Bashkimi i të krishterëve, Imzot Pace: "Ekumenizmi, një premtim për të ardhmen"
R.SH. / Vatikan
"Ekumenizmi është përvojë, në të cilën njihemi si vëllezër e miq, duke u nisur nga përvoja e Jezusit". Kështu e përshkruan Kryeipeshkvi Imzot Flavio Pace, Sekretar i Dikasterit të Vatikanit për Promovimin e Unitetit të Krishterë, duke folur për mediat e Vatikanit, dialogun ndërmjet besimtarëve në Krishtin gjatë Javës së lutjes për unitetin e të krishterëve, që përfundon të dielën, më 25 janar. Është një nga ngjarjet më të rëndësishme ekumenike vjetore, që sivjet përkoi me zgjedhjen "e dëshiruar" të Papës Leoni XIV për meditimin mbi "Dei verbum" si pjesë e katekizmave të tij të së mërkurës mbi Koncilin II të Vatikanit. Përkimi me Javën aktuale është domethënës: Koncili i Dytë i Vatikanit njohu besimtarët me "përvojën e zbulesës hyjnore në rritje". "Dei verbum është, në një farë mënyre, përfundim i Dei filius të Koncilit I të Vatikanit", shpjegoi kryeipeshkvi Pace, "ku fokusi ishte në këto të vërteta intelektuale". "Dei verbum” e plotëson dhe e vendos këtë të vërtetë brenda përmasës relacionale". Vetë Zoti u flet njerëzve si miq, si në përvojën e Moisiut dhe si në fjalët e Jezusit në Ungjillin e Gjonit: "Unë ju quajta miq".
Udha e unitetit
Zbulesa, megjithatë, nuk është çështje për teologët. Në qendër është "konkretësia e përvojës njerëzore të Jezusit, e së vërtetës, e shikimit mbi burrat e kohës së tij, mbi gratë, mbi situatat, mbi punën, mbi vuajtjet, mbi sëmundjet fizike", vazhdon Imzot Pace. "Kjo është përvoja në të cilën Zoti mishërohet, zbulon vetveten. E kështu korpi i Krishtit është themelor në takimin me përvojën e Zotit të krishterë". Ky takim i bashkon besimtarët, të cilët duhet ta forcojnë lutjen e tyre për unitet të plotë e të dukshëm, siç e theksoi Papa Leoni XIV të dielën e kaluar në Engëllin e Tënzot. "Unitet i plotë, sepse Pagëzimi është sigurisht themeli", shpjegon Sekretari i Dikasterit të Vatikanit për Promovimin e Unitetit të Krishterëve. "Por gjatë gjithë historisë, në përçarjet ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, në çarjet e ndryshme, madje edhe brenda partnerëve tanë ekumenikë, ky unitet i Pagëzimit nuk e realizon vërtetësisht lindjen e bashkimit të plotë". Shpresohet që "rruga drejt bashkimit të plotë" të bëhet edhe "ulje në të njëjtën tryezë të Krishtit". Udhëtim dialogu teologjik që "shkon krah për krah me lutjen e përbashkët dhe me një dhuratë": atë të Ungjillit.
Përvoja e ekumenizmit
"Përvoja e ekumenizmit është, në një farë mënyre, përvojë dialogu edhe në fronte të tjera". Dialogu bëhet "duke qëndruar ballë për ballë me tjetrin, më në fund i paarmatosur, për të qenë në gjendje të dëgjojmë dhuratën e Shpirtit që është tjetri dhe së bashku të lutemi që ky udhëtim të bëhet gjithnjë e më shumë udhëtim i bashkëndarjes së plotë". Në këtë udhëtim, Java e lutjes për unitetin e të krishterëve është çast themelor, të cilin bashkësitë në mbarë botën janë të thirrura ta jetojnë përmes reflektimeve të përgatitura këtë vit nga Kisha Apostolike armene.
