Kërko

Në foto: imzot Antonio Staglianò Në foto: imzot Antonio Staglianò

Imzot Antonio Staglianò: «Una caro», monogamia si poezi, jo si parim

Kryetari i Akademisë Papnore të Teologjisë, imzot Antonio Staglianò reflekton mbi deklaratën e Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë kushtuar vlerës së martesës si bashkim vetëm ndërmjet dy personave të sekseve të ndryshme, që i përkasin njëri-tjetrit.

R.SH. / Vatikan

Le të ndalemi për një çast. Para se të mendojmë se doli edhe një tjetër «dokument i Vatikanit» mbi dashurinë dhe martesën si ushqim sakristie, si manual i pluhurosur i moralit seksual, le të përpiqemi të lexojmë këto vargje: «Ne ecëm rreth e qark / derisa u kthyem përsëri në shtëpi, / ne të dy.»

Nuk është këngë e këngëtarit Vinicio Capossela. Është Wisława Szymborska, poete polake dhe fituese e Çmimit Nobel, dhe këto vargje - së bashku me vargjet e Pablo Nerudës, Emily Dickinson dhe Eugenio Montales, shfaqen të plota tek «Una caro» – vetëm një i/e dashur, deklarata më e fundit e Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë, shkruar nga kard. Víctor Manuel Fernández. Një veprim revolucionar sepse kongregata që dikur quhej «Zyra e Shenjtë», ai i heshtjeve dhe i jo-ve, tani citon poetë për të shpjeguar pse «dy» është më mirë se tre, katër, ose lidhjet e pafundme në dashurinë bashkëkohore.

Nuk kemi të bëjmë me një traktat teologjik. Është diçka më radikale: një manifest kulturor që rehabiliton monogaminë jo si imponim, por si përvojë bukurie. Dhe e bën këtë me një armë të fshehtë: poezinë.

Pse poetët? Sepse – thuhet në dokument, duke cituar Papë Françeskun – «fjala letrare është si një gjemb në zemër që na shtyn drejt kundrimit dhe na vë në rrugë». Pikërisht, një gjemb. Jo përkëdhelje ngushëlluese, por pickim që na zgjon, që na detyron të përballemi me misterin e tjetrit.

Veprimi i parë mjaft i gjetur i deklaratës «Una Caro» është zhvendosja e debatit nga niveli i «detyrës» në atë të «gjenialitetit kulturor». Monogamia e krishterë nuk është vetëm një ligj natyror apo urdhërim, por një fakt kulturor. Ajo ka formuar një mënyrë të qenit në botë, të konceptimit të personit, dinjitetit dhe reciprocitetit. Dokumenti fillon shumë kohë më parë, nga kapitulli i dytë i Librit të Zanafillës, i cili nuk është një rrëfim naiv, por një «manifest antropologjik». Në fakt, Hyji thotë: «Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm». Dhe Ai nuk krijoi një klon, një shërbëtor, por një «ndihmëse që i korrespondon», një person që i rri para, «sy për sy». Është lindja e marrëdhënies ballore, e dialogut, e njohjes, e takimit midis dy lirive.

Ky është kontributi i parë kulturor i krishterimit: konceptimi i personit si qëllim. Burri dhe gruaja nuk janë vegla për kënaqësi, për pushtet. Ata janë qëllime në vetvete. Dhe vetëm në një marrëdhënie ekskluzive midis dy personave ruhet ky dinjitet. Shën Toma i Akuinii, që citohet në tekst, është shumë i qartë: «Poligamia e transformon miqësinë midis burrit dhe gruas në një marrëdhënie pothuajse skllavërore.» Aty ku ka shumë gra (ose shumë burra), dikush në mënyrë të pashmangshme shndërrohet në objekt, në mjet. Monogamia, pra, nuk është një kufizim i lirisë, por kusht i saj i mundësisë. Vetëm para një fytyre të vetme mund të marrësh përgjegjësi të pafundme. Siç shkruan Emmanuel Lévinas, një filozof i dashur për teologët, fytyra e tjetrit të urdhëron «mos më vrit». Të urdhëron të respektosh ndryshmërinë e tyre.

Në këtë pikë, poezia, është mjeshtre. Na kujton se i dashuri është gjithmonë një mister i paprekshëm. «Sytë e tu më pyesin me trishtim... / Kjo zemër është aq afër teje sa vetë jeta jote, / por ti nuk mund ta dish plotësisht».

Dokumenti nuk kërkon të kthehemi në shekullin e nëntëmbëdhjetë. E di shumë mirë se monogamia po sulmohet sotpërsot, jo vetëm për shkak të divorcit ose tradhtisë bashkëshortore, por edhe për shkak të shfaqjes së modeleve të qarta kulturore që e mohojnë atë: «poliamoria» si marrëdhënie të shumëfishta, konsensuale, bashkime të hapura, seksualiteti paqëndrueshëm.

Përgjigja nuk është dënimi moral. Është më e brishtë. Pse - pyet dokumenti i dikasterit vatikanas - serialet televizive, këngët pop dhe romanet vazhdojnë të kremtojnë «dashurinë e madhe» unike dhe fatale, ndërsa në realitet, marrëdhëniet po shkatërrohen? Ndoshta sepse nostalgjia për një lidhje totale, ekskluzive që i jep kuptim jetës vazhdon në imagjinatën kolektive. Me këtë dokument, Kisha merr përsipër rolin e kujdestarit të asaj nostalgjie. Dhe përdor poetët si dëshmitarë të privilegjuar. Neruda i shkruan Matildës së tij: «Dua të mbyll sytë / dhe dua vetëm pesë gjëra, / pesë të preferuara. / Njëra është dashuria pa fund ... / Gjëja e pestë janë sytë e tu

 Jo «sytë», por «sytë e tu». Ata të atij personi të veçantë, të pazëvendësueshëm.

