Kërko

Seminarët e AVEPRO-s nëpër botë Seminarët e AVEPRO-s nëpër botë

Selia e Shenjtë, Avepro zgjeron misionin e saj nëpër botë: seminare në të gjitha kontinentet

Agjencia e Selisë së Shenjtë për Vlerësimin dhe Promovimin e Cilësisë në Universitetet dhe Fakultetet Kishtare (AVEPRO) ka organizuar disa takime në vitin 2024 dhe 2025 në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Kolumbi, Republikën Demokratike të Kongos dhe Filipine, për promovimin e cilësisë akademike, duke vënë në pah pikat e forta dhe të dobëta për të kuptuar gjendjen e institucioneve si strukturë, mbarështimit dhe të ciklit universitar.

R.Sh. Vatikan

Të zgjerohet veprimtaria e Agjencisë së Selisë së Shenjtë për  Vlerësimin dhe promovimin e cilësisë në universitetet dhe fakultetet kishtare (AVEPRO) në Amerikën e Veriut, Amerikën Latine, Afrikë dhe Azi-Oqeani – pa lënë pas dore Evropën. Kjo qe porosia që i pat lënë Papa Françesku këtij organizmi, i cili ka zhvilluar katër seminare në këto kontinente muajt e fundit. Themeluar nga Benedikti XVI në vitin 2007, kjo agjenci synon të promovojë dhe zhvillojë kulturën e cilësisë brenda institucioneve akademike kishtare, atyre që varen drejtpërdrejt nga Selia e Shenjtë, dhe të sigurojë kriteret e cilësisë të njohura në gjithë botën, sipas vlerësimeve akademike përkatëse dhe planeve strategjike.

Katër seminare në gjithë botën

Detyrat e caktuara nga Papa, të cilat agjencia i kryen në bashkëpunim të ngushtë me Dikasterin e Selisë së Shenjtë për Kulturë dhe Arsim – kryesuar nga kardinali José Tolentino de Mendonça – përfshijnë, qysh prej vitit 2023, zbatimin e misionit të këtij organizmi në të gjitha kontinentet. E në të vërtetë, në pjesën e parë të jetës së vet (2007-2023), Agjencia vepronte kryesisht në Evropë me procese të vlerësimit të cilësisë akademike për afërsisht 150 nga 200 institucionet e pranishme në kontinentin tonë. Megjithatë, misioni i AVEPRO është shtrirë në të gjithë botën. Për këtë arsye, Papa Françesku kishte kërkuar që fusha e veprimit të saj të zgjerohej përtej kontinentit tonë.

Për këtë qëllim, agjencia ka organizuar katër seminare deri më sot. Në vitin 2024, u mbajtën tre seminare: i pari, më 14 dhe 15 maj, u zhvillua në Amerikën e Veriut (Shtetet e Bashkuara dhe Kanada) në Universitetin Katolik të Amerikës (CUA) në Uashington, D.C. Seminari i dytë iu kushtua Amerikës Latine dhe u mbajt në Bogota më 10 dhe 11 shtator, i organizuar nga Pontificia Universidad Javeriana (PUJ). Seminari i tretë, iu kushtua Afrikës dhe u mbajt në Kinshasa më 12 dhe 13 nëntor, pranë Universitetit Katolik të Kongos (UCC). Në vitin 2025, seminari u mbajt në Universitetin e Shën Tomës në Manila (UST) dhe kishte në qendër institucionet akademike në Azi dhe Oqeani.

Objektivat e këtyre seminareve ishin të shumëfishta. Para së gjithash, ishte çështje ndërgjegjësimi për punën e bërë tashmë brenda institucioneve akademike në vende të ndryshme për promovimin e cilësisë akademike, duke vunë në dukje pikat e forta, dobësitë, mundësitë dhe mangësitë. Ishte gjithashtu e nevojshme të kuptohej drejtpërdrejt gjendja e institucioneve përsa i përket strukturës, mbarështimit, cikleve universitare kombëtare, numrit të studentëve dhe çdo marrëdhënieje me agjencitë kombëtare ose ndërkombëtare të cilësisë. Për më tepër, kontakti personal me autoritetet akademike si rektorë, dekanë e të tjerë, ishte i rëndësishëm. Ky i fundit është një aspekt thelbësor për krijimin e marrëdhënieve të besimit dhe respektit të ndërsjellë.

Vënia në praktikë e kushtetutës apostolike «Veritatis Gaudium»

Pika fillestare e seminareve ishte zbatimi konkret i parathënies së kushtetutës apostolike «Veritatis Gaudium», si dhe i dokumenteve të tjera që lidhen me universitetet, të cilat kanë propozime për arritjen e një niveli të lartë cilësie arsimore. Synohet që universitetet të jenë të hapura ndaj botës akademike dhe shoqërore, të krijojnë rrjete dhe të jenë të vëmendshme ndaj ndryshimeve nëpër botë. Ky angazhim nxit krijimin e një rrjeti midis vetë institucioneve, duke i bërë ato të shqyrtojnë çështje dhe shqetësime të përsëritura në të gjitha qendrat e ndryshme dhe të fillojnë projekte të përbashkëta në lidhje me kërkimin dhe shkëmbimin e profesorëve dhe studentëve. Përveç parathënies së kushtetutës apostolike «Veritatis Gaudium», është bërë përpjekje për të përsëritur udhëzimet e Papa Françeskut që gjenden në «Marrëveshjen botërore për arsimin», me shtesat e bëra nga Papë Leoni XIV.

Me shikimin nga e ardhmja

Duhet nënvizuar gjithashtu se këto seminare paraqitën Agjencinë e Selisë së Shenjtë që promovon cilësinë e studimit universitar, metodat e saj të punës, si dhe shërbimet e saj në dobi të cilësisë, duke nënvizuar parimin e lirisë për vlerësimin dhe dimensionin gjithëpërfshirës, ​​akademik dhe kishtar-sinodal të institucioneve kishtare të arsimit të lartë. Puna e kryer bazohet te tri parimet që e karakterizojnë më së miri këtë agjenci të Selisë së Shenjtë, e që janë: bujaria, bindja dhe fryma kritike dhe pozitive. Në vitet e ardhshme, Agjencia do ta vazhdojë këtë punë duke organizuar takime të mëtejshme, si në vend ashtu edhe virtualisht. Duhet të nxitet kultura e cilësisë e cila do të çojë në procese vlerësimi akademik që i sjellin përnjimend dobi institucioneve të arsimit të lartë të Kishës Katolike.

22 janar 2026, 15:59