Ndërroi jetë kardinali Pengo, nismëtar i palodhur i paqes dhe i unitetit
R.SH. - Vatikan
Meshtar për gati 55 vjet dhe ipeshkëv për 42 vjet, Kardinali Polikarp Pengo, zë autoritar i Kishës afrikane, nesër do të festonte 28-vjetorin e purpurës kardinalore. Prijës i palodhur i paqes dhe i unitetit, ndihmoi për ta afirmuar Kishën si pikë referimi gjatë viteve të ndryshimeve të mëdha shoqërore në vend, duke punuar pa u lodhur për drejtësi e duke luftuar edhe tribalizmin.
Jetë e gjatë, në shërbim të Kishës e të Kombit
Lindi më 5 gusht 1944, në famullinë e Mwazye, në Dioqezën e Sumbawanga-s. Ndoqi shkollën fillore dhe më pas studioi që nga viti 1957 deri më 20 qershor 1971, kur u shugurua meshtar në Dioqezën e Sumbawanga. Për dy vjet - deri në korrik 1973 - shërbeu si sekretar i ipeshkvit të tij. Më vonë u transferua në Romë për të studiuar teologji morale në Universitetin Papnor Lateran (1973-1977), ku edhe u diplomua. Pas përfundimit, u kthye në Tanzani, ku dha mësim në Seminarin e Madh të Kipalapalës për nëntë muaj (1977).
Në vitin 1978 ishte rektori i parë i Seminarit të Madh të Segereas, detyrë që e mbajti deri në vitin 1983. U emërua Ipeshkëv i Nachingweas nga Shën Gjon Pali II, duke marrë shugurimin episkopal më 6 janar 1984, në Bazilikën e Vatikanit nga vetë Papa polak. Zgjodhi Ecce Ego Domine si moton e tij episkopale, duke hyrë në dioqezë më 19 shkurt të të njëjtit vit.
Më 22 janar 1990 ishte Kryeipeshkëv ndihmës i Dar-es-Salaam, duke e nisur detyrën e re më 24 maj 1990. Pas dorëheqjes së Kardinalit Laurean Rugambawa, drejtoi Selinë Metropolitane të Dar-es-Salaam më 22 korrik 1992. Më 23 qershor 2012. Dje ndërroi jetë, duke mbetur në kujtesën e kombit të tij e të mbarë botës së krishterë e liridashëse.
Vitet e fundit
Më 15 gusht 2019 kardinali Pengo e përfundoi misionin baritor në kryedioqezën e Dar-es-Salaam.