"Zoti është realiteti i vërtetë", në një libër homelitë e papublikuara të Benediktit XVI
R.SH. / Vatikan
"Ishte rasti për të thelluar figurën, ende pak të vlerësuar, të Papa Benediktit XVI si predikues i madh dhe shpallës i Fjalës së Zotit". Kështu e filloi fjalën e tij presidenti i Fondacionit Joseph Ratzinger-Benedikti XVI, Atë Federico Lombardi, gjatë prezantimit të librit të pabotuar të Papa Ratzingerit me titullin "Zoti është realiteti i vërtetë", i cili u zhvillua të premtën më 12 dhjetor në Romë, në Sallën San Pio X.
Njëqind e tridhjetë e tetë homeli të Papës Benediktit XVI, të botuara janë mbledhur e botuar nga shtëpia botuese e Vatikanit (Libraria Editrice Vaticana), sipas rendit kronologjik nga viti 2005 deri në 2017. Homelitë e Benediktit XVI janë studiuar, indeksuar dhe pajisur me referenca ndaj citimeve biblike dhe patristike. "Shpirti i tij jo vetëm si teolog, por, mbi të gjitha, si shërbëtor i Fjalës së Zotit, të cilën e vendosi gjithmonë në vend të parë, na shoqëron ende", vazhdoi Atë Lombardi. "Një shërbëtor i përulur – saktësoi jezuiti – që nuk kërkoi kurrë protagonizëm, por që përpara Fjalës zhdukej për të mundur t'ia dhuronte Atë njerëzimit në gjithë thellësinë dhe begatinë e saj."