Kërko

2025.09.05 Mons. Gabriele Caccia davanti all assemblea generale dell ONU

Imzot Caccia: e drejta ndërkombëtare të parashikojë masa të qarta për krimet kundër njerëzimit

Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB, imzot Gabriele Caccia foli në sesionin e parë të komitetit organizues të Konferencës Diplomatike të përfaqësuesve të plotfuqishëm për parandalimin dhe dënimin e krimeve. Secili shtet mbetet «vendi kryesor për hetim dhe ndjekje penale», por bashkëpunimi ndërkombëtar duhet të shqyrtojë ngjarjet ndërkombëtare. Vëmendje duhet t'i kushtohet, gjithashtu, vuajtjeve dhe viktimave, të cilat «kërkojnë drejtësi, mbrojtje dhe ndihmë».

R.SH. Vatikan

Përballë rritjes në shumë vende të «shkeljeve të shenjtërisë së jetës njerëzore» dhe mungesës së «përgjigjeve të përbashkëta, me pasoja për «fëmijët, gratë dhe anëtarët e pakicave etnike dhe fetare», të cilët «vazhdojnë të persekutohen, dhunohen dhe vdesin në mënyra që kundërshtojnë dinjitetin njerëzor dhe ndërgjegjen morale të njerëzimit», nevojiten «masa parandaluese që japin rezultat». Kështu deklaroi arqipeshkvi imzot Gabriele Caccia, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, i cili foli të hënën, më 19 janar, në Nju Jorknë debatin e përgjithshëm të sesionit të parë të komitetit përgatitor për Konferencën Diplomatike të përfaqësuesve të plotfuqishëm të Kombeve të Bashkuara për parandalimin dhe ndëshkimin e krimeve kundër njerëzimit. «Selia e Shenjtë», tha imzot Caccia, «shpreson te një dialog i hapur dhe konstruktiv, të vëmendshëm kundrejt shqetësimeve të përligjura të të gjitha delegacioneve, me qëllim që të gjendet një përgjigje efektive dhe e qëndrueshme për krimet kundër njerëzimit».

Të gjendet një mirëkuptim më i gjerë

Në fjalimin e tij, arqipeshkvi Caccia raportoi gjithashtu se Selia e Shenjtë e mirëpriti nisjen e punimeve të këtij komisioni, dhe vlerësoi mundësinë që ofron ky organizëm «për të shqyrtuar në mënyrë të saktë dhe të menduar», rreth krimeve të tilla, gjë që është «një nga sfidat më serioze» të kohës së tashme. Meqë krimet kundër njerëzimit janë të ndaluara nga e drejta ndërkombëtare zakonore, ato duhet të parandalohen me masa të qarta, bazuar pikërisht në atë ligj, shtoi diplomati i Vatikanit, «me qëllim ruajtjen e ligjit, promovimin e besimit midis shteteve dhe gjetjen e një konsensusi sa më të gjerë të mundshëm». Prandaj, është e rëndësishme të mbahet mend se «dialogu kërkon marrëveshje rreth fjalëve dhe koncepteve të përdorura». Po ashtu, shtoi imzot Caccia, «rizbulimi i kuptimit të fjalëve është ndoshta një nga sfidat kryesore të kohës sonë», siç theksoi Papa Leoni XIV më 9 janar, duke iu drejtuar trupit diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë.

Rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar

Sipas Vëzhguesit të Përhershëm të Selisë së Shenjtë pranë OKB-së imzot Gabriele Caccia-s, ende sot është e vlefshme thirrja e bërë nga Papa Piu XII në vitin 1953, për krimet kundër civilëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo thirrje bëhej në mënyrë që të miratohej një marrëveshje ndërkombëtare për të «treguar qartë krimet që duhen ndaluar» dhe për të përcaktuar «karakteristikat e tyre me saktësi ligjore», e që të krijohej mbrojtja e nevojshme. Shtetet kanë «detyrën kryesore për të parandaluar dhe luftuar krimet kundër njerëzimit». Prandaj, ligji i secilit vend mbetet «mjeti kryesor për hetim dhe ndjekje penale», por kur krimet marrin përmasa ndërkombëtare, ligji ndërkombëtar duhet t’i shqyrtojë dhe të mbështesë kombet «që nuk kanë aftësi për të përmbushur si duhet detyrimet e tyre». Prandaj, bashkëpunimi duhet të forcojë «parimin që sistemet ligjore të plotësojnë njëri-tjetrin, si edhe garantimin e procesit të rregullt ligjor dhe respektit të plotë për të drejtat themelore të njeriut».

Procedura të drejta dhe respekt për viktimat dhe dëshmitarët

Pozicioni i viktimave duhet të jetë gjithashtu në qendër të përpjekjeve që të parandalohen krimet kundër njerëzimit, theksoi më tej Vëzhguesi i Përhershëm i Vatikanit pranë OKB-së, imzot Caccia. Vuajtjet e tyre «kërkojnë drejtësi, mbrojtje dhe ndihmë», si dhe garanci ligjore, në mënyrë që «zërat e tyre të dëgjohen dhe dinjiteti i tyre të mbrohet». Në mbyllje, imzot Gabriele Caccia bëri thirrje për «procedura të drejta» dhe për «respektim të plotë të të drejtave themelore të njeriut», si për viktimat ashtu edhe për dëshmitarët.

20 janar 2026, 16:01