Kërko

Në foto: kard. Kevin Farrell, prefekt i Dikasterit për Familje, Laikët dhe Jetën. Në foto: kard. Kevin Farrell, prefekt i Dikasterit për Familje, Laikët dhe Jetën.

Kardinali Farrell: laikëve t'u ofrohet formim bazë me angazhimin e Kishave lokale

Kardinali Kevin Farrell, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën hapi seancën plenare të dikasterit që drejton duke inkurajuar "programe ungjillizimi dhe katekizmi, mësime të krishtera, formim besimi dhe rritje shpirtërore" në çdo dioqezë dhe famulli. Dhe për Takimet Botërore, kardinali nxiti të merren parasysh ndryshimet që kanë ndodhur në botën e sotme, që të bëhen "përvoja të vërteta të takimit me Jezu Krishtin".

R.Sh. Vatikan

Nevoja e ngutshme për një formim të krishterë të shekullarëve dhe vëmendja kushtuar Takimeve Botërore, në mënyrë që "të jenë përvoja të vërteta të takimit me Jezu Krishtin", qenë temat që u prekën këtë mëngjes, më 4 shkurt, nga kardinali Kevin Farrell, prefekt i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Laikët, Familjen dhe Jetën, në fjalimin e tij hyrës në Asamblenë e Tretë Plenare të Dikasterit. Mledhja në fjalë, do të zhvillohet deri më 6 shkurt në kurien e përgjithshme të Etërve Jezuitë në Romë. Tema e takimit triditor është: "Që Krishti të formohet brenda jush" (Gal 4,19): Formimi i laikëve në Jetën e Krishterë dhe Përvoja e Takimeve Botërore.

Edukimi i zemrës

Pasi shqyrtoi veprimtaritë e fundit të Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Laikët, Familjen dhe Jetën, themeluar në vitin 2016, kardinali, në lidhje me formimin e krishterë të laikëve, kardinali Farrell theksoi se sot "ekziston një nevojë e veçantë" për "formim bazë", domethënë një "formim në jetën e krishterë", që t’i përgjigjemi "rritjes së frikshme të numrit të njerëzve që nuk e njohin fare Jezu Krishtin". Një "formim i zemrës" që përfshin të gjithë jetën e dikujt është i nevojshëm, tha ai, sepse te rrënja e jetës së krishterë "është takimi me Jezu Krishtit", i cili "së pari ndryshon zemrën e njeriut", pastaj "mendësinë e tij", pastaj "e kthen në fé njeriun" dhe për këtë arsye "të gjithë jetën e tij".

Programet e ungjillëzimit dhe katekizmit

Zgjidhja për problemet e Kishës nuk është "ndryshimi i strukturave, i parimeve të doktrinës ose të moralit katolik". Këto gjëra nuk do “t’i bëjnë njerëzit të vijnë në Meshë, as nuk do të ngjallin thirrje të reja, as nuk do t’i kthejnë të rinjtë në Kishë” – u shpreh kardinali Farrell. Përkundrazi, është e nevojshme që “çdo Kishë vendase, çdo dioqezë, çdo famulli e vetme” të paraqesë “programe të përhershme ungjillëzimi dhe katekizmi, të mësimeve të para e themelore të krishtera, të formimit të krishterë, të besimit dhe t’i shoqërojë besimtarët të rriten shpirtërisht”. Duke kujtuar, për më tepër, se në Letrën Apostolike 'Harta të reja shprese' për edukimin, që pikëzon vija të reja të «Shpresës», Papa Leoni XIV bëri thirrje për formim të krishterë që përqafon “të gjitha anët e personit: atë shpirtërore, intelektuale, të ndjenjave, të shoqërisë dhe të trupit”, kardinali Farrell, nxiti për “katekizmin e gjallë dhe «kerygmatik», si mësim fillestar drejt jetës të shenjtë në Kishë.

