"Zoti është realiteti i vërtetë": Predikimet e pabotuara të Benediktit XVI në një Libër
R.SH. / Vatikan
Paraqesim tekstin e plotë të një reflektimi nga Joseph Ratzinger, mbajtur më 14 korrik 2013, në Manastirin Mater Ecclesiae, të pabotuar më parë e të paraqitur në vëllimin e ri nga Libreria Editrice Vaticana, sot në vitrinë. Libri, që përmbledh 82 predikime të mbajtura si gjatë papnisë së Papës, ashtu edhe pas dorëheqjes së tij, u paraqit pasditen e 11 dhjetorit në Vatikan nga Imzot Georg Gänswein, Atë Federico Lombardi, Atë Fabio Rosini, Lorenzo Fazzini dhe Silvia Guidi.
BENEDIKTI XVI
Të dashur miq,
Ky Ungjill i Samaritanit na i prek vazhdimisht zemrat! Rëndësia dramatike e kësaj shëmbëlltyre ishte e dukshme gjatë vizitës së Papës në Lampeduza. Kemi parë dhe vazhdojmë të shohim numrin në rritje të viktimave të dhunës në çdo pjesë të botës e, nga ana tjetër, siç tha Papa: "Anestezia e zemrës... globalizim i indiferencës."Çfarë po ndodh?”.
Shën Gjoni, në kapitullin 18 të Apokalipsit, na flet për shembjen e një qytetërimi të madh, parathënie për qytetin e Romës. Tregon se si ky qytetërim krijoi edhe një sistem tregtie, duke renditur shumë gjëra të blera dhe të shitura në këtë tregti. Së fundmi, tregon se këta tregtarë ishin edhe tregtarë njerëzish dhe shpirtrash njerëzor (krh. Zb 18:13). Shpirtrat njerëzor, personat njerëzor, shndërrohen në mallra, dhe kështu, në fund, ky qytetërim shembet, sepse nuk është më kulturë, por antikulturë.
Kjo është pikërisht çka i ndodh njeriut, kur shpirti njerëzor bëhet mall. Mendoni për ata trafikantë që u premtojnë njerëzve të Bririt të Afrikës se do t'i çojnë në parajsat tokësore të Perëndimit. Nuk interesohen fare për fatin e këtyre njerëzve; madje mund të mbyten në det; çka u intereson, janë vetëm paratë; për ta, njerëzit janë mallra, që u sillen atyre para-mbrapa. E njëjta gjë ndodh në shumë situata të tjera: të mendojmë për ca njerëz në Rumani që i shesin vajzat, duke u premtuar jetë të mirë në Perëndim, ndërsa i shesin për prostitucion. Njeriu konsiderohet mall dhe asgjë më shumë. Le të mendojmë për krizën e drogës: njerëz që nuk kanë më kuptim në jetë, nuk shohin më bukuri; dëshirojnë bukuri dhe mirësi, por bien në rrjetën e këtyre trafikantëve të drogës, në parajsat e rreme që të shkatërrojnë. Edhe një herë, njeriu është thjesht mall që përdoret për të fituar para; e njëjta gjë vlen edhe për shumë viktima të tjera të dhunës në Afrikë, ushtarë fëmijë, të gjitha këto... Le të shohim se si njeriu ka rënë vërtet në duart e hajdutëve dhe po pret samaritanin, që ta shpëtojë.
Në këtë pikë, lindin dy pyetje. E para është: si është e mundur kjo, si mund ta shpjegojmë këtë fenomen në një qytetërim aq të pasur dhe aq të zhvilluar sa i yni? Por më e rëndësishmja lind si pasojë: çfarë duhet të bëj? Në fund të fundit, nuk duhet të bëjmë shqyrtim të përgjithshëm; në fund të fundit, pyetja e Ungjillit është pyetja e pjesës tjetër të ligjit: çfarë duhet të bëj? Por së pari, le të kuptojmë pak pse ndodh kjo, në mënyrë që të kuptojmë më mirë misionin tonë, mundësitë tona, detyrën tonë.
Epoka moderne lindi me dy ideale të mëdha, të cilat janë arsyet e shtegtimit të saj: progresin dhe lirinë. I thamë vetes: tani nuk e lëmë më botën vetëm në duart e Zotit, nuk presim më thjesht jetën e përtejme; e marrim vetë drejtimin, timonin e historisë, e vetë e udhëzojmë atë edhe në rrugën e progresit. Në realitet, progresi ekziston, të gjithë e dimë. Nëse e krahasoj botën e fëmijërisë sime, të rinisë sime, me atë të sotmen, ka një ndryshim të madh; nuk duket të jetë e njëjta botë. E shohim se si, vetëm në tridhjetë vitet e fundit, progresi i përshpejtuar e ka ndryshuar botën: në botën e komunikimeve, tani mund të bëhen gjëra të pabesueshme, të paimagjinueshme edhe pesëdhjetë vjet më parë; në mjekësi, në teknologji që ndikon në jetën njerëzore e kështu me radhë, ka progres, njerëzimi ka mundësi që më parë ishin të paimagjinueshme. Por lind pyetja: a është progres i vërtetë?
Ka edhe progres të vërtetë. Nëse kemi parasysh se sot ekzistojnë institucione ndërkombëtare që kërkojnë të parandalojnë dhe të shmangin konfliktet, të shërojnë dhe të mbrojnë të sëmurët; nëse shohim se si është rritur ndjeshmëria për personat me aftësi të kufizuara, të sëmurët dhe të përjashtuarit, dhe respekti për kombet e racat e tjera, duhet të themi se ky është përparim jo vetëm në fuqinë tonë, por edhe përparim i shpirtit, përparim i njerëzimit, i humanizmit, i respektit për të tjerët. Dhe më duket se mund të themi, pa ideologji të rreme, se ky përparim rezulton nga prania e dritës së Ungjillit në botë, sepse kjo dritë na ka lejuar të shohim të ligshtit, të vuajturit, tjetrin si qenie njerëzore, si fëmijë të Zotit, si të dashur nga Zoti, si vëllezërit dhe motrat e mia.
Ky vizion i njerëzimit, i lindur nga Ungjilli, është shtrirë përtej kufijve të Krishterimit, është pronë e njerëzimit. Ne e kuptojmë se jemi vërtet të gjithë vëllezër dhe motra; edhe të varfrit janë tanët, madje edhe ata, nga një botë tjetër!