Kërko

2026.01.15 Il cardinale Parolin in Kuwait (@TerzaLoggia)

Sekretari i Shtetit të Vatikanit kard. Parolin në Kuvajt. Takime për të forcuar miqësinë dhe bashkëpunimin.

Në një deklaratë të përbashkët, Selia e Shenjtë dhe Shteti i Gadishullit Arabik theksojnë rëndësinë e vlerave të respektit të ndërsjellë dhe bashkëjetesës paqësore midis feve. Më 16 janar, sekretari i Shtetit të Vatikanit do të kryesojë në Ahmadi, kremtimin e shpalljes së Kishës së Zojës së Arabisë Bazilikë të Vogël. Gjatë vizitës, do të zhvillohen bisedime zyrtare me Ahmad Abdullah Al-Ahmad Al-Sabah, kryeministër i Shtetit të Kuvajtit.

R.Sh. Vatikan

Shteti i Kuvajtit dhe Selia e Shenjtë mirëpresin vizitën zyrtare të Sekretarit të Shtetit të Vatikanit kard. Pietro Parolin, që nisi dje, më 14 janar, dhe mbyllet nesër më 16 janar. Gjatë vizitës, thekson një deklaratë e përbashkët, do të zhvillohen një sërë bisedimesh zyrtare me Lartësinë e tij sheikun Ahmad Abdullah Al-Ahmad Al-Sabah, kryeministër i Kuvajtit. Kremtimi solemn i shpalljes së Bazilikës së Vogël do të zhvillohet në Ahmadi nesër, 16 janar, në orën 10:00 paradite, dhe do të kryesohet nga vetë kardinali Parolin. Vizita e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, thuhet në këtë deklaratë, synon të forcojë lidhjet e miqësisë dhe të bashkëpunimit që Selia e Shenjtë dhe Shteti i Kuvajtit mbajnë që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1968, kur Kuvajti u bë vendi i parë i Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit që vendosi marrëdhënie të tilla me Selinë e Shenjtë. Vizita synon gjithashtu të dëshmojë traditën e gjatë të bashkëjetesës fetare që ka karakterizuar gjithmonë Shtetin e Kuvajtit në Gjirit Arabik.

Kisha e Zonjës sonë të Arabisë, e para në vend

Kjo vizitë e kard. Pietro Parolin është pjesë e festimeve për shpalljen e Kishës së Zonjës Sonë të Arabisë në Ahmadi, Kuvajt, si Bazilikë e Vogël. Kësaj, si kisha më e vjetër katolike në shtetin e Kuvajtit dhe në viset e Gjirit Arabik, iu dha ky titull nga Papa Leoni XIV më 28 qershor 2025. Vetë ky fakt flet për njohjen e rëndësisë së saj historike dhe shpirtërore në Gjirin Arabik. Ky përkufizim historik, i pari i këtij lloji në Gadishullin Arabik, nënvizon rolin e posaçëm të Kishës së Zonjës sonë të Arabisë si kisha themelore e Kuvajtit, duke qenë kisha e parë katolike e ndërtuar ndonjëherë në këtë vend. Kishëza fillestare u ndërtua në vitin 1948, ndërsa kisha e tashme u përfundua në vitin 1957 falë donacioneve bujare të bamirësve vendas, kujdesi dhe mbështetja e të cilëve për kishën vijon edhe sot e kësaj dite. Kalendari i qëndrimit në vend të kardinalit Parolin parashikon vizitën te Xhamia e madhe dhe te Muzeu i antikitetit islam.

Bashkëjetesa paqësore midis besimeve fetare

Shteti i Kuvajtit, thuhet në deklaratën e mësipërme, pohon edhe njëherë parimet e tij të forta të respektit të ndërsjellë dhe bashkëjetesës paqësore midis feve, vlera që janë mishëruar në idealet e tij që nga themelimi i tij dhe më pas janë përligjur te kushtetuta e këtij vendi.

Kjo vizitë sjell ndërmend edhe vizitën historike të bërë nga emiri i ndjerë i Kuvajtit, Lartësia e Tij Sheikh Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah, në Vatikan më 6 maj 2010, e cila shënoi një pikë të rëndësishme në zhvillimin e marrëdhënieve midis Kuvajtit dhe Selisë së Shenjtë. Ajo vizitë u zhvillua në kuadër të një serie shkëmbimesh zyrtare të nivelit të lartë, duke nënvizuar angazhimin e udhëheqjes kuvajtiane për forcimin e komunikimit dhe dialogut me Selinë e Shenjtë, të paraprirë në vitin 2009 nga vizita e ish-kryeministrit, Lartësisë së tij sheikut Nasser Al-Mohammad Al-Ahmad Al-Sabah, dhe pasuar në vitin 2015 nga vizita e ish-kryeministrit, Lartësisë së tij, sheikut Jaber Al-Mubarak Al-Hamad Al-Sabah.

15 janar 2026, 14:00