Shën Newman regjistrohet në Kalendarin Romak, festa më 9 tetor
R.SH. – Vatikan
"Zoti më krijoi për të bërë një shërbim të caktuar për të. Unë kam një pjesë në këtë vepër të madhe; jam një hallkë e një zinxhiri, një lidhje e bashkimit mes njerëzve. Ai nuk më krijoi kot". Kështu shkruante kardinali John Henry Newman, i kanonizuar në vitin 2019 dhe shpallur doktor i Kishës nga Papa Leoni XIV më 1 nëntor 2025, në solemnitetin e të Gjithë Shenjtorëve dhe Jubileun e botës arsimore. Papa e shpalli gjithashtu "bashkë-pajtor, së bashku me Shën Tomën e Akvinit, të gjithë atyre që marrin pjesë në procesin edukativ". Dhe vendosi të regjistrojë emrin e Shën John Henry Newman në Kalendari Romak të Përgjithshëm, kalendarin që rregullon përvjetorët dhe kremtimet e vitit liturgjik.
Kujtesa më 9 tetor, dita e konvertimit
Dekreti, i botuar sot, 3 shkurt, nga Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Kultin dhe Disiplinën e Sakramenteve, nënshkruar nga kardinali prefekt Arthur Roche dhe nga sekretari, kryeipeshkvi Vittorio Viola më 9 nëntor 2025, ditën e Kushtimit të Bazilikës së Lateranit, përcakton që kujtesa fakultative e shenjtit të festohet më 9 tetor, ditën e konvertimit të Newman, nga pastor anglikan në katolicizëm, në vitin 1845. Kështu, që tani, në gjithë Kishën katolike, mund të kremtohen Meshë dhe të recitohen lutje lavdi, mbrëmësore dhe lutje të tjera të Liturgjisë së Orëve për të nderuar shenjtin teolog dhe kardinal.
Drita e butë e Zotit dhe paqja në Kishën katolike
Dekreti thekson menjëherë se "drita e butë e hirit të Zotit, që erdhi në këtë botë për të ndriçuar popujt, e çoi John Henry Newman për të gjetur paqen në Kishën katolike". Dhe shton se gjatë jetës së tij të gjatë, kardinali Newman "ishte i palodhur në misionin që i ishte besuar, duke kryer shërbesën e kërkimit intelektual, predikimin dhe mësimdhënien, si dhe shërbimin për të varfërit dhe të fundmit e shoqërisë". Një intelektual i madh i krishterë, shpjegohet në dekret, mendja e tij e gjallë "na la monumente të qëndrueshme e të rëndësishme për çështjet teologjike dhe kishtare, po ashtu si dhe kompozita poetike dhe devocionale". Kërkimi i vazhdueshëm i kardinalit Newman "për të dalë nga hijet dhe imazhet drejt plotësisë së të vërtetës u bë një shembull për çdo dishepull të Krishtit Ngjallur". Kështu, Dekreti i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Kultin dhe Disiplinën e Sakramenteve përcakton që Shën John Henry Newman, "duke u njohur si një dritë e shkëlqyer për Kishën shtegtare përmes historisë, mund të përfshihet me të drejtë në mesin e shenjtorëve Doktorë të regjistruar në Kalendari Romak të Përgjithshëm".
Tekstet liturgjike
"Ky përkujtim i ri të përfshihet në të gjithë Kalendarët dhe Librat liturgjikë për kremtimin e Meshës dhe Liturgjisë së Orëve", thuhet në Dekretin e Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Kultin dhe Disiplinën e Sakramenteve, ku përcaktohet të adoptohen tekstet liturgjike në gjuhën latine të bashkangjitura në të njëjtin Dekret "të cilat duhet të përkthehen, të miratohen" dhe, pas konfirmimit të Dikasterit, "të publikohen" nga Konferencat Episkopale. Është fjala për tekstet e lutjes së Meshës, leximet biblike, tekstet e Liturgjisë së Orëve dhe teksti i Martirologut romak.
Në vitin 1825 pastor anglikan, në vitin 1847 prift katolik
John Henry Newman lindi në Londër më 21 shkurt 1801, në një familje anglikane. Në maj të vitit 1825 u shugurua pastor i Kishës së Anglisë, i ngarkuar me mbikëqyrjen e studentëve universitarë si vikar i Kishës së Universitetit të Oksfordit. Ndërmjet viteve 1832 dhe 1833, gjatë një udhëtimi kthimi nga Italia, Newman kompozoi Lead, Kindly Light (Prij, o Dritë e butë), që më vonë u bë një himn popullor fetar.
"Më Udhëhiq, o Dritë e Mirë, mes errësirës që më rrethon, ti më udhëhiq! Nata është e zezë dhe unë jam larg shtëpisë, ti më udhëhiq! Ruaji hapat e mi; unë nuk kërkoj të shoh horizontin e largët; një hap i vetëm më mjafton".
Në vitet në vijim, ai filloi së bashku me miqtë e tij Lëvizjen e Oksfordit për të kundërshtuar përhapjen e liberalizmit fetar në universitetet angleze. Kur shumë klerikë anglikanë, kryesisht të përkrahur nga kjo Lëvizje, kaluan në Kishën Katolike, Newman përjetoi një krizë fetare që e çoi në vitin 1845 të pranonte katolicizmin. Më 30 maj 1847, ai u shugurua meshtar në kapelën e Propaganda Fide në Romë. I mahnitur nga karizma e Shën Filipit Neri, themeloi Kongregatën e Oratorit në Angli.
"Do të jem një engjëll paqeje, predikues i së vërtetës"
Me veprën e tij më të madhe mbi temën e ndërgjegjes, Letra dërguar Dukës së Norfolk (1875), ai ndihmoi shumë katolikë anglezë të pranonin dogmën e pagabueshmërisë së Papës, të shpallur në ato vite. Duke reflektuar mbi thirrjen e tij në Kishë, Newman shkruante: “Do të jem një engjëll paqeje, një predikues i së vërtetës, nëse vetëm i respektoj urdhrat e Tij dhe i shërbej në thirrjen time”. Më 12 maj 1879 Papa Leoni XIII e bëri kardinal, duke i caktuar Djakoninë a Shërbesën në Kishën romake të Shën Gjergjit në Velabro. John Henry Newman vazhdoi të jetonte në Birmingham, pranë Oratorit, ku vdiq më 11 gusht 1890. Gati shtatëdhjetë vjet pas vdekjes së tij, filloi Procesi për beatifikimin dhe kanonizimin e tij. Në vitin 1991, Papa Shën Gjon Pali II autorizoi botimin e dekretit që lidhej me ushtrimin heroik të virtyteve. Newman u shpall i Lum nga Papa Benedikti XVI më 19 shtator 2010 në Birmingham dhe u regjistrua në Librin e Shenjtorëve nga Papa Françesku më 13 tetor 2019.