Kërko

Në foto: Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kard. Pietro Parolin në Meshën për Shën Pier Giorgio Frassatin, Romë. Në foto: Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kard. Pietro Parolin në Meshën për Shën Pier Giorgio Frassatin, Romë.

Kardinali Pietro Parolin: shqetësim i madh për tragjedinë e pafundme në Iran

Në përfundim të kremtimit eukaristik gjatë të cilit u ekspozuan reliket e Shën Pier Giorgio Frassati-t, sot, më 17 janar, në Romë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kard. Pietro Parolin shprehu çudi se si, në Lindjen e Mesme, «është e mundur të sulmosh popullin tënd». Ai përmendi përpjekjen për të arritur një marrëveshje me Venezuelën për shmangien e gjakderdhjes dhe kërkoi solidaritet me brezat e rinj në lidhje me vdekjen tragjike të studentit të therur me thikë në La Spezia.

R.Sh. Vatikan

«Shqetësim i madh për tragjedinë e pafundme» që po trondit Iranin, dhe pyetja «si është e mundur të sulmosh popullin tënd» u dëgjuan qartë në fjalët e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kard. Pietro Parolin, sot pasdite pas Meshës në Domus Mariae, në Romë. Më pas, kard. Parolin shprehu angazhimin e Selisë së Shenjtë për zgjidhje paqësore në Venezuelë, ku Vatikani ishte përpjekur të arrinte një «marrëveshje» që nuk do të shkaktonte gjakderdhje. Më pas, kardinali Parolin përmendi vlerën e multilateralizmit për zgjidhjen e situatës në Groenlandë. 

«Tragjedia e Pafundme» në Iran

Lidhur me Iranin, kardinali Parolin shprehu «shqetësim të madh«. «Pyes veten», tha ai, «si është e mundur të sulmosh popullin tënd. Fakti që ka pasur kaq shumë të vrarë është një tragjedi e pafundme». Prandaj, vijoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, shpresojmë se mund të arrihet një zgjidhje paqësore për gjendjen aktuale.

Përpjekjet për marrëveshje me Venezuelën

Duke folur në lidhje me Venezuelën, kard. Parolin ripohoi angazhimin e vazhdueshëm të Selisë së Shenjtë për zgjidhje paqësore të krizës. «Ne u përpoqëm të gjenim një zgjidhje që do të shmangte çdo gjakderdhje, ndoshta edhe duke arritur një marrëveshje me Maduron dhe anëtarë të tjerë të regjimit, por kjo nuk qe e mundur.» Kardinali Parolin më tej tha se shpreson se gjendja e tashme e kësaj «pasigurie të madhe» do të shkojë drejt «stabilitetit», dhe  rimëkëmbjes ekonomike, «sepse gjendja ekonomike është vërtet shumë e pasigurt», dhe gjithashtu drejt «demokratizimit të vendit».

Multilateralizmi për zgjidhjen e çështjes së Groenlandës

Në lidhje me pyetjen rreth Groenlandës dhe tensioneve që ndikojnë në politikën ndërkombëtare, Sekretari i Shtetit të Vatikanit theksoi me forcë vlerën e multilateralizmit. «Zgjidhjet me forcë nuk mund të përdoren», paralajmëroi ai, duke kujtuar frymën e bashkëpunimit që karakterizoi periudhën pas Luftës së Dytë Botërore dhe që sot duket se po dobësohet shkallë-shkallë. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve dhe pohimi i pozicioneve të dikujt vetëm nëpërmjet forcës, përveçse është «e papranueshme», do të çojë në përshkallëzim gjithnjë e më të madh dhe në «luftë në arenën e politikës ndërkombëtare».

Ndihma për të rinjtë

Në fund, duke u përqendruar te vdekja tragjike e një studenti që u ther me thikë nga një shok shkolle në La Spezia, kardinali theksoi rëndësinë e arsimit si përgjigje parësore. Krahas masave të nevojshme të sigurisë – të cilat vetëm nuk janë të mjaftueshme – është e nevojshme të «ndihmohen të rinjtë të reflektojnë, të vlerësojnë gjërat pozitive, që të mos rrokullisen gjithnjë e më poshtë». Një udhëzues i qartë, i përmbledhur në një formulë është ky: «më shumë arsim sesa shtypje të kriminalitetit».

17 janar 2026, 21:19