Kërko

Lutja e Ramazanit (ANSA) Lutja e Ramazanit (ANSA)

Të krishterët dhe myslimanët së bashku për paqen në një botë të plagosur

Në mesazhin e Dikasterit të Vatikanit për Dialogun Ndërfetar me rastin e muajit të Ramazanit, vihet në dukje përkimi me Kreshmët. “Paqja – thuhet në tekst – është urimi i përzemërt për secilin prej jush, për familjet tuaja dhe për kombet ku jetoni”

R.SH. / Vatikan

“Përmes kësaj kohe të përbashkët të Ramazanit dhe Kreshmëve, u bëftë transformimi ynë i brendshëm një katalizator për një botë të përtërirë, ku armët e luftës t'ia lënë vendin guximit të paqes”. Kështu thuhet në Mesazhin për muajin e Ramazanit dhe Eid al-fitr të Dikasterit të Vatikanit për Dialogun Ndërfetar, të nënshkruar nga prefekti, kardinali George Jacob Koovakad, dhe nga sekretari monsinjor Indunil J.K. Kodithuwakku, me datë 17 shkurt.

“Paqe: ky është urimi im i përzemërt – shkruan kardinali Koovakad – për secilin prej jush, për familjet tuaja dhe për kombet ku jetoni”. Një paqe, thuhet, e cila siç kujton Papa, lind nga “çarmatimi i zemrës, i mendjes dhe i jetës”. Një dhuratë nga Zoti që ushqehet me dialog, drejtësi dhe dashuri për faljen.

Mos u dorëzoni para dhunës dhe dëshpërimit

Duke shprehur më pas afërsi, solidaritet dhe respekt, në mesazh vihet në dukje “përputhja e kalendarëve myslimanë dhe të krishterë” duke qenë se të krishterët po jetojnë Kreshmët. Këto muaji i Ramazanit dhe Kreshmët janë momente të “forta shpirtërore”, në të cilat njohim brishtësinë tonë dhe që, në një kohë të “mbingarkuar me informacione, narravita dhe pikëpamje kundërshtuese”, mund të çojnë në dorëzim para dëshpërimit ose dhunës. Rrugë të papranueshme për besimtarët.

Një jetë e përtërirë

“Ne të krishterët dhe myslimanët, së bashku me të gjithë njerëzit vullnet të mirë, jemi të thirrur të imagjinojmë dhe të hapim udhë të reja përmes të cilave jeta mund të përtërihet”. Kjo ndodh falë lutjes, “agjërimit që pastron vizionin tonë të brendshëm dhe veprave konkrete të bamirësisë”.

Guximi i paqes

Kardinali Koovakad shpreh afërsinë e Kishës katolike me vëllezërit dhe motrat myslimane, “veçanërisht ata mes jush që luftojnë ose vuajnë në trup apo në shpirt për shkak të etjes suaj për drejtësi, barazi, dinjitet dhe liri”. “Jemi të bashkuar jo vetëm nga përvoja jonë e përbashkët e sprovave, por edhe nga detyra e shenjtë për të rikthyer paqen në botën tonë të plagosur”. Urimi është që në periudhën e Ramazanit dhe Kreshmëve, transformimi i brendshëm të bëhet “një katalizator për një botë të përtërirë, ku armët e luftës t'ia lënë vendin guximit të paqes”.

20 shkurt 2026, 11:46