Gjithashtu, prefekti i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Laikët, Familjen dhe Jetën, foli edhe për rëndësinë e kremtimeve liturgjike, si fillohet jeta e lutjes, si shqyrtohet jeta në dritën e Fjalës së Zotit, për rëndësinë e diskutimit dhe të dialogut, për përvojën e vëllazërimit, të shërbimit dhe të bamirësisë, si dhe për përvoja misionare”. Të gjitha këto veprime ndodhin atëherë kur ka bashkëpunim të përbashkët "të të gjithë anëtarëve të Kishës: meshtarë, rregulltarë, laikë, familje, të pamartuar, të kushtuar, bashkëpunëtorë laikë, grupe rinore, struktura dhe programe famullitare, si dhe programe online për formimin e njerëzve.

Formimi i familjeve dhe i bashkëshortëve

Kardinali Farrell, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën theksoi nevojën për formimin e krishterë dhe shoqërimin e familjeve dhe bashkëshortëve, një pikë që doli në pah edhe kur u dëgjuan ipeshkvijtë në vizitat e tyre «ad limina apostolorum» dhe përfaqësuesit e ndryshëm të dikasterit. "Familjeve duhet t'u ofrohen mundësi për formim të përshpirtërisë bashkëshortore, të jetës martesore, të lutjes në familje dhe të përçimit të besimit te fëmijët e tyre" – tregoi kardinali Farrell, i cili këshilloi që këto mësime të jepen kryesisht nga çiftet e martuara "të cilët, duke filluar nga dëshmia e tyre e jetës, dinë të formojnë, ndriçojnë dhe mbështesin bashkëshortët, veçanërisht ata më të rinj, veçanërisht në kohë krize". Por, është gjithashtu e nevojshme t’u "jepet zemër konferencave ipeshkvnore, dioqezave, barinjve dhe të gjithë populli të Zotit që të shqyrtojnë seriozisht se çfarë mund të bëjnë që të nisin "një vepër të re të formimit të krishterë." Prandaj, duhet të lutemi që "të lindin shenjtorë të rinj, të cilët me zellin dhe krijimtarinë e tyre ta ndihmojnë Kishën të tërheqë shumë njerëz nga besimi" dhe "të nxisë një shtysë të re për ungjillëzim dhe katekizëm".

Synimet

Në përmbledhje, në lidhje me formimin, sipas kardinal Farrell, dikasteri i Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën, duhet të kuptojë se besimi nuk lind tek njerëzit në mjedise kishtare – "besimi shpesh mendohet se ekziston, merret si diçka e ditur që të gjithë besojnë, por kjo gjë nuk është më e vërtetë në shoqëritë tona" – dhe për këtë arsye formimi i krishterë duhet ta nxisë besimin në gjirin e shoqërisë dhe t’i drejtojë njerëzit "te marrëdhënia e gjallë me Zotin, me Krishtin dhe te jeta e pjekur e krishterë, të jetuar në Kishë". Për më tepër, konferencat ipeshkvnore duhet të sensibilizohen në mënyrë që Kishat vendase të jenë të përkushtuara kundrejt këtij formimi. Është gjithashtu e nevojshme të "identifikohen parimet themelore" për të "organizuar formimin e krishterë të shekullarëve sotpërsot" dhe të kihet parasysh zhvillimi i 'udhëzimeve' për parimet themelore".

