Alessandro Gisotti, president i ri i Radio News Group të EBU-së
R.SH. / Vatikan
Nën-drejtori editorial i mediave të Vatikanit, Alessandro Gisotti, është zgjedhur president i Grupit të Lajmeve Radiofonike dhe Audio (RANG) të Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU), ku ai përfaqëson Radio Vatikanin. Gisotti pason gazetares gjermane Stephanie Pieper të Rundfunk Berlin-Brandenburg. Ai filloi të punojë në Radio Vatikan në vitin 2000 dhe është pjesë e RANG që nga viti 2021.
Grupi i Lajmeve Radiofonike dhe Audio bashkon vlerat dhe përvojat më të mira mbi temat editoriale dhe etike në sektorin radiofonik dhe audio në nivel evropian. Ai bashkëndan ekspertizën e drejtorëve, gazetarëve dhe producentëve në dobi të të gjithë anëtarëve të EBU-së. Ai mblidhet disa herë gjatë vitit për të diskutuar temat kryesore aktuale, me një vëmendje të veçantë ndaj ndikimit të teknologjive të reja në informacionin evropian. Radio Vatikani është anëtar themelues i EBU-së, e cila këtë vit feston 75-vjetorin e themelimit të saj dhe bashkon 113 entitete radiotelevizive publike nga 56 vende.
"Jam shumë i nderuar - tha Gisotti - që jam presidenti i ri i Grupit të Lajmeve Radiofonike dhe Audio të EBU-së, ku prej disa vitesh kam mundësinë të shkëmbej ide dhe përvoja me kolegë nga radiot publike më të rëndësishme evropiane. Jam i bindur se radioja mbetet thelbësore në epokën e inteligjencës artificiale sepse ofron informacion të besueshëm dhe një lidhje me komunitetin që algoritmet nuk mund ta zëvendësojnë. Një vlerë e rëndësishme sot, në një kohë kur po dëshmojmë përhapjen e lajmeve të rreme dhe dezinformimit, veçanërisht në platformat online".