Ukraina, Nunci: jemi të plagosur dhe të traumatizuar, por të bindur se Zoti është me ne
R.SH. - Vatikan
Gjashtë mijë ndërtesa në Kiev e humbën të gjithë ngrohjen më 9 janar, pas sulmit masiv nga Federata Ruse. Që dje, 16 janar, afërsisht 100 ndërtesa në kryeqytetin ukrainas mbeten pa asnjë formë ngrohjeje. Kryetari i bashkisë Vitaliy Klychko e dha këtë lajm, duke njoftuar edhe se teknikët e qytetit po punojnë pa ndërprerje për të rikthyer ngrohjen në të gjitha ndërtesat. "Situata e furnizimit me energji, nga e cila varen familjet, mbetet shumë e vështirë.
Kievi vazhdon të jetojë vazhdimisht ndërprerje të energjisë elektrike. Edhe zyrtarët e energjisë po vazhdojnë të punojnë për ta stabilizuar situatën" - shkroi Klychko në Telegram. E gjatë një konference shtypi për rezultatin e takimit të tij me Presidentin çek Petr Pavel, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy falënderoi ekipet që punojnë çdo ditë për të rivendosur infrastrukturën e energjisë."Çdo ditë, ne po punojmë jo vetëm për të rivendosur termocentralet, por edhe për të rritur importet dhe kapacitetin teknik, të cilat janë shkatërruar nga sulmet e përditshme ruse", tha ai, duke shtuar se mbrëmë, kërkesa e Ukrainës për energji elektrike ishte afërsisht 18 gigavat, ndërsa kapaciteti i sistemit, për shkak të bombardimeve, vetëm rreth 11 gigavat.
Mediat e Vatikanit folën me Kryeipeshkvin Imzot Visvaldas Kulbokas, Nunc Apostolik në Ukrainë, lidhur me situatën në vend dhe vështirësitë që përballon çdo ditë popullsia.
Shkëlqesia Juaj, në kontekstin e krizës energjetike që ka goditur disa rajone të Ukrainës, përfshirë kryeqytetin, doja t'ju pyesja se si po shkojnë qytetarët e Kievit? E edhe si jeni në Nunciaturë?
Tani, për shkak të luftës, kemi krizë të rëndë energjitike si pasojë e bombardimeve që godasin qytetet dhe qytezat. E kështu tani, me të ftohtin e janarit, me temperaturat që ulen nën njëzet gradë nën zero natën, kemi një situatë të vështirë, veçanërisht në Kiev, siç thonë autoritetet. Por kur flas me ipeshkvij, priftërinj dhe besimtarë, e di se edhe në rajonet perëndimore, për shembull, në Lviv, ka mungesë energjie elektrike. Shumë njerëz më thonë se kanë energji elektrike vetëm për tri orë në ditë. E njëjta situatë është në Kharkiv, ku ka periudha kur familjet nuk kanë energji elektrike ose ngrohje për dy ditë rresht. Kjo do të thotë se edhe furrtarët shpesh nuk mund të pjekin bukë, situatë që ekziston edhe për ushqimet e tjera. Pra, kjo krizë energjitike, përveç vështirësive të rënda për popullsinë civile nga shkaku i të ftohtit, shkakton edhe mungesa ushqimore. Mendoj se kjo po i ngjan Holodomorit që vuajti Ukraina në vitet 1930. Në Nunciaturë kemi gjeneratorin tonë dhe për këtë arsye kemi më shumë dritë, ujë dhe ngrohje se të tjerët. Por, siç tha kryetari i bashkisë së Kievit disa ditë më parë, nëse situata do të vazhdonte kështu, i gjithë kryeqyteti ukrainas duhej boshatisur. Kjo mundësi mbetet. Varet nga bombardimet dhe pasojat e tyre.
Ju kryesuat Meshën Shenjte në Kishën Mariane të Berdychiv me rastin e 35-vjetorit të rinovimit të strukturave të Kishës së Ritit latin në Ukrainë dhe përurimit të Vitit të Zemrës së Krishtit, shpallur nga ipeshkvijtë latinë për vitin 2026. Çfarë dëshironi të na thoni për këtë ngjarje, e cila u zhvillua në një situatë të vështirë?
Patëm një festë shumë të rëndësishme për Kishën Katolike të Ritit Latin në Ukrainë, në Shenjtëroren kryesore në Berdychiv. U mblodhën ipeshkvijtë e të gjitha dioqezave ukrainase. Kremtuam fillimin e vitit kushtuar Zemrës së Krishtit, duke iu lutur të na pranojë me mëshirë, të na i falë mëkatet tona dhe të na mbrojë nga çdo e keqe. U lutëm edhe që mirësia e Zotit ta mposhtë mëkatin e luftën dhe të na e japë paqen. Viti do të jetohet më pas në familje dhe famulli, dhe secili ftohet ta praktikojë përkushtimin personal ndaj Zemrës së Krishtit. Ky rast iu kushtua edhe përkujtimit të 35-vjetorit të rivendosjes së hierarkisë katolike të ritit latin, më 16 janar 1991. Kështu, e falënderuam Zotin për hiret e dhëna. E dimë se lufta është e lidhur me nxitjet e djallit, por edhe djalli ka frikë për çdo çast kur dëgjon se ne e lavdërojmë Zotin. E dimë se lufta është e lidhur me nxitjet e djallit, e se djalli ka frikë çdo çast kur ne e lavdërojmë Zotin. Por ne jemi të vetëdijshëm dhe të sigurt se Zoti është me ne. Ne i festuam këto të kremte në bashkim me Papën Leoni XIV dhe mbarë Kishën. Për mua ishte festë shumë prekëse dhe e thellë, e kam shpresë të madhe për frytet e saj.
A patët mundësinë të flisnit në Berdychiv, me ipeshkvijtë e rajoneve të prekura veçanërisht nga lufta? Si ishin?
U takuam si me ipeshkvin e dioqezës së Kharkiv-Zaporizhzhias, ashtu edhe me ndihmësin e tij, që është në Zaporizhzhia, ashtu edhe me Ipeshkvin e Odesës. Shpirtërisht, i pashë të gjithë shumë të sigurt në Zotin. Dje në Kharkiv nuk kishin energji elektrike gjithë ditën: kohë shumë e lodhshme. Do të doja të shtoja se fola me një katolik nga Sumy i cili kryen misione të ndryshme humanitare në rajonin e Kharkiv-it. E pyeta si ishte. Më tha se është i lodhur psikologjikisht sepse kishte përvojë të drejtpërdrejtë me shokët e tij që sillnin ndihma humanitare në rajonin e Kharkiv, e dy prej tyre vdiqën në një sulm me dronë. Tani, sa herë që sheh sulme me dronë, kujton këtë traumë. Prandaj më tha: "Kur jam në Ukrainë, nuk e ndiej peshën e plotë të luftës. Por kur rastësisht udhëtoj jashtë vendit, ndjehem i traumatizuar nga lufta, sepse çdo tingull që dëgjoj i ngjan bombardimeve, kalimit të raketave, kërcënimit të dronëve". Pra, sot e tërë popullsia ukrainase është e plagosur dhe thellësisht e traumatizuar. Por jam i bindur se vëllezërit dhe motrat tona në të gjithë botën do ta kujtojnë këtë dhe do të luten për shëndetin mendor të të gjithë atyre që vuajnë traumën e drejtpërdrejtë të luftës. Jeta e njerëzve vijon të endet përkrah vdekjes nëpër rrugë të shkatërruara nga sulmet ruse në Ukrainë!