Kërko

2026.02.07 Messa di Beatificazione di padre Salvador Valera Parra presieduta dal cardinale Marcello Semeraro

Lumnimi i "meshtarit spanjoll Valera", Kard. Semeraro: ishte Ungjill i gjallë

Në Juércal-Overa, Spanjë, ceremonia u kryesua nga i dërguari i Papës Leoni XIV, Kardinali Semeraro, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Çështjet e Shenjtorëve. Salvatore Valera Parra, i Lumi i ri, ishte prift dioqezan, kryeprift dhe famullitar që, në çdo rrethanë, madje edhe më të rrezikshmen, ishte gjithmonë pranë më të ligshtëve. "E shikonte gjithçka dhe gjithkënd me sytë e Jezusit, e donte gjithçka dhe të gjithë me zemrën e Krishtit."

R.SH. / Vatikan

"Jetë e flijuar për shumë njerëz, veçanërisht për të sëmurët, të varfrit dhe  nevojtarët, të cilët ecnin rrugëve dhe jetonin në shtëpitë e  toke". Toka është Almería e Spanjës, e fjalët, ato të Kardinalit Marcello Semeraro, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Çështjet e Shenjtorëve, që flet për meshtarin spanjoll Salvador Valera Parra, i cili u lumnua sot. Ceremonia e lumnimit u kremtua në Juércal-Overa, vendlindje e Shërbëtorit të Nderuar të Zotit, ku jetoi në shekullin e 19-të dhe ku kreu shërbesën e tij si kryeprift e famullitar.

Përherë pranë popullit e të vuajturve

Dëshmia që na la meshtari dom Parra, ishte ajo e njeriut, i cili përhap "aromën e Krishtit", siç do të thoshte Shën Pali. Model, e quan Kardinali Semeraro, veçanërisht për njerëzit si ai, të cilët e jetuan shërbesën e tyre baritore si priftërinjtë sot. Duke u frymëzuar nga Ungjilli i Gjonit, e posaçërisht nga figura e Bariut të Mirë, të propozuar në liturgjinë e sotme, ne e shikojmë Jezusin që ofron jetën e tij për ne, duke e vënë në rrezik, duke e dhuruar "në një mënyrë të tillë, që ta bëjë si rrënjë, nga e cila mund të ushqehemi". Këtë bëri Cura Valera, meshtar, i cili, me emër dhe me vepra, i donte njerëzit, ishte pranë tyre, duke ua kuptuar problemet e duke i lehtësuar nga vuajtjet, vijoi Kardinali. Semeraro.

Thjeshtësi, përkushtim i heshtur, besnikëri

Ngjarje veçanërisht kritike, të tilla si epidemitë e kolerës, tërmetet dhe fatkeqësitë e jetës, e goditën rajonin e tij (viti 1863 shkaktoi shkatërrime dhe viktima), megjithatë meshtari dom Parra qëndroi gjithnjë pranë njerëzve, "duke vizituar të sëmurët, duke ndihmuar të ligshtit, duke u kujdesur për të moshuarit. Vërtet, kjo është, para së gjithash, “cura animarum!", kujtoi akoma kardinai Semeraro në homelinë e tij. Duke u nisur nga premisa se "vetëm dashuria e bën të mundur njohurinë e vërtetë, të ripërtërirë, të brendshme dhe të thellë", prefekti i bën jehonë asaj që ipeshkvijtë vendas e paten theksuar në Letrën e tyre baritore "Una vida para los démas”- “Një jetë për të tjerët”, ku shkruanin se "në një botë të karakterizuar nga nxitimi, individualizmi dhe sipërfaqësia, figura e Atë Valerit tingëllon si qortim, që na kujton se madhështia e vërtetë është në thjeshtësi, në përkushtim të heshtur e në besnikëri këmbëngulëse".

"Ungjilli i Pestë"

Kardinali Semeraro përfundon me metaforën e të ashtuquajturit "Ungjilli i pestë", ai që çdo dishepull i Jezusit është i thirrur ta shkruajë me jetën e tij ose të saj. Këtë bëri edhe Atë Valera. "Ai ishte Ungjill i gjallë: i shikonte të gjitha dhe të gjithë me sytë e Krishtit; i donte të gjitha e të gjithë me zemrën e Jezusit. Ndaj mbetet model e shembull për ne. E ky është edhe misioni i shenjtorëve".

07 shkurt 2026, 14:40