Selia e Shenjtë: Qeveritë dhe organizatat fetare duhet ta mbështesin familjen së bashku
R.Sh. Vatikan
Zhvillimi shoqëror, kulturor, moral dhe shpirtëror fillon me familjen, "njësi natyrore dhe themelore e grupit të shoqërisë", siç përcaktohet nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut. Ata që kujdesen për mirëqenien e njerëzve duhet ta mbështesin atë me të gjitha mjetet.
Ky është thelbi i deklaratës së bërë dje, të mërkurën, më 4 shkurt, nga arqipeshkvi imzot Gabriele Caccia, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara, kur foli në komisionin e 64-të për Zhvillimin Shoqëror në Nju Jork.
Familja, përgjegjëse për mirëqenien e anëtarëve të saj
"Familja," theksoi përfaqësuesi i Vatikanit, "është përgjegjëse kryesore për mirëqenien e anëtarëve të saj, posaçërisht të fëmijëve. Ajo gjithashtu promovon vlera që inkurajojnë përfshirjen, solidaritetin dhe integrimin shoqëror. Qeveritë duhet ta respektojnë dhe ta mbështesin familjen si edhe të ofrojnë ndihmë të përshtatshme kur është e nevojshme."
Në qendër të çdo përpjekjeje shtetërore është promovimi i së mirës së përbashkët, e cila duhet të ndiqet duke mbështetur faktorët që e nxisin një zhvillim të tillë: "Shteti duhet të garantojë kohezionin, bashkimin dhe organizimin e shoqërisë," shpjegoi arqipeshkvi Caccia, "që e mira e përbashkët të bëhet e mundur, dhe kjo të arrihet me kontributin e çdo qytetari. Individët, familjet dhe grupet e tjera nuk mund ta arrijnë zhvillimin e tyre të plotë veç e veç." Synimi i "institucioneve politike" është pikërisht t'u ofrojnë njerëzve "burimet materiale dhe liritë e nevojshme për të arritur qëllimet kulturore, morale dhe shpirtërore".
Kontributi i organizatave fetare
Elementet thelbësore të "mirëqenies njerëzore", shtoi vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB, janë "plotësimi i nevojave themelore si ushqimi, uji, strehimi, kujdesi shëndetësor dhe arsimi cilësor, Këtu hyn edhe liria". Për të siguruar këto nevoja themelore për individët, "nevojitet një bashkërenditje që funksionon brenda qeverive", ndërmjet qeverive dhe, po ashtu, ndërmjet qeverive dhe të gjithë palëve të interesuara, përfshirë organizatat fetare. Ky bashkëpunim duhet të jetë gjithmonë i drejtuar kah nevojat reale të njerëzve: "Një bashkërendim i tillë duhet të respektojë parimin e financimit, duke nxitur bashkëpunimin me bashkësitë e prekura në mënyrë që politikat të pasqyrojnë nevojat dhe përparësitë e atyre të cilëve synojnë t'u shërbejnë", shtoi arqipeshkvi Caccia.
Varfëria –lëngata që pjell kriza të reja
Duke cituar këshillën apostolike të Papa Leonit XIV, «Dilexi te», arqipeshkvi Caccia theksoi më pas se "zgjidhja e shkaqeve strukturore të varfërisë" është e ngutshme jo vetëm për arsye pragmatike – "për të arritur rezultate" dhe "për të rregulluar shoqërinë" – por mbi të gjitha "për ta shëruar atë nga një sëmundje që e bën atë të brishtë dhe të padenjë dhe që mund të çojë vetëm në kriza të reja".
Por varfëria materiale nuk është problemi i vetëm. "Kur varfëria të heq të drejtat" të cilat janë gjithashtu "shpirtërore dhe morale", duhet të "merret në konsideratë" përmasa shpirtërore nëse duam që "politikat e zhvillimit shoqëror të bashkërenduara, gjithëpërfshirëse dhe të barabarta" të jenë "efektive".
Pikërisht në dritën e këtij koncepti që i përfshin të gjitha pikëpamjet, në fund të deklaratës së tij, diplomati i Selisë së Shenjtë imzot Caccia, i ftoi “të gjitha shtetet” të marrin në konsideratë “punën e organizatave fetare që, të frymëzuara nga vlerat e tyre, të japin siguri, shpresë dhe mbështetje atyre që kanë më shumë nevojë”.