Kard. Koch dhe Patriarku Bartolomeu: për ekumenizmin nevojitet angazhim i përbashkët
R.SH. - Vatikan
"Bashkimi dhe dëshmia e përbashkët nuk janë vetëm ndër objektivat që duhen arritur në fund të rrugëtimit, por edhe realitete që mund të jetohen që sot": këtë ka nënvizuar kardinali Kurt Koch, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Nxitjen e Unitetit të të Krishterëve, në një mesazh dërguar Imzot Giuseppe Satriano-s, kryeipeshkvit të Bari-Bitonto-s, Itali, me rastin e etapës së dytë të konferencës (përfunduar të dielën, 18 janar) të promovuar nga Komuniteti i Jezusit, me titull: Biseda midis katolikëve dhe ortodoksëve në Shpirtin Shenjt.
"Që nga titulli duket qartë - nënvizon kardinali Koch - se nuk bëhet fjalë për një ngjarje thjesht akademike, por për një përvojë takimi dhe bashkëndarjeje të përvojave të jetës shpirtërore. Kjo zgjedhje është veçanërisht e përshtatshme - vazhdoi ai - pasi protagonisti i vërtetë i rrugëtimit ekumenik është Shpirti Shenjt dhe shpirti i të gjithë angazhimit për rivendosjen e bashkësisë së plotë midis të pagëzuarve në Krishtin është ekumenizmi shpirtëror, i cili kërkon mbi të gjitha lutje dhe përtëritje të brendshme".
Të punojmë së bashku
Për kardinalin Koch, janë "të shumta fushat baritore, kulturore dhe bamirëse në të cilat besimtarët që u përkasin Kishave të ndryshme mund të punojnë së bashku duke ofruar një dëshmi të fesë së tyre në Jezu Krishtin". Të njëjtin mendim ndau edhe Patriarku ekumenik i Kostandinopojës Bartolomeu, i cili evidentoi në mesazhin e tij se "bashkëpunimi dhe bashkësia midis Kishave dhe angazhimi personal i çdo besimtari nuk mund të reduktohet në një qëndrim thjesht filantropik apo në një bashkëpunim etiko-social. Ato kanë nevojë për shoshitje të vërtetë, për dialog teologjik dhe për një lëvizje lutjeje, soditjeje dhe liturgjie të shndërrimit".
Njeriu dhe kozmosi
Sipas Patriarkut Bartolomeut, "Bashkimi dhe dëshmia në dritën e Shpirtit Shenjt do të thonë të gjallërosh çdo veprim, nga shkenca te politika, për të identifikuar lidhjen e ngushtë ekzistuese midis antropologjisë dhe kozmologjisë, midis njeriut dhe kozmosit. Ne mund ta jetojmë bashkiminë - vazhdoi ai - dhe marrëdhënien trinitare e për rrjedhojë të japim një dëshmi të përbashkët vetëm nëse arrijmë të realizojmë te ne një njeri të ri, kripë të tokës, me vepër të Shpirtit Shenjt, në Krishtin, duke u shndërruar si qiej të rinj dhe tokë e re në një perspektivë eskatologjike, si ikonat që shfaqin Trininë Shenjte në një bashkim të amshuar dashurie".
Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve
Përvoja të këtij lloji dhe takime programatike po shtohen gjatë kësaj jave që është Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, këtë vit 2026 me temën: “S’ka veçse një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm ‑ sikurse edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes suaj. (Ef 4,4). Java u hap të dielën, më 18 janar dhe të dielën e ardhshme, 25 janar, në solemnitetin e kthimit të Shën Palit, Papa Leoni XIV do ta përfundojë atë duke kremtuar lutjen Mbrëmësore në Bazilikën e Shën Palit, jashtë Mureve, në Romë, në orën 17:30.