Kardinali Radcliffe: mësimdhënia e fesë me dhembshuri
R.SH. / Vatikan
Kardinali Timothy Radcliffe
Mësimdhënia e mirë është fryt i kësaj zemre të ndarë. Kjo është hapësira në të cilën Sinodi mori formë, duke u vendosur pikërisht në mes të këtij tensioni ndërmjet të vërtetave të fesë tonë dhe të vërtetave të jetës së ndërlikuar të njerëzve. Papa Françesku deklaroi se dokumenti përfundimtar i Sinodit "bën pjesë në Magjisterin e zakonshëm të Pasardhësit të Pjetrit (krh. EC 18 § 1; CCC 892) dhe si i tillë, kërkoj që të pranohet. Sinodi përfaqëson një formë ushtrimi të mësimit autentik të Ipeshkvit të Romës. Autoriteti i tij rrjedh nga kjo besnikëri e dyfishtë: ndaj Ungjillit dhe ndaj shpresave dhe vuajtjeve të popullit të Zotit.
Në këtë hapësirë ndodh takimi me Zotin, sepse Zoti banon në hapësirën ndërmjet krahëve të kerubinëve mbi Arkën e Besëlidhjes. Ose në hapësirën e zbraztë të një varri në mëngjesin e Pashkëve. Qendra e mësimdhënies sonë është një njeri i varur ndërmjet qiellit dhe tokës mbi një kryq, fjalët e fundit të të cilit, sipas Ungjijve të Markut dhe Mateut, ishin pyetje.
Këtë hapësirë ne meshtarët e zëmë si mësues. Është pozicion i vështirë, mbasi disa kërkojnë qartësi, që mund të na pengojë ta njohim praninë e Zotit në përpjekjet tona të përditshme, ndërsa të tjerë e flakin poshtë mësimin e Kishës, si të parëndësishëm, ose të vjetëruar. Disa pretendojnë se dinë gjithçka me një siguri shqetësuese, ndërsa të tjerë s’i zë gjumi nga dyshimi. Më kujtohen fjalët e poetit irlandez W.B. Yeats, shkruar pasi Lufta I Botërore që rrënoi Belgjikën: "Më të mirët nuk kanë asnjë bindje, më të këqijtë / janë plot me intensitet pasional".
Pra, si duhet ta jetojmë këtë tension dhe ta mësojmë fenë? Para së gjithash, me dhembshuri. Ndër Ungjij, mësimi i Jezusit është akt dhembshurie. Marku na tregon se para shumëzimit të bukëve për pesë mijë veta, Jezusi pa turmën e madhe dhe "pati dhembshuri për ta, sepse ishin si dele pa bari; e nisi t'u mësonte shumë gjëra" (Marku 6,34). Ata i ushqen mësimi i dhembshur. Sipas traditës katolike, mësimi është akt mëshire shpirtërore. Çdo mësim dhe predikim buron nga dhembshuria për jetën dhe përvojat e njerëzve.
Një mjeshtër fillestar dominikan në provincën time rregulltare, një shekull më parë, tha: "Duajini ata, të cilëve u predikoni. Nëse nuk i doni, mos u predikoni atyre, predikojini vetvetes". Do të jemi mësues të mirë vetëm nëse i hapim zemrat tona ndaj gjithçkaje që e përvetësojnë të tjerët. Në një farë mënyre, duhet të bëhemi njëri prej tyre, duke i njohur marramendjen dhe dështimet nga brenda, ashtu si Zoti u bë njëri prej nesh, "si ne në gjithçka, përveç mëkatit".
Të banosh në atë vend ndërmjet një shkëmbi dhe një vendi të vështirë, ndërmjet mësimeve të Kishës dhe jetës së popullit tonë, do të thotë t'i bësh pyetjet e anëtarëve të saj tonat. Nuk duhet të mendojmë se mësimdhënia është thjesht dhënia e përgjigjeve për pyetjet e të tjerëve. E kam përmendur tashmë episodin e kryeipeshkvit i cili e këshilloi një grup fillestarësh dominikanë të studionte veprën Summa Theologiae e Tomës së Akuinit me 56.000 përgjigje për çdo pyetje që do të hasnin ndonjëherë. Po e përsëris: Shën Toma do të kishte mbetur i shkandulluar!
Mësimdhënia nis kur guxojmë të përqafojmë pyetjet që digjen ndër zemrat e njerëzve dhe t'i bëjmë ato disi tonat, në lutje dhe reflektim.
Tomáš Halík argumenton se thirrja e vështirë e Shën Terezës së Lisieux ishte të bashkohej me ateistët. Franca e shekullit të nëntëmbëdhjetë qe përplot me antiklerikalizëm dhe ateizëm radikal, por kjo ishte bota e saj. Halík vëren: "Tereza deklaron se i ndjen ateistët si vëllezër, me të cilët tani ulet në të njëjtën tryezë dhe ha të njëjtën bukë dhe i lutet Zotit të mos e largojë nga ajo tryezë". Ajo donte të ishte në solidaritet me ata jobesimtarë, të pinte kupën e vuajtjeve të tyre, të ndante pyetjet e tyre, ndërsa i lutej Zotit. Vetëm atëherë mund të fillojë mësimdhënia vërtet e dhembshur!
Mësimdhënia kërkon, në mënyrë të pashmangshme, t’i rrokësh pyetjet, për të cilat nuk ka përgjigje të menjëhershme.
* nga Ndërmjet kudhrës dhe çekiçit: Si ta mësojmë fenë sot? në veprën e Timothy Radcliffe, Surpriza e Shpresës: Meditime mbi një Kishë në Lëvizje, Libreria Editrice Vaticana, 2026. Kapitulli riprodhon një konferencë mbajtur gjatë takimit me punonjësit baritorë në dioqezën e Liège, Belgjikë, më 11 mars 2025.