Kërko

Papa bekon shtatoret e Krishtit Fëmijë, të dielën, në Sheshin e Shën Pjetrit

Roma është mbushur me drita e vitrina dyqanesh vezulluese. Oratoritë e Romës përgatiten për Krishtlindje, duke e festuar Kohën e Ardhjes me fëmijtë e të rinjtë e duke krijuar skena lindjeje përmes një sërë aktivitetesh kuptimplote për ta çuar këtë frymë festive derë më derë. Për ta theksuar qendrën e pranisë së Krishtit Fëmijë në festat e ardhshme, bekimi tradicional i rikthehen më 21 dhjetor shtatoret e vogla të Foshnjës Hyjnore në Sheshin e Shën Pjetrit

R.SH. / Vatikan

Për herë të parë, Papa Leoni XIV do të jetë i pranishëm në këtë takim tejet gazmor dhe do të lutet me fëmijët. Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa do të bekojë shtatoret e Krishtit Fëmijë, që oratoritë, familjet, fëmijët dhe të rinjtë, e edhe shumë besimtarë, do t’i sjellin në shesh për një çast prekës lutjeje, bashkimi kishtar dhe festimi.

Për ta theksuar qendrën e pranisë së Krishtit Fëmijë në festat e ardhshme, Bekimi tradicional i shtatoreve të Krishtit Fëmijë kthehet përsëri në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, më 21 dhjetor. Sipas një deklarate nga Qendra Oratori Romani, ky tubim ka qenë pjesë e përgatitjes së Dioqezës së Romës për Krishtlindje që nga 21 dhjetori 1969, me Papën Pali VI, për ta theksuar rëndësinë e Krishtit Fëmijë në përvojën edukative të oratoreve.

Tema e këtij viti do të jetë "Një Thesar drite në duar", zgjedhur nga Qendra Oratori Romani për të theksuar rëndësinë e njohjes së Krishtit Fëmijë si thesari më i bukur në jetën e bashkësisë së krishterë. Të gjithëve - fëmijëve, adoleshentëve, madje edhe katekistëve, prijsëve, të rinjve dhe prindërve – në orator u kërkohet t'i bëjnë vend Atij në zemrat e tyre. Të gjitha informacionet mbi pjesëmarrjen në këtë veprimtari mund të ndiqen në faqen e internetit të Qendrës Oratori Romani (https://www.centrooratoriromani).

Me këtë rast, Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan do të shndërrohet në një orator të madh, në ajër të hapur për disa orë, ku të gjithë mund të këndojnë këngët e Krishtlindjes, të luajnë lojërat dhe të argëtohen, duke kremtuar një kohë tipike festive, pasi të kenë marrë pjesë në Meshën Shenjte, në famullinë e tyre ose në kishat pranë Bazilikës.

Duke filluar nga ora 10:30 e mëngjesit, katekistët dhe animatorët e Qendrës Oratori Romani do të mirëpresin qindra fëmijë dhe të rinj, duke organizuar aktivitete dhe lojëra të vogla në përgatitje për lutjen e Engjëllit dhe bekimin e Papës. Sheshi do të mbushet me këngë Krishtlindjesh, të drejtuara nga të rinjtë e shoqatës, të cilët do t'i ftojnë të gjithë të bashkohen në atmosferën e gëzimit, ndërsa presin që Papa Leoni të duket në dritaren e zakonshme të Pallatit Apostolik.

Bekimi i Krishtit Fëmijë organizohet nga Qendra Oratori Romani, shoqatë besimtarësh e themeluar në vitin 1945 nga i Nderuari Arnaldo Canepa për përhapjen dhe pjesëmarrjen e shërbesës oratoriane në Romë.

Kjo traditë nisi të përhapej gjithnjë më shumë vitet e fundit. Në Itali dhe jashtë saj (Shtetet e Bashkuara, Filipinet, Anglia, Irlanda, Amerika e Jugut dhe shumë vise të tjera), duke përfshirë qindra bashkësi dhe dioqeza ku ipeshkvijtë dhe priftërinjtë kanë zgjedhur një të Dielë të Kohës së Ardhjes për takimin me shtatoret e Krishtit Fëmijë dhe mikpritjes së familjeve, udhëheqësve të të rinjve dhe udhëheqësve fetarë të Kishës vendase.

"Në fund të një viti hiri, si Jubileu që sapo jetuam, ne kthehemi përsëri në Sheshin e Shën Pjetrit", thekson Presidenti i Qendrës Oratori Romani, Stefano Pichierri. "Këtë vit, pikërisht këtu, jetuam çaste gëzimi dhe bashkëndarjeje, por edhe trishtimi për humbjen e Papës Françesku... e pastaj, pritjeje dhe shprese për Papën e ri. Festuam Jubileun dhe shpallëm edhe shenjtorë të rinj.

Tani Ylli na prin e na çon përpara Shpellës së Betlehemit për të adhuruar Krishtin Fëmijë. Presim me padurim fjalët e Papës Leoni XIV, i cili shpreh vazhdimisht vëmendjen dhe dashurinë e tij për Dioqezën e Romës. Fëmijët e Romës duan ta jetojnë festën e, njëkohësisht, t'u tregojnë të gjithëve fytyrën e vërtetë të Krishtlindjes".

19 dhjetor 2025, 09:21