Fondazione Ratzinger, don Roberto Regoli presidenti i ri
R.SH.– Vatikan
Profesor don Roberto Regoli, historian i njohur i Kishës, është presidenti i ri i Fondacionit vatikanas Joseph Ratzinger – Benedikti XVI. Ky organizëm u themelua më 1 mars 2010 me qëllim promovimin dhe inkurajimin e studimit, njohjes dhe përhapjes së teologjisë dhe veprës së Joseph Ratzinger-it dhe Benediktit XVI, edhe përmes projekteve, konferencave dhe seminareve. Profesor i historisë bashkëkohore në Universitetin Papnor Gregorian, ku drejton Departamentin e Historisë së Kishës dhe revistën Archivium Historiae Pontificiae, si dhe autor i studimeve dhe vëllimeve me rëndësi ndërkombëtare mbi historinë e Papnisë, Kuries Romake dhe diplomacisë papnore për shekujt XIX-XXI, prof. Regoli merr detyrën e ushtruar në dhjetë vitet e fundit nga Atë Federico Lombardi, 83 vjeç, i cili e kishte marrë mandatin pas përfundimit të drejtimit të tij – gjithashtu dhjetëvjeçar – të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë.
Rinovime dhe ndryshime
“Atë Federico Lombari Fytyrë publike dhe e qetë e Fondacionit Joseph Ratzinger – Benedikti XVI, i cili në këto dhjetë vite ka udhëhequr me maturi dhe siguri rrugëtimin e iniciativave institucionale”, kështu e përshkruan prof Regoli në një deklaratë të publikuar sot, më 27 janar, shoqëruar nga një komunikatë ku njoftohet rinovimi i organeve institucionale të Fondacionit, të cilave u kishte skaduar mandati – siç parashikohet nga statuti – pas pesë vitesh. “Duke qenë se në vitin 2025 përfundoi pesëvjeçari i mëparshëm, Sekretaria e Shtetit të Vatikanit, nën varësinë e së cilës është Fondacioni, ka bërë rinovimin dhe ndryshimet e duhura”, lexohet në dokument.
Përveç emërimit të don Regolit si president i ri i Këshillit Administrativ nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, janë rinovuar si anëtarë: imzot Georg Gänswein, aktualisht nunc apostolik në Lituani dhe për vite me radhë sekretar personal i Benediktit XVI; profesor Achim Buckenmaier; avokatja Francesca Bazoli; si dhe dr. Alberto Gasbarri, ish-drejtor administrativ i Radio Vatikanit dhe organizator i udhëtimeve apostolike.
Anëtarë të Komitetit Shkencor, me emërim të Papës, janë kardinajtë Kurt Koch dhe Angel Fernández Artime, pastaj kryeipeshkvijtë Rino Fisichella dhe Bruno Forte, si dhe ipeshkvi Rudolf Voderholzer. President i Kolegjit të Revizorëve të Llogarive është Aurelio Ingrassia, i emëruar nga Sekretaria e Selisë së Shenjtë për Ekonominë; ndërsa anëtarët – të emëruar nga Sekretaria e Shtetit të Vatikanit – janë Andrea Filippi dhe Giuseppe Mascarucci. Kanë përfunduar mandatet e tyre kardinajtë Gianfranco Ravasi dhe Luis Ladaria si anëtarë të Komitetit Shkencor, don Giuseppe Costa dhe dr. Renato Poletti si anëtarë të Këshillit Administrativ, si dhe presidenti i Kolegjit të Revizorëve, Alessandro Roppo.
Falënderimi për atë Lombardi
Të gjithë atyre që kanë kryer një “shërbim të çmuar” pranë Fondacionit Ratzinger në këto vite, u shkon mirënjohja e presidentit të ri prof. Regoli, i cili falënderon para së gjithash Papa Leonin dhe kardinalin Parolin “për mirëdashjen e tyre të vëmendshme ndaj institucionit” dhe për “besimin” e dhënë. Një falënderim i veçantë i shkon edhe Atë Lombardit: “E dimë se ai mund të mbetet për të gjithë ne një pikë referimi. I urojmë që të korrë me bollëk atë që ka mbjellë”, shkruan profesor Regoli.
Drejt festimeve për 100-vjetorin e lindjes së Joseph Ratzinger
Prof. Regoli njofton gjithashtu një “pesëvjeçar magjepsës” me festimin e 100-vjetorit të lindjes së Joseph Ratzinger (1927-2027), për të cilin po punohet prej muajsh me programimin e konferencave, botimeve, ekspozitave dhe koncerteve që do të përfshijnë shumë vende në të gjitha kontinentet. “Trashëgimia e Ratzinger-it, teolog dhe Papë, është shumë e gjallë, edhe në planin baritor, si burim dhe konfirmim i shumë rrugëtimeve personale të konvertimit në botë”, pohon udhëheqësi i ri i Fondacionit vatikanas Joseph Ratzinger – Benedikti XVI. “Gjallëria e mendimit të tij nuk ka vetëm diçka për të thënë, por mund të japë një kontribut domethënës në debatet teologjike dhe kulturore të kohës sonë”. Urimi dhe angazhimi është që zëri i Papës bavarez “të vazhdojë të dëgjohet edhe përmes Fondacionit” jo vetëm në sallat e universiteteve, por mbi të gjitha mes të rinjve, “të cilët duhen ndihmuar të rizbulojnë bukurinë e fesë, para së gjithash, në Krishtin dhe në Kishë”.