Kërko

Atë Pasolini: të nisemi për udhë, për të njohur Zotin, Kisha e favorizon takimin

"Universaliteti i shpëtimit. Shpresë pa kushte": kjo është tema e meditimit të tretë të Kohës së Ardhjes e këtij mëngjesi, 19 dhjetor, në Sallën Pali VI, në prani të Papës. Predikatari i Shtëpisë Papnore u ndalua kryesisht tek sjellja e Tre Mbretërve, të cilët vendosen me guxim të niseshin drejt së panjohurës. Duhet t’i rishikojmë "zakonet tona misionare" dhe "ta ndihmojmë tjetrin të njohë dritën që tashmë banon brenda tyre", e "ta ruajmë Krishtin për t'ua ofruar të gjithëve", "dritën e vërtetë

R.SH. / Vatikan

Ta njohim ardhjen e Jezu Krishtit "si dritë që duhet mirëpritur, duhet përhapur dhe ofruar botës": kjo është "sfida" që Krishtlindja dhe Jubileu na ftojnë të ndërmarrim. Predikatari i Shtëpisë Papnore, Atë Roberto Pasolini, e theksoi këtë që në fillim të meditimit të tij të tretë të Kohës së Ardhjes me temë "Universaliteti i shëlbimit”, mbajtur sot paradite, 19 dhjetor, në Sallën Pali VI, përball Leonit XIV dhe anëtarëve të Kuries Romake.

Drita, që flak tutje maskat

Frati i Vogël Kapuçin propozoi një reflektim kushtuar manifestimit universal të shëlbimit, kushtuar Krishtit, "dritës së vërtetë", që është "i aftë të ndriçojë, të sqarojë dhe të orientojë gjithë kompleksitetin e përvojës njerëzore",  e që "nuk i fshin pyetjet, dëshirat dhe kërkimet e njeriut, por i lidh ato, i pastron dhe i çon drejt një kuptimi më të plotë". Një dritë, që bota nuk e përqafoi më shumë, sepse "njerëzit deshën errësirën". Problemi, shpjegoi Atë Pasolin, është "gatishmëria jonë" për të mirëpritur dritën "e nevojshme dhe të bukur, por edhe kërkuese: zbulon trillimet, nxjerr në pah kontradiktat, na detyron të njohim atë që do të preferonim të mos e shihnim", dhe për këtë arsye "e shmangim". Megjithatë, vuri në dukje Atë Pasolini, "Jezusi nuk i krahason ata që bëjnë keq - me ata që bëjnë mirë, por ata që bëjnë keq - me ata që e jetojnë të vërtetën". E kjo do të thotë se "për të mirëpritur dritën e Mishërimit të Zotit" nuk është e nevojshme "të jesh tashmë i mirë a i përsosur, por të fillosh të krijosh të vërtetën në jetën tënde", domethënë, "të ndalosh së fshehuri dhe të pranosh të dukesh ai që je", sepse "Zotit i intereson më shumë e vërteta jonë, sesa  mirësia për sy e faqe".

Kisha, bashkësi që jeton dritën e Krishtit

Për Kishën, kjo ka kuptimin "të vihesh në rrugën e së vërtetës më të madhe", që do të thotë të mos "shprehësh pastërti morale ose të pretendosh qëndrueshmëri të patëmetë", por "të paraqitesh me sinqeritet dhe të pranosh rezistencën dhe brishtësinë". Sepse bota nuk pret "një institucion pa çarje, as një diskurs tjetër që tregon se çfarë duhet bërë" - vijoi Atë Pasolini - por "duhet të hasë një bashkësi që, pavarësisht papërsosmërive dhe kontradiktave, jeton vërtet në dritën e Krishtit dhe nuk ka frikë ta tregojë veten për atë që është". Dijetarët e Lindjes a magjistarët, për shembull, treguan veçanërisht se janë duke “ecur në rrugën e Zotit”, shpjegoi predikatari ishtëpisë papnore. Ata u nisën nga larg, duke demonstruar “se për të mirëpritur dritën e Krishtlindjes, është e nevojshme një distancë e caktuar”, “për t’i parë gjërat më mirë: me një vështrim më të lirë, më të thellë, më të aftë për surprizë”. Në vend të kësaj, zakoni i “shikimit të realitetit shumë nga afër” na bën “robër të gjykimeve të parashikueshme dhe interpretimeve tepër të ngushta”, “të konsoliduara”, gjë që u ndodh edhe “atyre të cilët jetojnë gjithnjë në qendër të jetës kishtare dhe kanë mbi vete përgjegjësitë e saj”, vërejti predikatari i Shtëpisë Papnore  Atë Roberto Pasolini, sepse “njohja e përditshme me rolet, strukturat, vendimet dhe emergjencat mundet, me kalimin e kohës, ta ngushtojë shikimin e dikujt”, dhe kështu ekziston rreziku i mosnjohjes së “shenjave të reja, përmes të cilave Zoti e bën veten të pranishëm në jetën e botës”.

