Kërko

2026.03.24 CONF STAMPA XENOTRAPIANTI

Akademia Papnore për Jetën: perspektivat e ksenotransplantimeve, ndërmjet shkencës dhe etikës

Një version i përditësuar i dokumentit të Akademisë Papnore për Jetën që hulumton të ardhmen e transplantimeve të organeve nga kafshët te njerëzit, në dritën e çështjeve mjekësore dhe morale, u paraqit në Zyrën e Shtypit të Selisë së Shenjtë.

R.Sh. Vatikan

Në vitin 2024, në të gjithë botën u kryen afërsisht 170.000 transplantime. Ndërkaq, vetëm në Bashkimin Evropian çdo ditë vdesin tetë vetë, që presin një organ. Këto të dhëna tregojnë rëndësinë e ksenotransplantimeve dhe pikërisht kjo qe tema e dokumentit të Akademisë Papnore për Jetën (APJ) rreth "Perspektivave të ksenotransplantimeve: Aspektet shkencore dhe konsideratat etike", që u paraqit në versionin e saj të përditësuar të martën, më 24 mars, pranë Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë.

Njëzet e pesë vjet përparime

Temën e prezantoi kryetari i APJ, imzot Renzo Pegoraro, i cili shpjegoi se dokumenti, i botuar në fund të vitit të kaluar, i ka fillimet që në 2001, kur Akademia pati botuar një tekst që e trajtonte çështjen si nga këndvështrimi shkencor ashtu edhe nga këndvështrimi humanist. Për të ishte interesuar edhe Shën Gjon Pali II, i cili pati dërguar edhe një letër, e cila është përfshirë në parathënien e botimit të ri të dokumentit.

Tani që kanë kaluar 25 vjet pjesa shkencore e tekstit është përditësuar, vuri në dukje imzot Pegoraro, veçanërisht në lidhje me menaxhimin e kafshëve "duke marrë parasysh inxhinierinë gjenetike, duke garantuar respektin dhe mirëqenien për kafshët." Po ashtu, janë marrë parasysh edhe aspektet etike përsa i përket "sigurisë, informacionit dhe pëlqimit të pacientit". Kontributi etik i Kishës Katolike, shtoi ai,  lidhet "jo vetëm me besimtarët, por edhe me mjekët", tashti që pas disa dhjetëvjeçarësh eksperimentimi po ecet drejt zbatimit në praktikë të këtyre lloj transplantimesh.

Përdorim i domosdoshëm, i arsyeshëm dhe sipas rregullave

Nga pikëpamja shkencore dhe etike për këtë çështje foli më pas Monica Consolandi, studiuese në fondacionin «Bruno Kessler» në Trento: "Transplantimet janë efektive në trajtimin e sëmundjeve shumë të rrezikshme, por ka mungesë organesh, indesh dhe qelizash, dhe shumë pacientë në listën e pritjes vdesin", u shpreh Consolandi. Natyrisht, "ka çështje etike që lidhen me botën shtazore", dhe përdorimi i organeve të tyre "duhet të jetë i arsyeshëm, i rregulluar dhe i diktuar nga domosdoshmëria, pa ndryshuar biodiversitetin". Nga ana tjetër, sqaroi kumtuesja, marrësi vuan "pasoja në nivel shpirtëror-psikologjik", deri në atë pikë sa të përjetojë madje edhe krizë identiteti.

Nga modelet paraklinike te provat

Emanuele Cozzi, profesor dhe drejtues i njësisë së imunologjisë së transplantit në spitalin e Universitetit të Padovës, u thellua në çështje më mjekësore. Duke përcjellë të dhëna statistikore, mjeku ilustroi rolin e inxhinierisë gjenetike te derrat në rritjen e përputhshmërisë imunologjike dhe fiziologjike. Pas inxhinierisë, vazhdoi ai, organet "u testuan në modele paraklinike dhe u transplantuan te primatët jo-njerëzorë, siç janë majmunët, babuinët dhe shimpanzetë, me rezultate të jashtëzakonshme". Aktualisht, raportoi Cozzi, të paktën pesë qendra kërkimore në të gjithë botën kanë treguar aftësi për të mbajtur gjallë primatët jo-njerëzorë me një zemër ose veshkë derri të prodhuar në mënyrë inxhinierike për të paktën një vit: në Shtetet e Bashkuara, një majmun ka jetuar për pesë vjet me një veshkë derri në trup.

Eksperti më pas u përqendrua në çështjet e sigurisë dhe të transmetimit, të cilat janë "kapërcyer në mënyrë të jashtëzakonshme". Kjo është arsyeja pse Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave ka autorizuar transferimin e organeve shtazore te njerëzit. "Aktualisht jemi në dijeni të tri provave klinike të autorizuara në SHBA - dy ksenotransplante veshke dhe një ksenotransplante mëlçie - dhe studime të ngjashme janë duke u zhvilluar në Kinë, dhe rezultatet paraprake të të cilave," deklaroi Cozzi, "na japin shpresë".

Çështjet etike

Çështjet etike u trajtuan më në imtësi nga Daniel J. Hurst, i Departamentit të Arsimit Mjekësor dhe të Bursave në shkollën «Rowan-Virtua» të mjekësisë osteopatike në Stratford, SHBA, ku "ka 100,000 njerëz në listë për një veshkë. Nga këta, 80 përqind shpresojnë të marrin një veshkë, duke e ditur se për gjatë apo pesë vite, mesatarisht, iu duhet t’i nënshtrohen dializës tri ose katër herë në javë" – u shpreh Hurst.

25 mars 2026, 09:39