Lufta dhe antisemitizmi: fjalët e Koncilit II të Vatikanit, për të lexuar të tashmen
R.SH. / Vatikan
T’i ngulim sytë mbi dy skena të botës bashkëkohore, ngarkuar me plagë të gjakosura: lufta në Ukrainë dhe tragjeditë në Lindjen e Mesme. Të provojmë për t’i parë me sytë dhe dokumentet e Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, hapur në vitin 1962 nga Gjoni XXIII, e përfunduar në vitin 1965, nga Pali VI.
Lufta është çnjerëzore
Në tekstet e Koncilit II Ekumenik të Vatikanit gjejmë reflektime ndriçuese mbi tragjedinë e konfliktit. Fjalë, që mund të përdoren si lente për të dalluar, përmes një perspektive të vlefshme, realitetin e botës bashkëkohore. Koncili, para së gjithash, dënon "natyrën çnjerëzore të luftës". Në Kushtetutën baritore Gaudium et Spes, vlerësimet mbi luftën nuk ankorohen në një vend apo një datë, por janë ende aktuale. "Edhe pse luftërat e fundit i sollën botës sonë dëme të rënda materiale e morale", shkruhet në dokument "çdo ditë, në një pjesë të botës, lufta vazhdon ende, duke shkaktuar kaos". Armët janë gjithnjë më vdekjeprurëse e lufta, për fat të keq, nuk "zhduket nga jeta njerëzore". Mizoria e saj kërcënon "t'i çojë luftëtarët në një barbarizëm shumë më të madh, se ai i kohërave të kaluara". Për sa kohë që, siç vazhdon Kushtetuta Gaudium et Spes, "rreziku i luftës vazhdon dhe nuk ka autoritet ndërkombëtar kompetent të pajisur me forca të afta, pasi të jenë shterruar të gjitha mundësitë për zgjidhje paqësore, qeverive nuk mund t'u mohohet e drejta e mbrojtjes legjitime".
Nuk lejohet gjithçka në luftë
Një tjetër fragment i kushtetutës baritore mbi Kishën në botën e sotme ripohon rëndësinë e vendosjes së një kufiri, kufi që nuk duhet kaluar kur jemi përballë me tragjedinë e luftës. "Fuqia e armëve nuk e bën të ligjshëm çdo përdorim ushtarak ose politik të tyre. As fakti që lufta, për fat të keq, shpërtheu, nuk do të thotë se gjithçka është e lejueshme ndërmjet palëve në konflikt". Për të dëbuar fantazmën e luftës, Etërit e Koncilit II të Vatikanit na nxisin të dëgjojmë një zë të largët, atë të lutjes. "Shumë njerëz vullnetmirë që, të ngarkuar nga shqetësimet e mëdha të detyrës së tyre të lartë e të shtyrë nga përgjegjësia e rëndë me të cilën ndihen të lidhur, përpiqen në çdo mënyrë për t’i dhënë fund luftës, të cilën e urrejnë, edhe pse nuk mund ta injorojnë realitetin kompleks të situatës, duhet ta inkurajojnë. Ne duhet t'i drejtojmë lutje të pandërprera Zotit, që t'u japë atyre forcën për të vazhduar dhe për të çuar me guxim deri në fund këtë vepër të dashurisë më të madhe për njerëzimin, përmes së cilës lartohet burrërisht ndërtesa e paqes.
Dënimi i manifestimeve antisemite
Ekziston një tekst konciliar, që nxit reflektimin mbi temat, të cilat lidhen me tragjedinë e jetuar në Lindjen e Mesme. E me faqet e historisë që mbeten ende të pazgjidhura. Një nga këto faqe u shkrua pas vitit 1948. Gjatë asaj periudhe, Selia e Shenjtë shprehu vazhdimisht shqetësimin e thellë si për gjendjen e Viseve Shenjte, ashtu edhe për fatin e të krishterëve palestinezë. Shumë prej tyre humbën shtëpitë, duke luftuar përkrah bashkatdhetarëve të tyre myslimanë në luftën e parë arabo-izraelite të vitit 1948. Kur Papa Pali VI vizitoi Tokën Shenjte në vitin 1964, duke u takuar me autoritetet politike izraelite e jordaneze, nuk e përmendi qartë Shtetin Izraelit, as palestinezët. Ishte Koncili II i Vatikanit, siç thekson revista La Civiltà Cattolica në një artikull të botuar në vitin 2015, ai që përuroi epokën e re të dialogut me hebrenjtë, përmes Deklaratës Nostra Aetate. Ky dokument thekson se Kisha, "e vetëdijshme për trashëgiminë që ndan me hebrenjtë dhe e nxitur jo nga motive politike, por nga bamirësia fetare ungjillore, dënon urrejtjen, persekutimin dhe të gjitha manifestimet e antisemitizmit të drejtuara kundër hebrenjve në çdo kohë dhe nga kushdo".
Vëllazëria Universale
Për një të ardhme paqeje, fjala kyçe e përdorur nga Etërit e Koncilit II Ekumenik të Vatikanit është marrë gjithmonë nga deklarata mbi marrëdhëniet e Kishës me fetë jo-të krishtera. Kjo fjalë është vëllazëria. "Ne nuk mund ta thërrasim Zotin Atë i gjithë njerëzve", thuhet në dokument, "nëse nuk pranojmë të sillemi si vëllezër ndaj disa prej atyre që u krijuan sipas shëmbëlltyrës së Zotit. Qëndrimi i njeriut ndaj Hyjit Atë dhe ai ndaj njerëzve të tjerë është aq i ndërthurur, sa Shkrimi i Shenjtë na kujton: 'Kush nuk do, nuk e njeh Zotin'. Në Nostra Aetate, rruga e të krishterëve duhet të bashkohet me atë të mbrojtësve të paqes. "Kisha", vazhdon ai, e urren, si kundërshtare me vullnetin e Krishtit, çdo diskriminim ndërmjet njerëzve dhe persekutimeve të kryera për shkak të racës, ngjyrës, gjendjes shoqërore ose fesë. E kështu,Koncili II Ekumenik të Vatikanit, duke ndjekur gjurmët e apostujve të shenjtë Pjetër e Pal, u lutet me zjarr të krishterëve “ta ruajnë ndërmjet njerëzve një sjellje të patëmetë ndërmjet johebrenjve" (1 Pjetrit 2,12), e "nëse është e mundur, për aq sa varet prej tyre, të jenë në paqe me të gjithë njerëzit".
Zëri profetik i Koncilit
Fjalët e Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, edhe pse të lindura në rrethana historike të ndryshme nga ato bashkëkohore, ruajnë forcën e tyre profetike. Dënimi i luftës, i quajtur çnjerëzor nga Etërit e Koncilit, bashkohet me vlera të paprekshme etike që duhet të respektohen e të mbrohen për të ndaluar çdo formë urrejtjeje dhe diskriminimi. Veçanërisht parimi udhëheqës i vëllazërisë universale bëhet e vetmja mënyrë e mundshme për të rivendosur paqen. Paqe autentike e të qëndrueshme. Përballë skenave të ngarkuara me dhunë e përçarje, Koncili na fton të rizbulojmë dialogun, përgjegjësinë morale e, mbi të gjitha, lutjen. Pikërisht brenda këtij horizonti, mesazhi i Vatikanit II vazhdon të flasë në të tashmen, në mënyrë që të mos i dorëzohemi logjikës së luftës.