Kërko

Në foto: Kardinali Pietro Parolin gjatë fjalimit të tij sot. Në foto: Kardinali Pietro Parolin gjatë fjalimit të tij sot.

Kard. Pietro Parolin: sot përdorimi i forcës e kapërcen ligjin. Duhet kthim te multilateralizmi

Sot, Sekretari Kardinal i Shtetit të Vatikanit mbajti fjalën kryesore në konferencën «Veprimi diplomatik i Selisë së Shenjtë përballë sfidave të reja nëpër botë», organizuar nga Akademia Papnore Kishtare. Në fjalën e vet, kard. Parolin nënvizoi se multipolarizmi mbizotërues shtyn drejt «një paqeje të armatosur» ose «vendosjes së një klime mosbesimi të ndërsjellë mes shteteve». Largpamësia dhe realizmi i shëndetshëm janë të nevojshëm që të jemi «paqebërës».

R.Sh. Vatikan

Paqja dhe drejtësia, zëra që vazhdojnë të ngrihen në vise të ndryshme të botës si shtylla të rendit botëror. Dënimi i përdorimit të forcës për të zgjidhur konfliktet, nevoja për zgjidhje që përfshijnë arsimin, trajnimin dhe kërkimin, diplomacia si mënyrë për të ndërtuar të mirën e përbashkët, dhe – për ata që punojnë në Selinë e Shenjtë – angazhimi për të kuptuar vuajtjet e njerëzve dhe për t'i shëruar ato me shpresë ungjillore. Këto janë disa nga pikat që Kardinali Pietro Parolin theksoi në fjalimin e tij, «Paqja dhe Drejtësia në veprimtarinë diplomatike të Selisë së Shenjtë përballë sfidave të reja». Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë foli në konferencën e sotme të mëngjesit, më 17 janar 2026, në sallën dukale të Pallatit Apostolik, me rastin e 325-vjetorin të themelimit të Akademisë Kishtare Papnore. Konferenca u përqendrua te tema «Veprimi diplomatik i Selisë së Shenjtë përballë sfidave të reja në botë».

Si kardinal mbrojtës dhe kancelar i madh i Akademisë Kishtare Papnore, kard. Parolin, në ditën e festës së Shën Ndout Abat, pajtor qiellor i këtij institucioni, kujtoi qëllimin e akademisë: të përgatisë meshtarë të rinj për shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë, duke u bërë – siç theksoi ai – «paqebërës». Në fjalën e tij, Sekretari i Shtetit të Vatikanit vuri në dukje «gjendjen, pak të thuash, kritike të marrëdhënieve ndërkombëtare», që karakterizohet nga «plagët e luftës, përçmimi i jetëve njerëzore, shkatërrimi, pasiguria dhe ndjenja e përhapur e çoroditjes». Forca e armëve dhe vullneti për pushtet tani mbështesin vendimet politike, dhe në këtë kuptim, duhet të pranojmë se «rendi ndërkombëtar nuk është më ai që ishte 80 vjet më parë, kur u themelua OKB-ja, Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe format e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit midis shteteve, të formuluara sipas dhe brenda kuadrit të së drejtës ndërkombëtare», u shpreh kard. Pietro Parolin.

Forca zëvendëson drejtësinë, lufta zëvendëson paqen

«Brishtësia e strukturave globale, rritja e tensioneve edhe në situata që dukeshin të qeta, rritja e llojeve të ndryshme të krimeve ndërkombëtare, zgjerimi i hendekut midis niveleve të zhvillimit të popujve dhe vendeve të ndryshme» janë pasoja të forcës që zëvendëson drejtësinë dhe luftës që zëvendëson paqen. Siguria, theksoi kardinali, kërkon një qasje më të gjerë duke nisur nga ushqimi, arsimi dhe kujdesi shëndetësor e deri te liria fetare, «e cila duhet të jetë e sigurtë, edhe kur ka dhunë» nga ata që e interpretojnë hyjnoren si diçka tokësore. Kjo vë në pikëpyetje parime «të tilla si e drejta për vetëvendosje e popujve, sovraniteti territorial dhe rregullat që rregullojnë vetë luftën. Në fakt, ne po dëshmojmë relativizimin e të gjithë aparatit të ndërtuar nga e drejta ndërkombëtare për fusha të tilla si çarmatimi, bashkëpunimi për zhvillim, respektimi i të drejtave themelore, pronësia intelektuale, tregtia dhe tranziti tregtar», vijoi më tej kard. Parolin.

