Kërko

2020.12.03 NATALE

Nëntëditëshja e Krishtlindjes: çfarë është, kur lindi dhe çka na thotë

Nuk është lutje zyrtare e Kishës, por një nga praktikat e devocionit popullor. Kremtohet nga 16 deri më 24 dhjetor, me qëllim që t’i ndihmojë besimtarët të përgatiten shpirtërisht për lindjen e Jezusit. U kremtua për herë të parë në një shtëpi misionare vinçenciane, në Torino, në vitin 1720.

R.SH. / Vatikan

Nëntshja e Krishtlindjes kremtohet gjatë nëntë ditëve që i paraprijnë festës, nga 16 deri më 24 dhjetor. Përmban tekste të ndryshme, që synojnë t’i ndihmojnë besimtarët të përgatiten shpirtërisht për festën e lindjes së Krishtit.

Deri në Koncilin II të Vatikanit, kremtohej në latinisht; pas Koncilit, përkthimet u përgatitën në gjuhë të ndryshme. Në përgjithësi, nëntshet janë kremtime popullore që shoqëruan "liturgjitë zyrtare" gjatë shekujve. Përfshihen në listën e madhe të "ushtrimeve të devotshme".

"Ushtrimet e devotshme", pohon J. Castellano, "u zhvilluan në devocionet perëndimore, në Mesjetë, e edhe në epokën moderne, për të kultivuar ndjenjën e fesë dhe të devocionit ndaj Zotit, Virgjërës Mari dhe shenjtorëve, në një kohë kur njerëzit ishin larg gurrave të Biblës dhe të liturgjisë, ose kur, në çdo rast, këto gurra mbetën të mbyllura dhe nuk e ushqyen më jetën e popullit të krishterë".

Zanafilla historike

Nëntshja nisi për herë të parë në një shtëpi misionare vinçenciane, në Torino, Itali, gjatë kohës së Krishtlindjes së vitit 1720, në Kishën e Zojës së Papërlyer, pranë Convitto Ecclesiastic, të cilën misionarët e drejtonin për formimin e klerit.

Ndër misionarët më të vlerësuar në Konvikt ishte Atë Carlo Antonio Vacchetta (1665-1747), "mjeshtër i ceremonive të shenjta dhe prefekt i Kishës dhe i këngës". Mik dhe vizitor i shpeshtë në shtëpinë e misionarëve ishte i Lumi Sebastiano Valfré.

Të dy kishin një përkushtim të veçantë ndaj natyrës njerëzore të Jezusit dhe e përhapnin devocionin, duke i ftuar besimtarët ta sodisin dhe ta adhurojnë misterin e Mishërimit dhe të Lindjes së Krishtit. Pikërisht në këtë mjedis, veçanërisht të vëmendshëm për ta jetuar liturgjikisht Misterin e Jezusit, Fjalës së Zotit të Mishëruar, u shkrua dhe u këndua për herë të parë Nëntshja e Krishtlindjes.

Sipas traditës, autor i shkrimit, i teksteve dhe i muzikës, ishte Atë Vacchetta

Falë misioneve popullore kryer nga Vinçencianët, Novena, apo Nëntshja, u përhap në Piemonte e, prej andej, në mbarë Italinë, falë lehtësisë të të kënduarit dhe thjeshtësisë së melodisë.

Devocionin dhe përhapjen e saj e nxiti Gabriella Marolles delle Lanze, Markize e Calusos. Kjo grua, që kishte jetuar një rini të qetë, u martua së pari me Carlo Agostino di Sale delle Lanze, e më pas, me Markezin e Saluzos. Pasi mbeti dy herë e vejë, erdhi të jetonte pranë shtëpisë së Etrëve vinçencianë, në Torino ku, si drejtuesin e saj shpirtëror zgjodhi eprorin, Atë Domenico Amosso.

Duke frekuentuar rregullisht Kishën e Zojës së Papërlyer, u prek thellë nga  veprimtaritë në përgatitje të Krishtlindjes, aq sa në testamentin e saj shkroi që Novena - apo Nëntshja e lartpërmendur, të kryhej "çdo vit - e përgjithmonë".

Kuptimi

Profecitë e lindjes së Jezusit u morën nga fragmentet e Besëlidhjes së Vjetër, posaçërisht nga Izaia profet. Ndër to shprehej jo vetëm dëshira e thellë mesianike e Besëlidhjes së Vjetër, dëshira e Zotit që të jetë i pranishëm në tokë, por gjithashtu këndohej në mënyrë ekspresive lutja për ardhjen e Jezusit, të Tashmes së pranishme në historinë e njerëzve.

Të ndryshme janë metaforat që nxisnin gëzimin e pritjes në Nëntshe: Jezusi do të vijë si dritë, si paqe, si vesë, si ëmbëlsi, si risi, si Mbret i fuqishëm, si sundimtar universal, si fëmijë, si Zot i drejtë.

Nëntshja dëshiron të ngjallë një sjellje të caktuar tek besimtari: të ndalet për ta adhuruar Zotin e Mishëruar!

Forma tradicionale

Nëntshja e Krishtlindjes, ndonëse nuk është lutje "zyrtare" e Kishës, është  çast shumë domethënës në jetën e bashkësive të krishtera.

Pikërisht pse nuk është lutje zyrtare, mund të kremtohet sipas zakoneve të ndryshme, por "epërsia" e padiskutueshme i përket nëntshes tradicionale, me melodinë e njohur gregoriane të bazuar në tekstin latin, por edhe të përhapur në variantin italian kujdesur nga murgjërit benediktinë të Subiakos.

16 dhjetor 2025, 11:02