Atë Faltas: Knesset vë në rrezik shkollat dhe familjet palestineze
R.SH. - Vatikan
Në Territoret Palestineze, "mësuesit janë aktualisht të vetmit që punojnë, të vetmit që mund të fitojnë të ardhura, sepse atje askush nuk ka punuar që nga fillimi i luftës". Ati Ibrahim Faltas, përgjegjës i shkollave të Ruajtjes së Tokës Shenjte, reflekton mbi ndikimin e ligjit izraelit në shoqërinë palestineze, miratuar të mërkurën e kaluar nga Knesseti, i cili u ndalon të diplomuarve të universiteteve që ndjekin kurrikulën palestineze, të japin mësim në shkollat izraelite, përveçse kur kanë akreditim të posaçëm izraelit. Projektligji, i sponsorizuar nga deputetët e Likud Amit Halevi dhe Avichay Boaron, u miratua me 31 vota pro dhe 10 kundër.
Realiteti në Territore
Me ligjin e ri, vëren Ati françeskan, "të gjithë palestinezët nga Bregu Perëndimor që studiuan në universitetet palestineze, siç është ai i krishteri në Betlehem ose Hebron, nuk do të munden më të japin mësim në shkollat e Izraelit. Kjo është vërtet “serioze", duke pasur parasysh se "shumë që kishin leje për të punuar në Izrael, nuk mund të largohen më [nga territoret e pushtuara palestineze]. Ndërsa të tjerë, që punuan në sektorin e turizmit, tani të bllokuar, ishin pa punë për më shumë se dy vjet. E, për më tepër, ata që kishin punë me pagë me Autoritetin Palestinez, nuk po paguhen më, sepse nuk ka para".
Shkollat e krishtera në Jerusalem
Si Kujdestari, kujton, "kemi pesë shkolla në Jerusalem, 18 në të gjithë Tokën Shenjte: kjo do të thotë se mësuesit që u diplomuan nga universitetet e Bregut Perëndimor, nuk do të jenë më në gjendje të japin mësim". Në të njëjtën kohë, pasojat ndikojnë edhe në institucione të tjera. "Ata që vuajnë pasojat e këtij vendimi", kujton ai, "janë kryesisht shkollat në Jerusalem", nga të cilat 15, të krishtera, me 12,000 nxënës, të krishterë e myslimanë. Në Qytetin e Vjetër, pranë Manastirit të Shën Shëlbuesit, ndodhet edhe Instituti Magnificat, shkolla e muzikës e Kujdestarisë së Tokës Shenjte, e cila ndiqet edhe nga studentë hebrenj. "Ka shumë mësues që vijnë nga Bregu Perëndimor, veçanërisht nga zona e Betlehemit: 235".
Shkollat e Krishtera në Jerusalem, kundër kufizimeve të mësuesve palestinezë
Shkollat e Krishtera në Jerusalem flasin kundër kufizimeve për mësuesit palestinezë. Pa to, "do të thoshte mbyllja e të gjitha këtyre shkollave sepse nuk ka mësues në Jerusalem, ata nuk mund të gjenden: vijnë nga Hebroni, Betlehemi, Ramallahu. Do të ishte vërtet e vështirë, shumë e vështirë."
Lejet e hyrjes
Atë Faltas kujton se javët e fundit, rreth 10,000 nga studentët e shkollave të krishtera në Qytetin e Shenjtë nuk munden të rifillonin mësimet pas përfundimit të festave të Krishtlindjes. Drejtorët e shkollave të tyre organizuan një grevë kundër vendimit të autoriteteve izraelite për të mos rinovuar lejet e punës së 171 mësuesve nga territoret e pushtuara palestineze. "Lejet ishin dhënë për çdo ditë, përveç së shtunës: por pikërisht atëherë kemi mësim, e kjo është arsyeja pse nuk mundëm t'i hapnim shkollat për semestrin e dytë". Pas protestës, "leja u dha për të shtunën, por ata bllokuan të premten dhe të dielën. Megjithatë, ka aktivitete edhe në ato ditë, e ne kemi nevojë për mësues". Pastaj erdhi "leja për çdo ditë, shtatë ditë në javë, por patëm një javë pa shkollë, e semestri rifilloi të shtunën e kaluar".
Një mjet paqeje
Ligji i miratuar këtë javë, kujton "The Times of Israel", nuk do të zbatohet për mësuesit që janë tashmë të punësuar nga Ministria e Arsimit. "Ka mësues që kanë punuar në Jerusalem për njëzet deri në tridhjetë vjet, e po flasim për 235 familje: shpresoj vërtet që ligji i ri të mos zbatohet edhe për ta". Ndërsa anëtarët e Knessetit që flasin arabisht, të përballur me masën, e quajtën atë diskriminuese, e mbrojtësit e ligjit e shpjeguan si përpjekje për të frenuar nxitjen e dhunës dhe të urrejtjes kundër Izraelit. "Këta mësues punojnë në shkolla të krishtera. Ne i fillojmë mësimet tona me "lutjen e thjeshtë", me Shën Françeskun e Asizit: "Zot, më bëj mjet të paqes sate!"