Multilateralizmi në krizë

Prandaj është e nevojshme të jepen përgjigje dhe zgjidhje efektive «të cilat braktisin idenë e përdorimit të forcës, dëshirën për pushtet dhe përbuzjen e rregullave». «Është koha», pohoi kard. Parolin, «të kontribuojmë për zhvillimin e një doktrine që i përgjigjet situatës së sotme, një doktrine që është njëkohësisht një propozim edukativ, trajnues dhe kërkimor». Kjo është rruga që Selia e Shenjtë po ndjek nëpërmjet diplomacisë, «duke parë te çdo nivel aktiviteti dhe përgjegjësie mundësinë e mënyrave dhe mjeteve që garantojnë një rend ndërkombëtar të bazuar në drejtësi dhe në të cilin fillimi dhe fundi është paqja».

Sekretari i Shtetit të Vatikanit theksoi se «ndërgjegja dhe arsyeja» nuk janë më në gjendje të tolerojnë «shkeljet e sovranitetit në format më të larmishme, shpërnguljet me forcë të popujve të tërë, ndryshimet në përbërjen etnike të territoreve, mohimin e mjeteve të nevojshme për ekonominë ose kufizimin e lirive». Sistemi shumëpalësh i marrëdhënieve ndërkombëtare është në krizë të thellë. Kjo gjë vërehet në «përdorimin e rregullave që i zëvendësojnë ato, në forma marrëveshjeje të bazuara vetëm në avantazhin dhe interesat e një pakice, dhe në pamundësinë për të shqyrtuar çështjet e përbashkëta nëpërmjet zgjidhjeve ku përfshihen të gjithë».

Multipolarizmi

Nga multilateralizmi kemi kaluar në një multipolarizëm, i cili ka si tipar kryesor «përdorimin e konfliktit – ushtarak, ekonomik, ideologjik – i cili gjithashtu mbështet orientimet politike dhe sistemet e aleancave». Sipas kard. Pietro Parolin, «e drejta e shteteve për të garantuar sigurinë e tyre nuk autorizon fillimin e veprimeve parandaluese ose sulmeve në mënyra që shmangin gjithnjë e më shumë të drejtën ndërkombëtare». Paqja, sipas besimit të përbashkët, duket e mundur nëse armiku shkatërrohet dhe armiku «mund të bëhet një popull, një etni, një institucion ose një hapësirë ​​ekonomike që i bie ndesh vizionit të më të fortit të momentit».

Nevojitet veprim vendimtar

Sipas kardinalit Parolin, po përhapet «përbuzja për paqen dhe drejtësinë», dhe kjo manifestohet në mënyra gjithnjë e më të dhunshme. Po ashtu, edhe «qëndrimet që mbajnë disa prej protagonistëve të jetës ndërkombëtare e që bien ndesh me idenë dhe objektivin e së mirës së përbashkët» nuk mund të injorohen. Vetëm veprimi shumëpalësh, vazhdoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, «mund të parandalojë, zgjidhë ose t’u japë rrugë» padrejtësive që shkaktojnë konflikte. Ne duhet t'i kundërvihemi mendësisë se lufta zgjidh problemet, kur në të vërtetë ajo është «çnjerëzore dhe çnjerëzuese». Ripërtëritja e institucioneve ndërqeveritare duhet të inkurajohet, duke i bërë ato funksionale.

