Kërko

Kardinali Parolin në Kishën e Zojës së Arabisë në Ahmadi Kardinali Parolin në Kishën e Zojës së Arabisë në Ahmadi

Kard. Parolin në Kuvajt: mes sfidave të botës, Jezusi është "strehë e paqes" për njerëzimin

Gjatë një vizite zyrtare, në vendin e gadishullit arabik, Sekretari i Shtetit të Vatikanit kremtoi Meshën në konkatedralen e Familjes Shenjte e, gjatë predikimit, theksoi se një territor i ndarë ndërmjet shkretëtirës dhe detit është gjithnjë në gjendje të mirëpresë njerëz nga kultura të ndryshme, gjithnjë në kërkim të një ardhmërie më të mirë. Duke u takuar me përfaqësues të klerit vendas, i ftoi të jenë "meshtarë të dashurisë, jo të përsosmërisë".

R.SH. / Vatikan

Një tokë që përqafon shkretëtirën dhe detin, elementë simbolikë të "heshtjes" dhe "drejtimit", bashkuar në mirëpritjen e brezave të njerëzve nga kultura të ndryshme, ardhur në Kuvajt mes sfidave të panumërta të botës, në kërkim të një "strehe paqeje", të cilën e gjetën te Jezusi. Kështu e përshkroi Kardinal Sekretar i Shtetit të Vatikanit, Pietro Parolin, Gadishullin Arabik, ku ndodhej për vizitë zyrtare më 14 e 15 janar.

Mesha në bashkëkatedralen e Familjes Shenjte

Pas një sërë diskutimesh institucionale me Sheikh Ahmad Abdullah Al-Ahmad Al-Sabah, Kryeministër i Kuvajtit, kardinali Parolin kremtoi Meshën në bashkë-katedralen e Familjes Shenjte, me rastin e 65-vjetorit të shugurimit të saj, duke përcjellë "përshëndetjet e përzemërta" dhe "afërsinë shpirtërore" të Papës Leoni XIV. Vend "takimi për dialog ekumenik dhe ndërfetar, strehë e sigurt dhe hapësirë ​​paqeje e harmonie": kështu e përshkroi Kardinali Parolin Kon-Katedralen në predikimin e tij, duke theksuar aftësinë e saj për të ushqyer "jetën shpirtërore të besimtarëve të panumërt, që erdhën për të jetuar e për të punuar në Kuvajt nga mbarë bota", të tërhequr nga shpresa për një të ardhme më të mirë.

Shkretëtira, si një vend heshtjeje dhe dëgjimi

Duke kujtuar Familjen e Shenjtë të Nazaretit, së cilës iu kushtua Kisha Katedrale, Kardinali Parolin theksoi rëndësinë e familjes si "hapësirë ​​e privilegjuar, në të cilën Zoti zgjedh të zbulojë veten". Duke u përqendruar në konformacionin unik gjeografik të vendit, pezull ndërmjet detit e shkretëtirës, ​​Kardinali Parolin ofroi një reflektim mbi këta elementë në historinë e shpëtimit. Shkretëtira, shpjegoi ai, nuk është vetëm "hapësirë ​​ vetmie fizike", por vend ku Zoti i priu popullit të tij "për të vendosur një besëlidhjen dhe për të treguar afërsinë e tij, duke i mbështetur gjatë rrugës". Hapësirë ​​e ngulitur në "pedagogjinë" hyjnore, ajo fton heshtjen dhe dëgjimin. Nga shkretëtira u ngrit zëri i Gjon Pagëzuesit, i cili edhe sot "vazhdon të na ftojë t’i hapim zemrat, në mënyrë që Jezu Krishti të hyjë në tempullin e jetës sonë".

