Koncili në mjetet e komunikimit e ftesa për të rizbuluar Vatikanin II
R.SH. - Vatikan
Koncili i 21-të ekumenik i Kishës katolike, nisur nga Papa Gjoni XXIII në vitin 1962, në një kohë transformimesh të thella, përfshirë edhe botën e informacionit, mori një jehonë të gjerë dhe të përhapur që nga çastet e para. Më 11 tetor të vitit 1962, ditën e hapjes solemne të Koncilit të Dytë të Vatikanit, shtypi botëror i kushtoi një hapësirë të gjerë ngjarjes, që e ndryshoi fytyrën e Kishës katolike romake.
Jehona e Koncilit në shtypin botëror
Mjetet e informacionit i dhanë rëndësi të madhe punimeve të Koncilit. Për gazetën franceze "Le Figaro", hapja e tij është "gjest me vlerë të madhe historike"."Fakt paqeje dhe çlodhjeje ndërmjet shteteve", sipas "Le Monde". Titulli i gazetës amerikane "The New York Times", që e quan ngjarjen "projekt i mrekullueshëm e i jashtëzakonshëm për të gjithë botën", plotësohet nga një transmetim i Radios Zvicerane SRF, e cila përdor shprehjen "Koncili i Shpresës". "Erdhi në një kohë shumë të përshtatshme", shkruan "Vanguardia española". Për "Corriere della Sera", është "iniciativa më e guximshme e një Pape". "Kisha", shkruan gazeta, "dëshiron t'i paraqitet botës duke hedhur poshtë përpjekjet për ta konsideruar atë mbi, kundër ose jashtë interesave të njeriut; dëshiron të mbetet e gjallë dhe e fuqishme në histori, jo të përjashtohet". Ndër figurat kryesore të Koncilit të Dytë të Vatikanit, media menjëherë veçoi Kryeipeshkvin e atëhershëm të Milanos, Kardinalin Giovanni Battista Montini, i cili do të ulej në fronin e Pjetrit më 21 qershor 1963 me emrin Pali VI dhe do të përfundonte Koncilin II Ekumenik të Vatikanit, në vitin 1965. Gazeta italiane "Avanti!" theksoi veçanërisht "tonin e tij baritor dhe pajtues".
Hapja e Koncilit në "L'Osservatore Romano"
Një ditë pas ceremonisë solemne të hapjes, gazeta e përditshme e Selisë së Shenjtë, "L'Osservatore Romano", e botoi atë shkrim historik e, në faqen e parë, qenë shtypur këto fjalë: "Drita e së vërtetës, e shenjtërisë dhe e paqes në jetën e Kishës". Fjalimi, i mbajtur nga Papa Gjoni XXIII, u botua latinisht dhe italisht. "Kur Ungjilli i Koncilit, i përhapur gjerësisht në faqet e tij historike dhe ndriçuese, u soll në fronin papnor - lexohet në një artikull në botimin e 12 shkurtit 1962 - vala e dritës së Bazilikës lëshoi reflektime dhe shkëndija nga gravurat e Kodit të lashtë, si të ishte ndezur Fjala e Zotit në çastin kur u përurua Koncili II Ekumenik i Vatikanit". "Gjithmonë, në Koncilet e Kishës", thuhet në një artikull tjetër në faqen e tretë, "Libri i Zotit zuri vendin e nderit në Asambletë e Etërve, duke përforcuar misionin hyjnor e të lashtë të Kishës së themeluar nga Krishti për të mbarështuar, për të përhapur, për të mbrojtur dhe për të ruajtur, në integritetin dhe autenticitetin e saj si udhëzimet e tij të paprekshme, Fjalën e Zotit që përmbante Libri i Shenjtë".
Benedikti XVI, Koncili dhe syri i medias
Një perspektivë e mëtejshme për Koncilin, është ajo e Papës Benedikti XVI. Ky “sy” i dukshëm, të kujton fjalët e thëna gjatë takimit me meshtarët e famullive të Romës, shqiptuar në vitin 2013. Takimi ishte "bisedë e shkurtër rreth Vatikanit II". Koncili "siç e pashë unë", shtoi Papa Ratzinger në atë audiencë, mbajtur vetëm tri ditë pasi njoftoi dorëheqjen nga papnia. Në bisedën e tij me priftërinjtë e famullisë dhe të dioqezës së Romës, Benedikti XVI rishikoi disa aspekte të Koncilit, ngjarje në të cilën mori pjesë së pari si këshilltar teologjik i Kardinalit të Këlnit, Frings e më pas si ekspert.
