Kërko

Bazilika e Shën Pjetrit Bazilika e Shën Pjetrit

Komisioni Petrocchi: jo diakonatit të grave në Kishë, gjykimi nuk është përfundimtar

Publikohet raporti i kardinalit Petrocchi me rezultatet e punimeve: përjashtohet mundësia për të vazhduar në drejtim të pranimit të grave në diakonatin e kuptuar si hap i sakramentit të urdhrit, megjithëse, në këtë moment, nuk është e mundur "të formulohet një vendim përfundimtar, si në rastin e urdhrit meshtarak". Po, krijimit të ministereve a shërbesave të reja për të nxitur sinergjinë midis burrave dhe grave në Kishë

R.SH. / Vatikan

"Status questionis rreth çështjes së kërkimit historik dhe hetimit teologjik, konsideruar në implikimet e tyre të ndërsjella, përjashton mundësinë e pranimit të grave në diakonat, kuptuar si hap i sakramentit të Urdhrave të Shenjtë. Në dritën e Shkrimit të Shenjtë, Traditës dhe Magjisterit të Kishës, ky vlerësim është i qënësishëm, megjithëse, aktualisht, nuk lejon formulimin e një gjykimi përfundimtar, si në rastin e shugurimit meshtarak". Ky është përfundimi në të cilin ka arritur Komisioni i dytë i kryesuar nga kardinali Giuseppe Petrocchi, kryeipeshkëv i L'Aquila-s, Itali, i cili, me urdhër të Papës Françesku, shqyrtoi mundësinë e shugurimit të grave diakone dhe përfundoi punën e tij shkurtin e kaluar. Rezultatet e punës së komisionit, thuhet në raportin prej shtatë faqesh, kardinali Petrocchi ia dërgoi Leonit XIV më 18 shtator e tani, u bënë publike me kërkesën e Papës.

Në sesionin e parë të punimeve (2021), Komisioni pati vënë në dukje se "Kisha e ka njohur titullin e diakonit/diakoneshës për gratë në kohë të ndryshme, në vende të ndryshme dhe në forma të ndryshme, por i ka atribuar atij një kuptim jo-univok". Në vitin 2021, debati teologjik çoi unanimisht në pohimin se "studimi sistematik i diakonatit, brenda kuadrit të teologjisë së sakramentit të urdhrit, ngre pyetje në lidhje me përputhshmërinë e shugurimit diakonal të grave me doktrinën katolike të shërbesës së shuguruar". Po unanimisht, Komisioni u shpreh në favor të krijimit të shërbesave të reja, që "mund të kontribuojnë në sinergjinë midis burrave dhe grave".

Në sesionin e tij të dytë (korrik 2022), Komisioni miratoi (me 7 vota pro dhe një kundër) formulimin e paraqitur në fillim të këtij artikulli, i cili përjashton mundësinë e pranimit të grave në diakonat si hap i sakramentit të Urdhrave të Shenjtë, ku përfshihen edhe meshtaria e shërbimi ipeshkvnor, por, tani për tani, pa formuluar "një gjykim përfundimtar".

Së fundi, në sesionin e tretë (shkurt 2025), pasi Sinodi pati lejuar këdo të paraqiste kontributin e tij, Komisioni shqyrtoi gjithë materialin, që i mbërriti. "Edhe pse arritën kontribute të shumta, vetëm njëzet e dy individë, ose grupe paraqitën teza të mirëfillta, që përfaqësonin vetëm pak vende. Si pasojë, megjithëse materiali është i bollshëm dhe në disa raste i argumentuar me mjeshtëri, ai nuk mund të konsiderohet si zëri i Sinodit e, aq më pak si zëri i Popullit të Zotit në tërësinë e vet".

Në raport përmblidhen argumentet pro e kundër. Ata, që janë pro, pohojnë se tradita katolike dhe ortodokse, e cila ua rezervon urdhrin diakonal (por edhe atë meshtarak e ipeshkvnor) vetëm burrave, duket se kundërshton "gjendjen e barabartë të mashkullit dhe femrës si shëmbëllime të Hyjit", "dinjitetin e barabartë të të dy gjinive, bazuar në këtë të dhënë biblike"; deklaratën e fesë, sipas së cilës: "nuk ka as hebre as grek, skllav as të lirë, mashkull as femër, sepse ju të gjithë jeni një në Krishtin Jezus" (Galatasve 3,28); zhvillimin shoqëror, "që parashikon një qasje të barabartë, për të dyja gjinitë, në të gjitha funksionet institucionale dhe operative".

Pala e kundërt paraqet këtë tezë: "Mashkullorësia e Krishtit dhe, për këtë arsye, edhe ajo e atyre, që marrin Urdhrin Shenjt, nuk është e rastësishme, por është pjesë integrale e identitetit sakramentor, që ruan rendin hyjnor të shpëtimit në Krishtin. Ndryshimi i këtij realiteti nuk do të ishte një përshtatje e thjeshtë e shërbesës, por prishje e kuptimit martesor të shëlbimit". Ky paragraf u propozua për votim dhe mori 5 vota pro për ta konfirmuar këtë formulim, ndërsa 5 anëtarët e tjerë votuan për ta hequr krejtësisht. Me 9 vota pro dhe një kundër, u shpreh urimi që të zgjerohet "pjesëmarrja e grave në shërbesat e krijuara (që janë lektorati, akolitati dhe katekisti) në shërbim të bashkësisë... duke siguruar kështu edhe njohjen e duhur kishtare për diakoninë e të pagëzuarve, veçanërisht të grave. Kjo njohje do të rezultojë si shenjë profetike, sidomos aty ku gratë ende vuajnë nga diskriminimi gjinor".

Në përfundimet e tij, kardinali Petrocchi thekson ekzistencën e "një dialektike intensive" midis dy orientimeve teologjike. I pari pohon se shugurimi i diakonit është për shërbesën dhe jo për meshtarinë: "ky faktor do të hapte rrugën për shugurimin e diakoneshave". I dyti, megjithatë, ngul këmbë "në unitetin e sakramentit të Urdhrave të Shenjtë, së bashku me rëndësinë martesore të tre shkallëve të tij dhe, hedh poshtë hipotezën e një diakonati të grave. Gjithashtu, vë në dukje se nëse do të miratohej pranimi i grave në shkallën e parë të Urdhrave të Shenjtë, do të bëhej i pashpjegueshëm përjashtimi i tyre nga shkallët e tjera". Për këtë arsye, sipas kardinalit Petrocchi, për të vazhduar studimin, është thelbësor "një shqyrtim kritik rigoroz dhe i zgjeruar mbi diakonatin në vetvete, domethënë mbi identitetin e tij sakramentor dhe mbi misionin e tij kishtar, duke sqaruar disa aspekte strukturore dhe baritore, që aktualisht nuk janë përcaktuar plotësisht". Në fakt, ka kontinente të tëra në të cilat shërbesa diakonale është “pothuajse inekzistente” dhe të tjerë ku ajo vepron me aktivitete, që shpesh “përkojnë me rolet e përcaktuara për shërbesat laike, ose me ato të ministrantëve në liturgji”.

04 dhjetor 2025, 10:26