Kërko

Kardinali Tagle Kardinali Tagle

Kardinali Tagle: “Fytyra e Jezusit buzëqesh gjithmonë në Hong Kong”

Pro-prefekti i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Ungjillëzimin kard. Tagle udhëhoqi një takim lutjeje me rastin e kremtimeve për 80-vjetorin e Dioqezës së Hong Kongut. Kard. Tagle u dha zemër besimtarëve që të sjellin shpresë në shoqëri, duke u bërë "dëshmitarë të guximshëm të Zotit".

R.SH. / Vatikan

Një takim lutjeje u zhvillua më 18 janarin e kaluar në Hong Kong, në Chater Garden. Ai u udhëhoq nga kardinali Luis Antonio Gokim Tagle, pro-prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin, i cili hapi kremtimet për 80-vjetorin e themelimit të dioqezës së Hong Kongut. Kardinali Tagle, sipas asaj që njofton agjencia Fides, ofroi reflektimin e tij mbi bekimit e krishterë duke u nisur nga Libri biblik i Numrave, në të cilin lexohet: “Zoti të të bekoftë e të të ruajtë. Të të ndriçoftë Zoti me fytyrën e vet e pastë mëshirë për ty! E sjelltë Zoti fytyrën e vet drejt teje e të dhashtë paqen!” (Nm 6,24-26).

Gjatë kremtimit, mbajtur të dielën, më 18 tetor, në Chater Garden të Hong Kong-ut, Kardinali Pro-Prefekt i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Ungjillëzimin (Seksioni për ungjillëzimin e parë dhe Kishat e reja të veçanta)  kard. Tagle shpjegoi, duke u bazuar në Shkrimet Shenjte, në Librin e Numrave, burimin dhe natyrën e praktikës së devotshme të bekimit të krishterë, përpara se të bekonte pjesëmarrësit e ngjarjes dhe të gjithë qytetin, së bashku me Kardinalin Jezuit Stephen Chow Sau-yan, Ipeshkëv i Hong Kongut.

Kardinali Tagle u frymëzua nga bekimi i popullit, që Zoti ua mëson bijve të Aronit në Librin e Numrave ("Zoti të bekoftë dhe të të ruajtë! Zoti e bëftë fytyrën e tij të shkëlqejë mbi ty dhe qoftë i mëshirshëm me ty!”), duke e propozuar si "bekim që Zoti dëshiron të na japë", e duke e bërë fytyrën e tij të shkëlqejë mbi burrat dhe gratë e të gjitha kohërave. "Bekimi që Zoti na jep ne dhe Hong Kongut, është Fytyra e Tij e Shenjtë në Jezu Krishtin", Fytyra e dukshme dhe njerëzore e Zotit të padukshëm, fytyrë "tërësisht hyjnore e tërësisht njerëzore".

Ndër mënyrat, në të cilat Fytyra e Jezusit mund të haset si bekim, Kardinali Tagle përmendi edhe takimin me fytyrën e një fëmije, "që na kujton se fëmijët dhe të rinjtë janë gjithmonë bekim për shoqërinë; asnjë fëmijë a i ri nuk është 'problem'".

"Bekimi i vërtetë për Hong Kongun - vijoi Kardinali - është fytyra e Zotit që shndritë përmbi të". E "Fytyra e Jezusit", vazhdoi Pro-Prefekti i Dikasterit Misionar, "buzëqeshtë gjithmonë mbi Hong Kongun. E Hong Kongu u gëzoftë nga fytyra e Jezusit".

Kështu - shtoi kard. Tagle - besimtarët mund të inkurajohen "për të sjellë shpresë në shoqëri", duke u bërë "dëshmitarë të guximshëm të Zotit". Kardinali i kërkoi gjithashtu shoqërisë së Hong Kongut t’i kultivojë këto "bekime", duke pranuar se të gjithë kanë mundësinë të bëhen “bekim për të tjerët". Gjatë takimit, individë dhe grupe të etnive dhe kombësive të ndryshme u lutën për Hong Kongun në kantonezisht, filipinisht, frëngjisht, mandarinisht, koreanisht dhe vietnamisht.

Më 18 tetor, gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në Hong Kong - shkroi e përjavshmja lokale dioqezane Sunday Examiner - Kardinali Tagle pati  edhe mundësinë të bisedonte me Motrën Corazon Demetillo dhe Motrën Victoria Victorino të Qendrës Baritore Dioqezane për Filipinasit. Dy murgeshat përshkruan shkurtimisht nismat e famullive të tyre: nismat lokale për të promovuar integrimin e migrantëve dhe mbështetjen e dioqezës për azilkërkuesit dhe refugjatët, në bashkëpunim me Konsullatën Filipinase.

Shumë katolikë filipinas morën pjesë në takimin e muzikës dhe të lutjes në Chater Garden. Famullitarët e Kishës së Shën Jozefit në Garden Road vendosën një banderolë mirëseardhjeje për Kardinalin Tagle.

Në Hong Kong jeton prej kohësh një bashkësi e madhe filipinase. Sipas të dhënave të përditësuara, që nga 31 gushti 2021, filipinasit janë 177,000 vetë, që jetojnë në Hong Kong, ndërmjet banorëve jo të përhershëm. Ndërmjet më se 7.4 milion banorëve të përhershëm, më shumë se 400,000 janë katolikë.

(nga Agenzia Fides, 25 janar 2026)

26 janar 2026, 13:38