Deti, udhërrëfyes për njerëzit e Gjirit Arabik

Kardinali Parolin, më pas, u përqendrua tek deti, element “me rëndësi të fuqishme për shoqëritë që jetojnë rreth ujërave të Gjirit Arabik", i përshkruar shpesh si "pasqyra e shkretëtirës". Në kohët e lashta, njerëzit mësonin të lexonin yjet, në mënyrë që të mos humbisnin "në pafundësinë e rërave" e, po në këtë mënyrë, i kushtonin vëmendje "shkretëtirës blu", detit, i cili "kërkon të njëjtin respekt, të njëjtin guxim dhe, mbi të gjitha, të njëjtën vartësi nga Krijuesi". Deti, kujtoi në vijim, siguroi edhe sfondin për takimin e Jezusit me dishepujt e tij, kapjen e mrekullueshme të peshkut dhe udhëtimin e tij nëpër kushte stuhie.

Bashkësitë e pasura e të larmishme në Kuvajt

Bashkë-Katedralja, e vendosur ndërmjet "pafundësisë së rërave të shkretëtirës" dhe "horizontit të pafund të Gjirit", qëndron kështu si "yll shpirtëror" që u prin hapave të atyre që jetojnë në shkretëtirë larg shtëpisë dhe të atyre që lundrojnë në "shkretëtirën blu" me shikimin e fiksuar në jetën e amshuar. Një kujtesë e vazhdueshme e dritës "që Zoti e bën të shkëlqejë mbi popujt e të gjitha kombeve", duke kujtuar se, mes sfidave të botës, ekziston një strehë paqeje ku besimi shërben si busull - e Jezu Krishti është porti i sigurt për mbarë njerëzimin. Kardinali Pietro Parolin e përfundoi homelinë e tij duke kujtuar shumëllojshmërinë e bashkësive të krishtera që mblidhen çdo ditë në Bashkë-Katedrale, "të pasura e të larmishme - besnike të riteve të ndryshme, nga Lindja dhe Perëndimi - shenjë e katolicitetit të Kishës: unitet në diversitet".

Takim me klerin dhe rregulltarët e Vikariatit Apostolik të Arabisë Veriore

Më pas, duke u takuar me klerin dhe rregulltarët e Vikariatit Apostolik të Arabisë veriore, gjithnjë pranë Bashkë-Katedrales, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin përcolli përsëri përshëndetjet e Papës, i cili "ndjek me shumë vëmendje veprimtarinë e kësaj Kishe misionare". Duke i bërë jehonë fjalëve të Leonit XIV me rastin e Jubileut për meshtarët qershorin e kaluar, Kardinali Parolin i nxiti ta jetojnë shërbesën e tyre me dashuri dhe jo me ndjekjen "e përsosmërisë": me gëzimin dhe vetëdijen "e të zgjedhurve dhe të dashurve nga Zoti". Gjatë kremtimeve të Vitit Shenjt kushtuar jetës së shuguruar, Papa i nxiti ta kapërcenin "individualizmin fetar", duke jetuar misionin e tyre në dritën e tri foljeve: të kërkojnë, duke njohur mungesën e tyre të vetëmjaftueshmërisë; të kërkojnë, duke zbuluar vullnetin e Zotit në çdo veprim dhe të trokasin, duke iu lutur Zotit të bëhet "gjithçka" e tyre.

Të vazhdohet misioni në periferi

Një tjetër thirrje, që u përsërit nga Kardinali Parolin, ishte të mos e lejojmë veten të na mposhtë "disfatizmi", por të vazhdojmë misionin në "periferi", veçanërisht në Gadishullin Arabik, "ku – theksoi - bashkësitë e krishtera përbëhen nga besimtarë të riteve dhe gjuhëve të ndryshme dhe ku ju vetë jeni shenjë e universalitetit kishtar". Kardinali më në fund, kujtoi dëshminë e shenjtorëve që punuan për të paqen dhe unitetin: nga Shën Françesku i Asizit - te Shën Charles de Foucauld; nga Shën Josephine Bakhita - te Shën Daniel Comboni

16 janar 2026, 12:50