Kërko

Credits: Caritas Spes Ukraina Credits: Caritas Spes Ukraina

Ukraina, kard. Krajewski: nuk duhet të jemi indiferentë ndaj dhimbjes së popullit. Ndihma, menjëherë!

Thirrje e fortë, kjo e lëmoshtarit të Papës përballë rëndimit të krizës humanitare në vendin e Evropës Lindore pas bombardimeve të fundit, veçanërisht në Kiev. Dikasteri për Shërbimin e Bamirësisë po kërkon mbështetje për mbledhjen e ndihmave, nisur nga Bazilika e Shën Sofisë në Romë: nevojiten batanije, veshje termike dhe shumë e shumë gjëra më tepër...

R.SH. / Vatikan

Drita e një qiriu ndriçon ëmbëlsisht tiparet e fytyrës së një nëne, me foshnjën e saj në krahë, mbështjellë me batanije që ia fshehin tiparet. Kjo pamje mund të duket e ëmbël, por shpejt zbulon gjendjen e vështirë të popullit ukrainas, i cili nuk njeh paqe prej katër vjetësh. Një popull që kohët e fundit i kaloi në errësirë, me temperaturë nën zero, pa ngrohje dhe pa energji elektrike për shkak të bastisjeve intensive ruse në kryeqytetin Kiev. E të fundit ndodhën mbrëmë...

Prej këndej, thirrja e Kardinalit Konrad Krajewski, lëmoshtar i Papës,  gjithnjë në mbështetje të vendit të "shkatërruar" nga lufta e të vizituar të paktën dhjetë herë në emër të Selisë së Shenjtë. Udhëtime për të shpërndarë ushqim, gjeneratorë energjie e madje, edhe ambulanca; një afërsi e shprehur përmes veprimeve konkrete, por edhe mbështetjes në lutje.

Thirrje për bamirësi

"Nuk mund të qëndrojmë indiferentë përballë dhimbjes dhe vuajtjes; duhet të veprojmë", pohon Kardinali Krajewski, "sepse rreziku, siç thotë Papa Leoni, është ai i 'globalizimit të pafuqisë', edhe më serioz se globalizimi i indiferencës". Ne duhet të veprojmë "si të krishterë", shton ai, e kjo do të thotë të mbledhim ndihmat që vijnë nga kisha ukrainase në Romë, Bazilika e Shën Sofisë, pika fillestare për kamionë, ngarkuar me ndihma nga Lëmoshtaria apostolike dhe fryt i bujarisë së një morie njerëzish.

Një ftesë, shumë praktike, është të sillen në Via Boccea 478, në Romë, ngrohës kimikë për duart, këmbët dhe trupin; të brendshme termike dhe leshi; çorape termike dhe leshi; batanije termike emergjence dhe batanije izotermale; termose dhe gota termike; ndezës gazi për kamping dhe kanaçe; e, së fundmi, alkool të thatë dhe dush të thatë. Mund të dhurohen edhe shkopinj energjie, arra dhe çokollatë. "Çdo kontribut," bëhet e ditur nga Bazilika e Shën Sofisë, "do të thotë ngrohtësi, ushqim dhe  mundësi mbijetese për ata që kanë më shumë nevojë".

Caritas Spes Ukraina: vështirësi tejet të mëdha

Thirrjes së Kardinalit Krajewski po i bën jehonë dëshmia e Atë Vyacheslav Hrynevych, drejtor ekzekutiv i Caritas-Spes i Ukrainës, organizatë bamirëse e Kishës Katolike të Ukrainës të Ritit Latin. "Është e rëndësishme të mos i largojmë sytë nga çka po ndodh në Ukrainë, të mos e mendojmë si luftë të largët a konflikt të thjeshtë ndërmjet vendeve të tjera në kufijtë e Evropës. Ne duhet të jemi pranë atyre që kanë nevojë, që duan të paktën pak normalitet dhe shans për të shikuar drejt së ardhmes". Atë Vyacheslav flet për vështirësitë e mëdha dhe nevojën për t'iu përgjigjur menjëherë të gjitha kërkesave, në këtë situatë edhe më të ndërlikuar ditët e fundit për shkak të sulmeve të Rusisë kundër infrastrukturës në Ukrainë.

Qëndresa dhe solidariteti

Çështjet ndërlikohen më tej nga temperaturat jashtëzakonisht të ulëta: natën, temperaturat bien në minus 15 gradë Celsius, ndërsa gjatë ditës luhaten ndërmjet minus 10 dhe minus 12 gradë Celsius. Pas sulmeve në kryeqytet të Ukrainës natën e 19-20 janarit, 5,635 ndërtesa mbetën pa ngrohje: pothuajse 80% e tyre sapo ishin restauruar. "Shumë njerëz, shpjegon ai, detyrohen të kërkojnë strehim ose të largohen përkohësisht nga shtëpitë e tyre, jo vetëm për t'i shpëtuar bombardimeve, por edhe për shkak të të ftohtit".

Situatë, që e ndërlikon jetën e përditshme. Të shkosh në punë, për shembull, nuk është e lehtë, sepse rrugët duhet të pastrohen nga dëbora e nga akulli, ndërsa metroja dhe tramvajet nuk funksionojnë rregullisht për shkak të mungesës së energjisë elektrike. "Luftë për mbijetesë" e quan drejtori i Caritas, pa harruar të theksojë disa nga virtytet e forta të popullit ukrainas. Ndërmjet tyre, qëndrueshmërinë dhe solidaritetin. "Kur shohim se si reagojnë njerëzit, madje edhe gjatë bombardimeve ose ndërprerjeve të gjata të energjisë - kur mblidhen së bashku, kur kërkojnë çaste për të ndarë - kuptojmë se jemi vërtet popull rezistent. Njerëzit dinë të ndajnë dhe të mbështesin njëri-tjetrin".

Nevojat e popullsisë në Ukrainë me kalimin e kohës janë rritur. E ndërsa kuzhinat e të varfërve fillimisht ishin vetëm për më të uriturit, sot numri i atyre që kanë nevojë për to po rritet. E Caritas -Spes Ukraina ka nevojë për t’i ndihmuar ata "që nuk janë në gjendje të dalin nga shtëpitë e tyre: për t'u krijuar një skutë të ngrohtë, edhe për vetëm disa orë, duke i ndihmuar ta përballojnë të ftohtin". "Në Kiev, shpjegon drejtori i Karitasit Atë Vyacheslav Hrynevych, aktivizuam edhe 'Pikën e Rezistencës', e cila përmban një gjenerator e ku njerëzit mund të ngarkojnë pajisjet e tyre elektronike, të ngrohen dhe të kenë një pije të nxehtë".

Bamirësi Krijuese

Nisma është zgjeruar edhe në Kharkiv, ku Caritas-Spes, përveç zbatimit të projekteve për riintegrimin në punë dhe rindërtimin e shtëpive,  organizon shpërndarjen e ushqimeve të ngrohta. Ka ngritur edhe një qendër për ndihmë materiale dhe ngrohtësi.

21 janar 2026, 16:38