"Ishte pritje e jashtëzakonshme. Shpresonim se gjithçka do të përtërihej, se do të vinin Rrëshajë të reja, epokë e re për Kishën". Në fjalimin e tij dolën në pah edhe elementë që lidhen me botën e informacionit. "Ishte Koncili i Etërve, Koncili i vërtetë, por edhe Koncili i mediave", kujtoi Benedikti XVI. Pothuajse një Koncil më vete, dhe bota e perceptonte Koncilin përmes tyre, përmes mediave. Prandaj, Koncili që arriti njerëzit me efekt të menjëhershëm ishte ai i mediave, jo ai i Etërve. E ndërsa Koncili i Etërve u zhvillua brenda fesë, "Koncili i gazetarëve", shpjegoi Papa gjerman, u zhvillua "brenda kategorive të mediave së sotme, domethënë jashtë fesë, me një hermeneutikë të ndryshme".
Nxjerrja në pah e forcës së vërtetë të Këshillit
Për mediat, nënvizoi Benedikti XVI në takimin e tij të vitit 2013 me meshtarët e famullive dhe klerin e dioqezës së Romës, "Koncili ishte luftë politike, luftë për pushtet ndërmjet fraksioneve të ndryshme në Kishë". "Ishte e qartë se media do të merrte qëndrimin që dukej më i përshtatshëm për botën e saj. Kishte nga ata që kërkonin decentralizimin e Kishës, pushtetin për ipeshkvijtë e, më pas, përmes frazës 'populli i Zotit', pushtetin e popullit, të laikëve". Ishte edhe një element tjetër. Koncili i i mediave ishte i arritshëm për të gjithë. "Prej këndej, ky ishte sunduesi, më efikasi, që krijoi më shumë fatkeqësi, më shumë probleme, më shumë mjerim të vërtetë: seminare të mbyllura, manastire të mbyllura, liturgji të banalizuar... dhe koncili i vërtetë pati vështirësi të realizohej; koncili virtual ishte më i fortë se koncili i vërtetë". Një mbizotërim që, me kalimin e kohës, ishte i paracaktuar të përmbyset në mënyrë progresive. “Forca e vërtetë e Koncilit ishte e pranishme dhe, gradualisht, realizohej gjithnjë e më shumë e bëhej forca e vërtetë që, më pas, çoi edhe në reformë të vërtetë, në ripërtëritje të vërtetë të Kishës. Më duket se, 50 vjet pas Koncilit - pohoi Benedikti XVI - “shikojmë se si ky Koncil virtual po shkatërrohet, po humbet vetveten, dhe Koncili i vërtetë po duket me gjithë forcën e tij shpirtërore”.
Media sot dhe dokumentet e Koncilit
Në audiencën e tij të parë të përgjithshme të vitit, më 7 janar 2026, Papa Leoni XIV nisi një seri të re katekizmash mbi Koncilin II të Vatikanit dhe nxiti të mësohej rreth kësaj ngjarjeje "nga afër". "Duke iu afruar dokumenteve të Koncilit dhe duke rizbuluar rëndësinë e tyre profetike në kohë", tha Ati i Shenjtë Prevost, "ne përqafojmë traditën e pasur të jetës së Kishës dhe, në të njëjtën kohë, vëmë në pikëpyetje të tashmen dhe ripërtërijmë gëzimin e të vrapuarit për të takuar botën e për t'i sjellë asaj Ungjillin e Mbretërisë së Zotit, mbretëri dashurie, drejtësie dhe paqeje".
Edhe sot, media mund të luajë një rol të rëndësishëm në nxitjen e ndërgjegjësimit dhe ri-studimit të përmbajtjes së dokumenteve të Koncilit. Në këtë mënyrë, duke respektuar kuptimin e mirëfilltë të këtyre teksteve, mund të dalë në pah fuqia e vërtetë e Koncilit. Një vepër, që na fton të rilexojmë dokumentet e saj, mund dhe duhet të krijohet, si në formë të shtypur, ashtu edhe dixhitale. Kjo është mundësi për të ripërshkuar rrugën e përcaktuar nga Etërit e Koncilit dhe për të përvetësuar të njëjtën perspektivë, si ata që e jetuan ngjarjen.
"Ata që patën privilegjin të merrnin pjesë në punimet e Koncilit në këtë Bazilikë të Shën Pjetrit, nga viti 1962 deri në vitin 1965"- pohoi Papa Gjon Pali II më 11 tetor 1987, "nuk do ta harrojnë kurrë se çfarë bekimi është të banosh në shtëpinë e Zotit".