Kërko

U inauguruan në Sheshin e Shën Pjetrit Betlehemi dhe Pema e Krishtlindjes, Motra Petrini: paqja, një stil jete që duhet mishëruar

Pasditen e djeshme, më 15 dhjetor, u zhvillua ceremonia tradicionale dhe mbresëlënëse e paraqitjes së Lindjes së Jezusit dhe e ndezjes së bredhit të përgatitur për festimet e Krishtlindjes. Të pranishme ishin delegacionet e dioqezave Nocera Inferiore-Sarno dhe Bolzano-Bressanone, si edhe përfaqësues të komunave të territorit të Agro Nocentino-Sarnese dhe të Lagundos dhe Ultimos, të cilat dhuruan dy instalimet.

R.SH. / Vatikan

Ceremonia tradicionale e inaugurimit të Shpellës së Betlehemit, me skenën e Lindjes së Jezusit, dhe e ndezjes së ndriçimit të Pemës së Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan këtë vit pati një karakter risie. Ngjarja u kryesua nga Motra Raffaella Petrini, Presidente e Guvernatoratit të Shtet Qytetit të Vatikanit, në prani të Kryeipeshkvit imzot Emilio Nappa dhe avokatit Giuseppe Puglisi-Alibrandi, Sekretarë të Përgjithshëm të të njëjtit Guvernatorat.

Është hera e parë në historinë e gjatë të inaugurimeve të Shpellave të Betlehemit në Shën Pjetër që ceremonia kryesohet nga një presidente. Kjo detyrë, e hapur për gratë në bazë të vendosjes së Papa Françeskut (madje gjatë qëndrimit të tij në spitalin Gemelli), është rregulluar juridikisht dhe, së fundmi, është konfirmuar nga Papa Leoni me anë të një motu proprio.

Me gëzim të thellë dhe me mirënjohje mblidhemi edhe këtë vit në Sheshin e Shën Pjetrit për ndezjen e ndriçimit të pemës së Krishtlindjes dhe inaugurimin e Betlehemit, shenja të dukshme të shpresës dhe të dritës që Zoti vazhdon t’i dhurojë njerëzimit”. Kështu u shpreh Motra Raffaella Petrini, Presidente e Guvernatoratit të Shtet Qytetit të Vatikanit, me rastin e inaugurimit të Betlehemit dhe ndezjes së ndriçimit të pemës së Krishtlindjes 2025 në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan.

“Shpella e Betlehemit – shtoi ajo – është projektuar dhe realizuar nga mjeshtëria e vullnetarëve të dioqezës italiane Nocera Inferiore-Sarno dhe paraqet peizazhin tipik të agro nocerino-sarnese. Betlehemi i këtij viti dëshiron të kujtojë mahnitjen e Shën Alfons Maria de’ Liguorit, i cili, duke soditur misterin e Mishërimit të Zotit, kompozoi këngën e famshme ‘Ti ulesh prej parrizit’ ('Tu scendi dalle stelle' ) . Lidhja mes bashkësisë nocerino-sarnese dhe shenjtit, Doktor të Kishës është e thellë, pasi reliket e tij prehen në komunën e Paganit, në territorin e dioqezës.

Betlehemi, kaq i dashur për traditën e krishterë, na shoqëron në ecjen tonë drejt Krishtlindjes, duke u propozuar burrave dhe grave të kohës sonë atë që ndodhi më shumë se dy mijë vjet më parë në Betlehem: lindjen e Shpëtimtarit, misterin e Hyjit që bëhet njeri, që bëhet fëmijë, që hyn në historinë e njerëzimit me forcën çarmatosëse të dashurisë. Dhe këtë vit inaugurimi merr një domethënie edhe më të thellë, sepse pas rreth tre javësh do të përfundojë Jubileu i Shpresës dhe do të fillojë një përvjetor i veçantë: 800-vjetori i vdekjes së Shën Françeskut të Asizit, i cili në vitin 1223, në Greccio, Itali, krijoi për herë të parë paraqitjen e Lindjes së Jezusit” me Betlehemin e parë”.

“Si Shën Alfonsi de’ Liguori – vijoi Motra Petrini – i cili, përpara Krishti Fëmijë të mbështjellë me pelena në grazhd, thelloi fenë e tij dhe ripërtëriu dashurinë ndaj Zotit, ashtu edhe Shën Françesku i Asizit, që dëshironte të rikrijonte skenën e lindjes së Shpëtimtarit Jezus duke përfshirë banorët e Greccios,  të dy dëshmojnë para botës se paqja e vërtetë është dhuratë e Hyjit dhe jo vetëm fryt i përpjekjeve njerëzore.

Është gjithashtu e vërtetë se ne të gjithë jemi të thirrur ta mishërojmë atë në një stil konkret jete, ta zgjedhim si rrugë e jo vetëm si qëllim, siç na fton të bëjmë Papa Leoni. Kështu, Betlehemi i dioqezës Nocera Inferiore-Sarno, ashtu si ai i Greccios, nuk dëshiron thjesht të kujtojë lindjen e Jezusit, por ta bëjë atë të rijetohet nga ata që e sodisin: të zgjojë mahnitje të gjallë, të prekë zemrat, të shfaqë butësinë e Zotit, të ringjallë fenë në jetë – jetën që fiton mbi vdekjen – siç shprehet nga gjethet gjithnjë të gjelbra të pemës së mrekullueshme të Krishtlindjes që sivjet vjen nga Lagundo dhe nga Val d’Ultimo.

Sot, në këtë Shesh të Vatikanit që përqafon botën, Betlehemi dhe pema e Krishtlindjes nuk janë vetëm zbukurime të Krishtlindjes, por shenja bashkimi, thirrje për paqe dhe për ruajtjen e Krijimit, ftesë për vëllazëri universale që Shën Françesku i Asiziz e vuri në vend të parë dhe që u bë shenja dalluese e karizmës së tij.

Te i varfanjaku i Asizit, model i thjeshtësisë ungjillore, duam t’ia besojmë ecjen tonë personale dhe komunitare; Shën Alfonsit i kërkojmë të na ndihmojë të rizbulojmë bukurinë e Ungjillit të jetuar në mënyrë aktive në dashuri, në dëgjimin e më të fundmëve të shoqërisë dhe në respektin për çdo krijesë.”

Në përfundim të ceremonisë, Motra Petrini njoftoi dhuruesit e simboleve për Krishtlindjen e vitit 2026: Betlehemi në Sheshin e Shën Pjetrit do të realizohet nga Shoqata Italiane “Miqtë e Betlehemit”, dega e Atessës, në provincën e Chietit; Pema e Krishtlindjes për Sheshin e Shën Pjetrit do të dhurohet nga Komuna e Terranova di Pollino, në provincën e Potenzës; ndërsa Betlehemi i Sallës Pali VI do të përgatitet nga Fondacioni “Carnevale di Viareggio”, në provincën e Luccës.

16 dhjetor 2025, 10:33