Shën Pali jashtë Mureve
Java do të përfundojë të dielën e ardhshme, më 25 janar, me kremtimin e lutjes Mbrëmësore në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, kryesuar nga Papa Leoni. Bazilikë që Ati i Shenjtë, siç kujton Kryeipeshkvi Pace, e ka vizituar tashmë jo vetëm për marrjen në zotërim pas zgjedhjes së tij, por edhe më 14 shtatorin e kaluar për përkujtimin e martirëve dëshmitarë të fesë, në një kremtim ekumenik. Fjala është për Bazilikën që "sivjet u vizitua nga Mbreti Charles, që mori titullin “Confrate”, gjë që tregoi se është bazilikë që, megjithatë, lidhet me ekumenizmin". E edhe vendi ku Pali VI, në vitin 1966, i dhuroi unazën e tij ipeshkvnore Michael Ramsey-t, Kryeipeshkvit të Canterbury-t". E është edhe Bazilika e Koncilit, ku u shpall Koncili II i Vatikanit, por edhe vendi ku ne rizbulojmë, në përvojën e Palit Apostull, se jemi në borxh të Ungjillit edhe për këtë arsye: duke u kthyer së bashku në shkollën e Ungjillit, jetojmë dhe kërkojmë të jemi ungjillëzues si Pali, sepse banohemi nga kjo frymë e Shpirtit".
Frytet e Nikesë
Kohët e fundit u kremtua 1700-vjetori i Koncilit të Nikesë, ngjarje që, sipas Imzot Pace-s, krijoi "mundësinë jo vetëm për të përkujtuar simbolin e besimit, por edhe dëshirën për të shikuar së bashku drejt së ardhmes". Përveç lutjes publike, takimi - "ta quajmë Pentekoste" - ishte domethënës, "ai takim me dyer të mbyllura në Kishën Ortodokse Siriane në Stamboll, ku Ati i Shenjtë Leoni XIV dhe udhëheqës të tjerë e dëgjuan njëri-tjetrin në një tryezë të rrumbullakët për dy orë". Çast historik, që nuk llogaritet, por "me sa e kam kuptuar, ata i premtuan njëri-tjetrit se nuk do të jetë çasti i fundit i këtij lloji", vëren.
Drejt Augustës
Një tjetër përkujtim ekumenik planifikohet edhe për vitin 2030, me rastin e 500-vjetorit të Augustës dhe të Confessio Augustana. "Pas krizës me Martin Luterin, pati përpjekje për të gjetur terren të përbashkët, rrëfim të përbashkët të besimit, që tani e quajmë reformë"- shpjegon Kryeipeshkvi imzot Pace. "Është e rëndësishme ta rikujtojmë atë tekst" për të rizbuluar themelin e përbashkët e, në të njëjtën kohë, "të rizbulojmë diçka më shumë për të tashmen tonë". Ky është përkujtim historik që përputhet edhe me vitin 2030, në të cilin jeta publike e Jezusit, Pagëzimi i tij dhe Predikimi në Mal do të na kujtojnë kalimin e 2,000 vjetëve. "Ka gjithashtu shumë nisma ekumenike transversale, që synojnë të përqendrohen në këtë, me përvoja që burojnë gjithashtu nga Toka Shenjte, për shembull, një lexim i përbashkët i Predikimit të Jezusit në Mal. Prandaj, shpresoj", vëren imzot Pace, "që ky përvjetor të jetë vit i frytshëm, jo vetëm për aspektin luteran, por edhe për tema të tjera ekumenike".
Ai, që është themeli i unitetit
Në rrethanat aktuale ngarkuar me përçarje, ndërmjet atyre që punojnë për të ndërtuar ura dialogu është sigurisht Papa Leoni XIV, "njeri që dëgjon, i aftë të rikrijojë mundësinë e një rruge përpara vetëm me disa fjalë". Angazhimi i tij pasqyrohet edhe në historinë augustiniane e në moton "In Illo uno unum" - “Në Të një e të gjithë”. “Kjo, përfundon Imzot Flavio Pace, është gjithashtu kujtesë për ne, sepse aty ku ekumenizmi bëhet një lloj strategjie që nuk është gjeopolitike, por gjeoekleziastike, është i destinuar të dështojë. Po nëse është diçka që na ndihmon ta rizbulojmë Atë, që është themeli i unitetit, atëherë bëhet premtim për të ardhmen”.