Rrugët e papritura të Zotit

Nëse në Ditën e Krishtlindjes kremtohet "drita që hyri në botë", në Epifani del në pah se "kjo dritë nuk imponohet, por lejon të njihet", "ajo manifestohet brenda një historie ende të ndjekur nga errësira dhe kërkimi" e është "prani e cila u ofrohet atyre që janë të gatshëm të lëvizin". "Jo të gjithë e shohin në të njëjtën mënyrë" dhe "e njohin në të njëjtën kohë", sepse "drita e Krishtit lejon veten të takohet nga ata që janë të gatshëm të dalin nga vetja, të nisen, të kërkojnë", theksoi Frati kapuçin Atë Pasolini, duke shtuar se kjo është e vërtetë edhe "për udhëtimin e Kishës", pasi "jo çdo gjë që është e vërtetë duket menjëherë e qartë, as çdo gjë që është Ungjilli, nuk është menjëherë efektive". E ndonjëherë "e vërteta kërkon të ndiqet edhe para se të kuptohet plotësisht".

Atë Pasolini përmendi, në këtë drejtim, përvojën e Dijetarëve të Lindjes, të cilët nuk përparuan "të mbështetur nga siguri të konsoliduara, por nga një yll i brishtë, i mjaftueshëm, megjithatë, për t'u vënë në udhën e tyre". Dijetarët që erdhën në Betlehem nga Lindja, në praktikë, mësojnë se "për të takuar fytyrën e Zotit të bërë njeri, është e nevojshme të nisesh për udhëtim", e se kjo, theksoi predikatari i shtëpisë papnore, "vlen për çdo besimtar" e, veçanërisht, për ata që kanë përgjegjësi për të mbrojtur, për të udhëhequr e për të dalluar.” “Pa dëshirë që të mbeten gjallë, edhe format më të larta të shërbimit rrezikojnë të bëhen përsëritëse, vetë-referuese, të paafta për surprizë”. Ylli që udhëhoqi Dijetarët, për Atë Pasolinin, është gjithashtu “shenja e thirrjeve të matura, me të cilat Zoti vazhdon të bëhet i pranishëm në histori”, e kështu, ata njerëz të mençur që “nuk i njohin Shkrimet Shenjte të Izraelit”, por lexojnë qiejt, kujtojnë “se Zoti flet edhe përmes mënyrave të papritura, përvojave periferike, pyetjeve që lindin nga kontakti me realitetin dhe presin të dëgjohen”.

Palëvizshmëria

Një tjetër aspekt i rëndësishëm që del nga historia e Magjistarëve, është sjellja e kërkimit: moskujdesia, “mosveprimi”, mund të çojnë në “vendosjen në një pozicion që duket qetësues, i bërë nga siguria dhe zakonet e konsoliduara, por që me kalimin e kohës rrezikon të bëhet formë e palëvizshmërisë së brendshme”, e cila “ngadalë na izolon, shpesh pa e kuptuar ne”. Kjo i ndodh Herodit, “ai tregohet i vëmendshëm: vë në dyshim, llogarit, planifikon, por nuk niset për në Betlehem. Nuk e pranon "rrezikun dhe të papriturën e asaj që mund të ndodhë" dhe ia ngarkon Magjistarëve detyrën e shkuarjes, duke e ruajtur të drejtën të informohej për zhvillimet. "Është qëndrimi i atij që dëshiron të dijë gjithçka, por pa u dukur, duke u mbrojtur nga pasojat e përfshirjes së vërtetë", vijoi Atë Pasolini, duke paralajmëruar një "bollëk njohurish", të cilave u mungon "përfshirja e vërtetë". Ne dimë shumë gjëra, por mbetemi të largët. Ne e vëzhgojmë realitetin, pa lejuar veten të prekemi, të mbrojtur nga një pozicion që na mbron nga e papritura. Kështu, në Kishë, dikush mund ta "njohë mirë doktrinën, ta ruajë traditën, ta kremtojë liturgjinë me kujdes, e megjithatë të mbetet i palëkundur". "Ashtu si skribët e Jeruzalemit, edhe ne mund ta dimë se ku vazhdon Zoti të jetë i pranishëm - në periferi, ndërmjet të varfërve, në plagët e historisë - pa gjetur forcën ose guximin për të lëvizur në atë drejtim", paralajmëroi predikatari i Familjes Papnore.

