Papa: të dhurojmë barna në ditët e grumbullimit të Bankës Farmaceutike
R.SH. – Vatikan
Një e dhënë: në Itali, gjysmë milioni njerëz jetojnë në kushte të "varfërisë shëndetësore". Dhe një mënyrë konkrete për t'i ndihmuar ata të kurohen është të dhurohen barna në farmaci nga sot, 10 shkurt, deri më 16 shkurt, me rastin e Ditëve të Grumbullimit të Barnave të promovuar nga Banka Farmaceutike (Banco Farmaceutico). Kjo është thirrja e lëshuar nga Papa Leoni XIV përmes profilit në gjuhën italiane në platformën sociale X, @Pontifex_it. Në postim specifikohet se barnat e grumbulluara do t'u dorëzohen "më shumë se dy mijë realiteteve bamirëse në të gjithë Italinë, të cilat do t'ua shpërndajnë atyre që kanë nevojë".
Barnat e grumbulluara me vlerë 7 milionë euro në 24 vjet
Nisma zhvillohet çdo vit në muajin shkurt, duke filluar nga viti 2000, me mijëra vullnetarë të pranishëm në farmacitë pjesëmarrëse, të cilët i ftojnë qytetarët të dhurojnë një ose më shumë barna të destinuara për organizatat bamirëse të territorit. Grumbullimi përfshin të gjitha kategoritë e barnave që merren pa recetë dhe shpesh është vetë farmacisti, sipas udhëzimeve të shoqatave, ai që sinjalizon ato për të cilat ka më shumë nevojë. Në 24 vjet, Dita e Grumbullimit të Barnave ka bërë të mundur mbledhjen e mbi 7 milionë e 991 mijë barnave, me një vlerë mbi 29,7 milionë euro. Edicioni i fundit përfshiu 5.684 farmaci dhe mbi 25.600 vullnetarë; nga 588.013 barnat e grumbulluara kanë përfituar të paktën 430 mijë persona, të asistuar nga 2.011 entet e lidhura me Bankën Farmaceutike.
Historia e Bankës Farmaceutike
Fondacioni lindi në vitin 2000 nga ideja e një grupi farmacistësh të rinj, të vetëdijshëm për nevojën për t'iu përgjigjur “varfërisë shëndetësore” të përmendur nga Papa. Me mbështetjen e Cdo Opere Sociali dhe Federfarma, grupi hodhi bazat e organizatës, duke modeluar grumbullimin sipas përvojës së Ditës Kombëtare të Mbledhjes së Ushqimit të Bankës Ushqimore në Itali. Grumbullimi i parë i barnave në Itali u mbajt në Milano në vitin 2000 dhe pa pjesëmarrjen e 250 farmacive, për një total prej 15 mijë paketimesh barnash të dhuruara.