Ndërsa «poliamoria», thuhet në dokumentin e dikasterit vatikanas, lind nga një iluzion optik: të mendosh se intensiteti i takimit shumëfishohet me numrin e partnerëve. Por është e kundërta: si në mitin e Don Zhuanit, numri e tret emrin. Pafundësia sasiore vret cilësinë e takimit. Poezia, përkundrazi, kremton bukurinë e secilës fytyrë në një çift, të historisë së përbashkët. Është përemri «ne» që shndërrohet në shtëpi.

Këtu arrijmë te thelbi teologjik i dokumentit, por edhe te kthesa e tij e kulturës pop që është koncepti i bamirësisë bashkëshortore. Nuk është «bamirësia» e murgeshave të mbyllura në shtëpi, por dashuria e përditshme midis dy njerëzve që zgjedhin të ndërtojnë një jetë së bashku. Një dashuri që nuk e fshin erosin, por e pastron dhe e lartëson atë. Papa Françesku, që citohet shpesh në dokument, e përshkruan atë me fjalët e letrës së parë të Shën Palit drejtuar Korintianëve (1 Korintianëve 13): «durim, mirësi, mos të tregohemi arrogantë, mos të mendojmë keq». Është dashuria që bëhet arti i të jetuarit së bashku. Dhe arti, ashtu si poezia, kërkon praktikë, disiplinë, aftësinë për ta shndërruar lëndën e parë të jetës në diçka të bukur. Seksualiteti, në këtë vizion, nuk është një problem që duhet kontrolluar, por një gjuhë. Një gjuhë që, në martesë, thotë: « Unë të dhuroj veten plotësisht dhe ty të pranoj plotësisht». Nuk është seksi i konsumit të shpejtë, i mallrave të disponueshme. Është seksi si fjala e mishëruar e premtimit të bërë në altar.

Dhe këtu dokumenti bën një hap tjetër të shkëlqyer: mbron kënaqësinë seksuale si pjesë plotësuese e dashurisë bashkëshortore. Më tej, në dokument, citohet Shën Gjon Pali II kur shkruan se «nuk është në asnjë mënyrë e papajtueshme me dinjitetin e personave që dashuria e tyre bashkëshortore të përfshijë 'kënaqësi' seksuale». Në të vërtetë, kënaqësia, e përjetuar tek vetëdhurimi i plotë, bëhet shprehje gëzimi dhe mirënjohjeje. Ajo shënon fundin e manikeizmit seksual që herë pas here e ka prekur Kishën: nga njëra anë, seksi i ndyrë, nga ana tjetër, dashuria e pastër. Jo, thotë dokumenti «Una Caro». Dashuria e vërtetë bashkon trupin dhe shpirtin. Në këtë pikë, poezia, edhe një herë, na ndihmon ta kuptojmë këtë mirë: kur një poet përshkruan dashurinë, ai flet për shikime, duar, lëkurë, heshtje, jo për shpirtra pa trup.

Dokumenti i dikasterit për Doktrinën e Fesë pohon se monogamia nuk është një instinkt parësor. Është një arritje kulturore. Dhe si e tillë, duhet të edukohet.

Por si e mësojmë ekskluzivitetin, besnikërinë dhe durimin? Edhe këtu, përgjigjja është e çuditshme: përmes bukurisë. Nëpërmjet historive, poezive dhe filmave që rrëfejnë madhështinë e dashurisë së qëndrueshme. Jo duke imponuar rregulla, por duke të bërë të biesh në dashuri me idealin. Poezia, në këtë rast, është një ushtruese e jashtëzakonshme. Të mëson ta shohësh tjetrin në veçantinë e tij. Të stërvit të emërtosh emocione komplekse. Të ofron një gjuhë për të shprehur

Me deklaratën «Una caro», Kisha Katolike merr në sy një rrezik të guximshëm: në vend që ta mbrojë monogaminë me argumente të forta ligjore ose teologjike, ajo ua rrëfen atë njerëzve. Ua beson poetëve. E paraqet si një aventurë thellësisht njerëzore, kërkuese, por edhe kuptimplote. Është një ndryshim paradigme: nga doktrina që shpjegon, te poezia që zbulon; nga magjisteri që dikton ligje, te magjisteri që kap rrahjet e zemrës së njeriut.

Ndoshta në një botë marrëdhëniesh dashurore me çmim të ulët, monogamia nuk është një llogore e vjetër. Është forma përfundimtare e qëndresës poetike. Qëndresë kundër banalizimit të takimeve, reduktimit të tjetrit në një profil, frikës nga thellësia shpirtërore e tjetrit. Zgjedhja për të qenë «një trup» nuk është, pra, bindje ndaj një parimi. Është blerja e një bilete për një udhëtim poetik: një udhëtim që, përmes përsëritjes së përditshme, besnikërisë dhe faljes, transformon dy «Unë» në një «Ne», në gjendje të përqafojnë botën.

Siç pat thënë një «poet nga Nazareti», «Nga kjo do ta dinë të gjithë se ju jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin». Ndoshta, sot, ajo dashuri fillon me dy vetë. Dhe poezia është gjuha e saj e parë, e pazëvendësueshme.

Sa bukuri ka «Një i/e dashur»!

nga Imzot Antonio Staglianò, ipeshkëv President i Akademisë Papnore të Teologjisë

17 janar 2026, 10:49