Takimet botërore

Lidhur me Takimet Botërore të organizuara nga ky dikaster për Laikët, Familjen dhe Jetën, siç janë Ditët Botërore të Rinisë – të cilat kremtohen tash 40 vjet, Takimet Botërore të Familjeve, 32 vjet deri më sot, dhe Dita Botërore e Gjyshërve dhe të Moshuarve, tani në vitin e saj të pestë – kardinali Farrell kërkoi që ndryshimet në botë të merren parasysh. “Prandaj, nuk mund të kënaqemi duke përsëritur atë që është bërë në të kaluarën”, vërejti ai, sepse “globalizimi kulturor dhe ekonomik ka ndodhur në shkallë të gjerë, njerëzit shpërngulen dhe përzierja e kulturave është rritur”, “mospërfillja ndaj fesë” po ashtu është rritur, por ka pasur edhe “kthim të parimeve të shenjta” dhe “nevojë të re për besim fetar dhe përshpirtëri ndër brezat e rinj”. Më pas, erdhi edhe revolucioni dixhital që “ka ndryshuar plotësisht stilet e jetesës dhe marrëdhëniet shoqërore”.

Prefekti i Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën kard. Farrell vuri në dukje gjithashtu se Kisha ka ndryshuar gjithashtu në dekadat e fundit. Ajo, sot është “më e vëmendshme ndaj ndjeshmërive të njerëzve, kulturave të tyre, historive të tyre personale shpesh të trazuara dhe të dhimbshme”, “më e etur për t’u shtrirë dorën të gjithëve” dhe për të respektuar “kohën e secilit person”, “më e vëmendshme ndaj të cënueshmëve, më respektuese për ndërgjegjet”, “më e përgatitur për mënyra vërtet sinodale, të ungjillëzimit dhe të kryerjes së misionit”. Për këtë arsye, është e nevojshme të kuptohet – për Takimet Botërore – "çfarë duhet ruajtur dhe çfarë duhet ndryshuar; çfarë duhet lënë mënjanë dhe çfarë duhet përmirësuar", në mënyrë që ngjarje të tilla "të jenë më efektive nga pikëpamja ungjillore", "të prekin zemrat e njerëzve, të përçojnë hir dhe të kenë ndikim të qëndrueshëm në jetën e tyre". Shkurt, kardinali Farrell shprehu besimin se ato duhet të bëhen "përvoja të njëmendta të takimit me Jezu Krishtin".

Veprimtaritë e dikasterit

Në paraqitjen e tij, kardinali Farrell ofroi gjithashtu edhe një përmbledhje të punës së bërë nga dikasteri  për Laikët, Familjen dhe Jetën që ai kryeson që nga viti 2016. Në fushën e Shoqatave dhe Lëvizjeve, janë mbajtur tetë takime vjetore të moderatorëve të përgjithshëm të shoqatave të besimtarëve dhe lëvizjeve kishtare, bashkë me veprimtari intensive shtesë, si takime, rishikime të statuteve dhe nisma trajnimi.

Në fushën e Familjes dhe Jetës, janë mbajtur dy Takime Botërore të Familjeve: i pari në Dublin në vitin 2018 dhe i dyti në Romë në vitin 2022. Në vitin 2022, dikasteri publikoi «Itineraret Katekumenale për Jetën Martesore», për të futur në Kishë përgatitjet për sakramentin e martesës dhe mbështetjen në vitet e para të jetës martesore. Prej vitit të kaluar, duke përdorur burimin "La Vita è sempre un bene" "Jeta është Gjithmonë e Mirë", kanë filluar përpjekjet për të mbështetur kujdesin baritor të jetës në konferenca të shumta ipeshkvnore.

Në fushën e shërbesës rinore, Ditët Botërore të Rinisë u mbajtën në Panama në vitin 2019 dhe në Lisbonë në vitin 2023, dhe po bëhen përgatitje për atë të radhës, në Seul, në vitin 2027. Lidhur me kujdesin baritor të të moshuarve, Dikasteri për Laikët, Familjen dhe Jetën i ka nxitur Kishat e veçanta ta strukturojnë ose ta forcojnë atë. U mbajtën dy kongrese ndërkombëtare në vitet 2020 dhe 2025, dhe është forcuar dialogu me drejtuesit në rang kombëtar të kësaj shërbese në afërsisht 80 konferenca ipeshkvnore.

04 shkurt 2026, 17:17