Guximi për t'u ngritur

Shkurt, për t'u takuar me Zotin, "hapi i parë është gjithmonë të ngrihesh: të lësh strehën tënde të brendshme, siguritë tua, vizionin tënd të konsoliduar të gjërave", këmbënguli Atë Pasolini, duke saktësuar se "të qëndrosh në këmbë kërkon guxim". Do të thotë të braktisim stilin e jetesës sedentare që na mbron, por na imobilizon, të pranojmë lodhjen e udhëtimit, të ekspozohemi ndaj pasigurisë së asaj që ende nuk është e qartë. Ashtu si Dijetarët që lanë atdheun e tyre dhe kaluan "distanca pa garanci, të udhëhequr vetëm nga një shenjë e zbehtë dhe e matur", duke mos ditur se çka do të gjenin, por duke u mbështetur në dritën, që i parapriu. Kjo do të thotë të shpresojmë.

Atë Pasolini vuri re gjithashtu poshtërimin e përulur të Magjistarëve. Me të mbërritur në Betlehem, ata adhuruan Fëmijën, u nisën për një udhëtim, kërkuan dhe u hapën ndaj misterit: "Të ngrihemi dhe pastaj të gjunjëzohemi: kjo është lëvizja e fesë. Ne ngrihemi për të dalë nga vetja, jo për ta vendosur veten në qendër. E pastaj përulemi, mbasi e kuptojmë se ajo që hasim është përtej kontrollit tonë". Për predikatarin e Shtëpisë Papnore, "kjo vlen për marrëdhënien tonë me Zotin, për marrëdhëniet e përditshme" - kur "tjetri na habitë, na zhgënjen, ose na ndryshon" - dhe ne duhet të ndalojmë së imponuari pikëpamjen tonë e "të mësojmë të dëgjojmë vërtet". Atëhere, duke zgjeruar perspektivën, edhe për Kishën, e cila "është e thirrur të lëvizë, të dalë, t'u shtrijë dorën njerëzve dhe situatave që janë larg saj", e "gjithashtu të dijë si të ndalet, të ulë shikimin, të pranojë se jo gjithçka i përket asaj dhe as se nuk mund të kontrollohet". Atëherë "dhurata e shpëtimit mund të bëhet universale" nëse "Kisha është e gatshme të lërë pas siguritë e veta" dhe të shikojë "me respekt jetën e të tjerëve, duke pranuar se edhe atje, shpesh në mënyra të papritura, mund të dalë diçka nga drita e Krishtit ".

Drita e vërtetë e Krishtlindjes

Një aspekt i fundit mbi të cilin predikatari i Shtëpisë Papnore Atë Pasolini na fton të reflektojmë është: "Nëse Zoti ka zgjedhur të banojë në korpin tonë, atëherë çdo jetë njerëzore mbart brenda saj një dritë, një thirrje, një vlerë që nuk mund të fshihet". Kjo duhet të na çojë në përfundimin se "ne nuk erdhëm në botë thjesht për të mbijetuar ose për të lundruar në kohë sa më mirë që të mundemi", por "për të hyrë në një jetë më të madhe: atë të bijve të Zotit". Kështu, detyra e Kishës është "t'i ofrojë botës dritën e Krishtit. Jo si diçka për të imponuar ose për të mbrojtur, por si prani për të ofruar", duke i lejuar të gjithëve të afrohen. Prandaj, "nga kjo perspektivë, misioni nuk lidhet me detyrimin e takimit, por me mundësinë për ta realizuar", përfundon Atë Pasolini.

"Një Kishë që u ofron praninë e Krishtit të gjithëve nuk e përvetëson dritën e Tij, por e pasqyron atë. Nuk e vendos veten në qendër për të dominuar, por për të tërhequr", prandaj "bëhet hapësirë ​​takimi, ku çdo njeri mund ta njohë Krishtin dhe, para Tij, të rizbulojë kuptimin e jetës". Prandaj, perspektiva mbi "zakonet misionare" duhet të ndryshojë: shpesh mendohet "se ungjillëzim do të thotë të sjellësh diçka që mungon, të mbushësh një boshllëk, të korrigjosh një gabim", por "Epifania tregon një rrugë tjetër", atë të "ndihmës së të tjerëve, për të njohur dritën - që tashmë banon brenda tyre; dinjitetin - që tashmë e kanë; dhuratat - që tashmë i morën". Prandaj, katolicitetin e Kishës e vërejmë në "mbrojtjen e Krishtit, për tua ofruar të gjithëve, me besimin se bukuria, mirësia dhe e vërteta janë tashmë të pranishme në çdo njeri,  thirrur për të përmbushur dhe për të gjetur kuptimin e tyre më të plotë në të".

Në përfundim, pra, për predikatarin e Shtëpisë Papnore, "drita e vërtetë e Krishtlindjes 'ndriçon çdo njeri' pikërisht sepse është e aftë t'i zbulojë secilit të vërtetën e tij, thirrjen e tij, ngjashmërinë e tij me Zotin".

19 dhjetor 2025, 13:37