«Largpamësia dhe realizmi i shëndetshëm» është «mënyra për të kapërcyer ndjenjën e pafuqisë që mund të lindë, dhe për të siguruar kushte që mund të kapërcejnë dhimbjen dhe ankthin e viktimave të konflikteve dhe padrejtësive». Sipas Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Parolin, kjo do të thotë se duhet të jemi një me problemet dhe jetën e individëve, popujve dhe shteteve, me Dritën që vjen nga i Ngjalluri dhe angazhimin për t'ua çuar Lajmin e Mirë të gjithë popujve".

Imzot Pennacchio: Ripërtëritje në Vazhdimësi

Në përshëndetjen e tij, kryetari i Akademisë Kishtare Papnore, imzot Salvatore Pennacchio, falënderoi Papa Leonin për mesazhin e tij, duke theksuar se «përgatitja teknike dhe shkencore, ndonëse e nevojshme, nuk mund të ndahet nga një jetë e brendshme e fortë». Prelati, duke kujtuar rrugëtimin e reformës së Akademisë, të cilën e pati nisur Papa Françesku me dokumentin «Shërbesa Pjetrine», tha se kremtimi i 325-vjetorit të institucionit do të thotë ta shikosh historinë si «një trashëgimi të gjallë, duke u përballur me të tashmen me përgjegjësi dhe duke e parë të ardhmen me besim, me dijeninë se Akademia Kishtare Papnore duhet të ripërtërihet vazhdimisht, gjë që është në identitetit e saj dhe i shërben misionit të Selisë së Shenjtë».

Drejtori shkencor i Akademisë, prof. Buonomo: Historia e një reforme të gjatë

Në fjalimin e tij, drejtori shkencor i akademisë, prof. Vincenzo Buonomo, rishikoi hapat e reformës PAE, e cila kështu u ofron studentëve «një arsim që ndërthur studimin e disiplinave ligjore, historike, politike dhe ekonomike me përsosmërinë shkencore». «Ky është një program akademik i pasur», shpjegoi ai, «i cili përfshin stazhe në Sekretarinë e Shtetit të Selisë së Shenjtë dhe përfaqësitë diplomatike papnore, si dhe një vit misionar jashtë dioqezës së origjinës.» Një rrugë për të përvetësuar elementët përbërës të veprimit diplomatik të Selisë së Shenjtë «dhe aftësinë e saj për të vepruar, negociuar, kapërcyer pengesat dhe për të zbatuar veprime konkrete për paqen, lirinë fetare për të gjithë besimtarët dhe rendin midis kombeve».

Dekani Poulides: Diplomacia, një rrugë drejt paqes

Dekani i ambasadorëve të Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, George Poulides, kujtoi se shtrirja e dorës periferive të botës është një mision i vërtetë sepse diplomacia ka si detyrë të jetë zëri i atyre që nuk kanë zë. Duke e sjellë shikimin nga ambasadorët e paqes si Shërbëtori i Nderuar i Hyjit, Piu XII, Shën Gjoni XXIII dhe Shën Pali VI, të cilët punuan në gjendje luftrash, dekani Poulides theksoi se Selia e Shenjtë ka qenë gjithmonë një «zë paqeje», i dialogut me të gjithë. «Vetëm duke konfirmuar besimin tonë të plotë në diplomaci si mjet për mirëkuptim të ndërsjellë, do të jemi në gjendje të nderojmë angazhimin e atyre që na paraprinë në këtë shërbim ndaj njerëzimit, kur themeluan Organizatën e Kombeve të Bashkuara, pikërisht tetëdhjetë vjet më parë. «Ky përvjetor», përfundoi ai, «na bën të gjithëve të shpresojmë për një promovim gjithnjë e më të ripërtërirë dhe forcim të vazhdueshëm të institucioneve ndërkombëtare dhe rajonale që përbëjnë hapësira mirëkuptimi midis popujve».

17 janar 2026, 16:05