Dita e të Sëmurëve në Çiklajo, pedagogjia e dhembshurisë: kujdesi për trupin dhe shpirtin
R. SH. – Vatikan
“Nëse nuk garantojmë një asistencë shëndetësore që përfshin përmasën shpirtërore, do të përfundojmë me një asistencë të paplotë dhe me ndikim të rëndë në shëndetin e vëllezërve dhe motrave tona.” Kështu shprehet Dr. Walder Carpio, koordinator i Veprimtarisë Baritore të Shëndetësisë në dioqezën e Chiclayos, në veri të Peru, ku nga nga data 9 deri më 11 shkurt, mbahet edicioni i 34-të i Ditës Botërore të Të Sëmurëve 2026. Pikërisht në Chiclayo, Peru, ku Robert Francis Prevost, tani Papa Leoni XIV, ka kryer shërbimin e tij si misionar dhe ipeshkëv, për të përfaqësuar Papën në këtë ngjarje ndërkombëtare në Peru kushtuar të Sëmurëve, është i pranishëm kardinali Michael Czerny, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Shërbimin e Zhvillimit të Njeriut, si i dërguar i posaçëm i Atit të Shenjtë Prevost. Kardinali Czerny ka mbërritur disa ditë më parë në Chiclayo, Peru, së bashku me një delegacion nga Dikasterit të Vatikanit, për t’u takuar me përfaqësues të Kishës lokale e për t'u njohur nga afër me punën e tyre për të sëmurët dhe për persona të margjinalizuar, bazuar në dhembshurinë aktive dhe kujdesin holistik.
Afërsia që kthehet në veprim
Mjeku dr. Carpio është një nga këta përfaqësues. Gjatë pandemisë së Covid-19, ndërkohë që drejtonte spitalin Almanzor Aguinaga Asenjo, ai takoi ipeshkvin imzot Prevost, i cili kishte ardhur për një vizitë befasuese. “Prevost kaloi nëpër korridore me të gjitha masat e nevojshme të sigurisë, bekoi stafin dhe u dha rreth 500 Rruzare operatorëve shëndetësorë dhe pacientëve”, kujton mjeku për mediat e Vatikanit. “Ipeshkvi Prevost jo vetëm që na mbushi me shpresë, por na mësoi gjithashtu se afërsia e vërtetë me ata që vuajnë kërkon praninë dhe thjeshtësinë. Ato Rruzare lehtësuan dhimbjen dhe forcuan angazhimin tonë, duke na lidhur me dashurinë e Krishtit dhe të Shën Marisë”, kujton dr Carpio.
Për dioqezën veriperuane të Chiclayos, trashëgimia e Prevost mbetet një mësim i çmuar: “Prevost na mësoi që veprimtaria baritore e të sëmurëve nuk mund të kufizohet vetëm në asistencën mjekësore, por duhet të përfshijë përmasën psikologjike, sociale dhe shpirtërore. Vetëm kështu kujdesi bëhet vërtet total”.
Situata shëndetësore në Peru
Dr. Carpio përshkruan gjithashtu edhe kompleksitetin e sistemit shëndetësor peruan: “Është një sistem i shpërndarë… Ministria e Shëndetësisë, përmes Sigurimit Shëndetësor Integrativ, mbulon rreth 70% të popullsisë. Përveç kësaj, ka një nën-sektor privat, por qasja në shërbime shëndetësore cilësore mbetet një sfidë. Shumica e peruvasve kanë një lloj sigurimi, por në praktikë shumë njerëz nuk dinë për të drejtat e tyre dhe mbeten në shtëpi pa marrë kujdesin shëndetësor që u nevojitet”. Prandaj, puna e Veprimtarisë Baritore e Kishës në fushën Shëndetësore përfshin orientimin, mbështetjen dhe edukimin shëndetësor, duke siguruar kështu që kujdesi të arrijë tek ata persona që kanë më shumë nevojë.
Për mjekun dr. Carpio, kujdesi integruar nuk kufizohet vetëm në shërimin e trupit: “Ai duhet të marrë parasysh përmasën biologjike, atë psikologjike, mbështetjen familjare dhe sociale dhe, mbi të gjitha, përmasën shpirtërore. Edhe pacientët jo-katolikë gjejnë ngushëllim kur u ofrohet një hapësirë për reflektim dhe shpresë. Kjo është kthesa e vërtetë në shërimin e tyre”.
Inkurajimi për Ditën Botërore të Të Sëmurëve
Dita e 34-të Botërore e Të Sëmurëve 2026 dëshiron të përcjellë këtë mesazh: të shoqërosh ata që vuajnë duhet kohë, dëgjim, afërsi e angazhim shpirtëror, dhe të sigurosh që asistenca shëndetësore të integrojë të gjitha përmasat e qenies njerëzore. “Shembulli i Prevost na mësoi se feja shndërrohet, mishërohet në praninë fizike”, shpjegon dr. Carpio. “Kur prekim përmasën shpirtërore të pacientit, asistenca shëndetësore nuk është më vetëm teknikë, por bëhet kujdes njerëzor, plo dhembëshuri”.
Shëndeti si takim
Në Chiclayo, Peru, Kishat dhe spitalet punojnë, pra, duke ndjekur të njëjtin mësim: të jesh i afërt me ata që vuajnë është një akt konkret, që kërkon veprim dhe një zemër të hapur. Përveç mbështetjes baritore, Dita Botërore e Të Sëmurëve 2026 fton gjithashtu edhe për një reflektim mbi sistemet shëndetësore. Konferenca dhe sesione akademike, me rastin e kësaj dite, trajtojnë tema si kujdesi paliativ dhe menaxhimi i vuajtjes në praktikën profesionale të shëndetësisë, me qëllimin për të inkurajuar autoritetet dhe profesionistët të integrojnë kujdesin e plotë si një standard.