Kërko

Papa takohet me Patriarkun Bartolomeu I në Fener Papa takohet me Patriarkun Bartolomeu I në Fener

Ekumenizmi si laborator i paqes

Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve nganjëherë vështrohet si çështje vetëm për specialistët

R.Sh. Vatikan

Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve që kremtohet çdo vit në janar, nganjëherë perceptohet si çështje e vetëm atyre që marrin pjesë,  si një çështje vetëm për specialistët të gatshëm t'i kushtojnë kohë debateve që duhej të ishin mbyllur vite, ose ndoshta shekuj më parë.

Ky perceptim, në të vërtetë, na tregon mbi të gjitha aftësinë e kufizuar të ekumenizmit për të folur rreth vetes, sepse nuk di të tregojë sa e rëndësishme është turra në lojë në lutjen ekumenike ose në meditimin e përbashkët.

Një përceptim i tillë është veçanërisht i dukshëm në këtë epokë, kur lufta përpiqet të zërë vendin e saj në jetën e përditshme, kur dhuna dhe shtypja e të tjerëve paraqiten si shtigje të bukura për zgjidhje konflikesh ose për justifikimin e interesave të përbashkëta.

Një ide e ndryshme

Në thelb të rrugëtimit ekumenik ka një parim krejtësisht të ndryshëm. Kjo është «koinonia», një fjalë që buron nga greqishtja e që përkthehet si «bashkësi».

Është ideja e bashkimit, ku ndryshimi (i qëndrimeve, i praktikave të zbatuara, mënyrës së jetesës) ndonjëherë mund të jetë problem, por mbi të gjitha është pasuri, e cila duhet të pranohet si e tillë. Mund të ankohemi për ngadalësinë me të cilën kjo kërkesë kthehet në histori, mund të kritikojmë kujdesin – ndonjëherë të tepruar të institucioneve kishtare në pranimin e saj – megjithatë pas këtij kërkimi të vijueshëm për gjetjen e një mënyre për të jetuar së bashku qëndron ideja e paqes.

Jo pohimi i vetëvetes e as orvatja për t'iu imponuar të tjerëve. Kjo ide gjendet në marrëdhëniet, në takimet, në shkëmbimet e frytshme ku njerëzimi realizohet. Ajo është në shkëmbimin e mendimeve dhe praktikave që zgjerojmë horizontet tona, dhe na thotë se vetëm në këtë shkëmbim ne rritemi si individë, si komunitete, si popuj. Kjo ide është në dialog – midis Kishave, por edhe midis kulturave dhe besimeve që ka bota – që kultivojmë ato fara të njerëzimit të cilat e bëjnë racën njerëzore të ndihet si një familje njerëzore. Kjo ide gjendet edhe tek mikpritja e të tjerëve dhe tek tiparet e ndryshme të secilit, që janë të papërsëritshme, dhe i heqin kapsollën dhunës që çdo përvojë fetare mbart me vete.

Vlerë e gjerë morale

Sigurisht, nuk është rastësi që historia e lëvizjes ekumenike gjatë gjithë shekullit të njëzetë është thellësisht e ndërthurur me kërkimin e paqes. Po ashtu, nuk është rastësi as kriza me të cilën ajo përballet aktualisht e që ka bëjë me tensione shoqërore-politike të cilat po e dëmtojnë thellësisht Evropën dhe gjithë botën.

Të vazhdosh me këmbëngulje çdo vit – edhe në këtë kohë kritike – të zhvillosh takime në vende të ndryshme, si lutje dhe reflektim, do të thotë t'i japësh frymë një shprese për pajtim që shikon përtej errësirës të së tashmes, që me fuqinë e Shpirtit Shenjtë thërret paqen dhe punon për ta vënë atë në jetë.

Shkurt, ekziston një rëndësi e thellë morale në praktikën ekumenike, në grishjen e saj këmbëngulëse që të mbahet gjallë fjala «koinonia», e cila i referohet nocioneve të tjera, në tradita të ndryshme etike dhe shoqërore që janë pjesë e kishave tona. Kjo ka edhe kuptimin e së mirës së përbashkët, përgjegjësisë së përbashkët, ka kuptimin e aleancës…. Këtyre fjalëve, sot më shumë se kurrë, na duhet t'ua rikthejmë kuptimin në jetën tonë të përbashkët në këtë planet të brishtë.

23 janar 2026, 12:57