë "shtegtim" të parë në zemër të Lindjes së Mesme: «Papa Prevost ka trashëguar këto premtime, i ka bërë të tijat», siç dëshmon letra apostolike In unitate fidei, theksoi Matteo Bruni. «Dy vende të ngarkuara me histori, të vizituara nga katër Papë dhe tani shtohet një i pestë».
Ekumenizmi dhe afërsia me të rinjtë
«Ky udhëtim ka para së gjithash një dimension ekumenik», tha zëdhënësi i Vatikanit Bruni; pastaj është «afërsia» me të krishterët e të gjitha besimeve që «njihen» në Koncilin Kishtar të Nikesë: «Një histori komplekse dhe e lashtë, e përbërë nga përçarje dhe grindje, nga ribashkime dhe tragjedi të lidhura me ngjarje historike». Afërsi edhe me «komunitetet e vogla» të katolikëve, disa prej të cilave «jetojnë kohë të vështira mes emigrimeve dhe tensioneve». Dhe, në këtë kuptim, do të ketë një vëmendje të madhe ndaj udhëtimit edhe nga libanezët në diasporë. Shumë ndërhyrje a fjalime do t'i drejtohen Papës. Fjalë shprese në këtë Vit Jubilar; «shumë pyetje për të ardhmen» nga të rinjtë «në një kohë dështimi në botën e të rriturve». Dhe me të rinjtë e Libanit, të shtypur nga probleme të ndryshme, por me një aftësi të madhe rezistence, Papa do të përjetojë një nga momentet më domethënëse me takimin që do të mbahet në Sheshin para Patriarkanës së Antiokisë së Maronitëve në Bkerké.
Ngjarja në Nikesë
Ndër takimet e rëndësishme, theksoi akoma Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit MatteoBruni, duke ilustruar programin, është kremtimi ekumenik në Nikea me Papa Leonin dhe Patriarkun e Kostandinopojës Bartolomeun, në procesion, buzë liqenit drejt mbetjeve të Bazilikës së Shën Neofitit, të shkatërruar nga një tërmet. Pastaj këngët dhe lutja me patriarkë dhe përfaqësues të Kishave të krishtera në gjysmërreth para ikonave të Krishtit e të Koncilit të Nikesë dhe ndezja e një qiri.
Dialogu me fetë e tjera
Përveç ekumenizmit, komponenti i dialogut ndërfetar do të jetë gjithashtu mbizotërues në shtegtimin ndërkombëtar të Leonit XIV. Më 27 nëntor, Papa do të vizitojë Diyanet-in, Kryesinë për Çështje Fetare, një takim që u shtua më vonë në programin fillestar, si dhe takimi me kryerabinin e Turqisë dhe ai privat, në Nunciaturën e Bejrutit, me krerët e komuniteteve myslimane dhe druze. Shumë janë edhe imazhet që do të mbeten të gdhendura nga këto gjashtë ditë udhëtimi: Papa që vendos një kurorë nën kolonën kushtuar Paktit Kombëtar në Mauzoleumin e Ataturkut, "në meditim" nën harqet dhe pllakat e "Xhamisë Blu", do të jenë mes 4 mijë besimtarëve për Meshën në Volkswagen Arena të Stambollit. Ose Papa që mbjell një kedër në kopshtin e Pallatit Presidencial të Bejrutit, që lutet në varrin prej tufa dhe guri të murgut shërues Shën Sharbel ose në këmbët e statujës prej bronzi të smaltuar me të bardhë dhe ar të Zojës sonë të Libanit që duket se vigjilon mbi të gjithë Lindjen e Mesme.
Konferencë shtypi me gazetarët
Papa do të bëjë disa xhiro me makinë të hapur në të dy vendet. "Në varësi të situatës do të zgjidhet makina më e përshtatshme", tha Bruni. Në shoqërimin papnor përveç delegacionit të zakonshëm, shtohen kardinajtë Kurt Koch, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Nxitjen e Bashkimti të të Krishterëve; George Koovakad, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Dialogun Ndërfetar; Claudio Gugerotti, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Kishat Lindore. Papa do të flasë gjatë gjithë kohës në anglisht në Turqi dhe në anglisht në Liban në takimet institucionale dhe në frëngjisht për kremtimet liturgjike. Parashikohet aktualisht edhe momenti i takimit me gazetarët e pranishëm në fluturimin papnor për konferencën e zakonshme të shtypit në fund të udhëtimit.