Leoni XIV: më 18 dhjetor prezantohet Mesazhi për Ditën Botërore të Paqes 2026
R.SH. / Vatikan
Mesazhi i Papës Leonit XIV për Ditën e 59-të Botërore të Paqes, që do të kremtohet më 1 janar 2026, me temën “Paqja qoftë me ju të gjithë: drejt një paqeje ‘të çarmatosur dhe çarmatosëse’”, do të prezantohet të enjten e ardhshme, më 18 dhjetor, në orën 11:30, pranë Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë (Via della Conciliazione, 54) në Romë.
Në konferencën për shtyp – njofton Zyra e Shtypit e Vatikanit – do të marrin pjesë kardinali Michael Czerny, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor; Tommaso Greco, profesor ordinar i filozofisë së së drejtës në Universitetin e Pizës; don Pero Miličević, famullitar i Kishës së Shenjtorëve Luka dhe Marku Ungjilltarë në Mostar (Bosnjë); si edhe Maria Agnese Moro, gazetare, vajza e Aldo Moros.
Një Paqe ‘të çarmatosur dhe çarmatosëse’
"Paqja qoftë me ju të gjithë: drejt një paqeje 'të çarmatosur dhe çarmatosëse'." Kjo është tema e mesazhit të Leonit XIV për Ditën Botërore të Paqes 2026. Fjalët e para të Papës Prevost bëhen gjithashtu edhe mesazhi i parë në të cilin Leoni fton njerëzimin të hedhë poshtë logjikën e dhunës dhe luftës, të përqafojë një paqe autentike, të bazuar në dashuri dhe drejtësi.
"Paqja qoftë me ju të gjithë: drejt një paqeje "të çarmatosur dhe çarmatosëse". Që nga çastet e para të papnisë të tij, kur për herë të parë, pasditen e 8 majit të kaluar, u duk nga Llozha qendrore e Bazilikës së Shën Pjetrit, në Vatikan, deri te tema e Ditës Botërore të Paqes 2026 — e shpallur sot, 26 gusht, nga Dikasteri i Vatikanit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor — paqja është fija e artë që përshkon fjalët dhe gjestet e Papa Leonit XIV.
"Përqafimi i një paqeje autentike"
Në komunikatën që shoqëron temën e Ditës Botërore të Paqes 2026, thuhet se Papa Leoni XIV "e fton njerëzimin të refuzojë logjikën e dhunës dhe të luftës, për të përqafuar një paqe autentike, të bazuar në dashuri dhe drejtësi". Një paqe që nuk është thjesht mungesë konfliktesh, por zgjedhje e çarmatimit, "pra jo e bazuar në frikë". Vetëm arëherë heshtja e artilerive bëhet "çarmatosëse", sepse "e aftë të zgjidhë konfliktet, të hapë zemrat dhe të gjenerojë besim, empati dhe shpresë". Por nuk mjafton ta thërrasësh apo kërkosh paqen, paralajmëron sërish teksti i Papës: "duhet ta mishërosh në një stil jetese që refuzon çdo formë dhune, të dukshme apo strukturore".
"Paqja qoftë me ju": nga përshëndetja e Krishtit të Ngjallur te ajo e Pasardhësit të Pjetrit, ftesa është universale, drejtuar "besimtarëve, jobesimtarëve, përgjegjësve politikë dhe qytetarëve", me dëshirën e zjarrtë për "të ndërtuar Mbretërinë e Zotit dhe për të ndërtuar së bashku një të ardhme njerëzore dhe paqësore".